Bota

Terroristët në Veri, çfarë po ndodh në Kosovë/ BE dhe Rusia 'aksion' në terren

'Zëri.ai' ka bërë një përmbledhje të zhvillimeve më të rëndësishme të ditës së djeshme. Çfarë po ndodh në Leposaviç

k.m.
Terroristët në Veri, çfarë po ndodh në Kosovë/
Pamje nga Kosova

PRISHTINË- Pas disa muajsh tensione mes Serbisë dhe Kosovës, dje u shënua një nga incidentet më të rënda të viteve të fundit, pasi një efektiv i Policisë së Kosovës u vra dhe 2 të tjerë u plagosën nga një grup serb. Dje, nga mediat vendase por edhe nga kryeministri Albin Kurti, flitej për një skuadër prej 30 sulmuesish të armatosur, por bilanci përfundimtar nuk nxorri po kaq të prangosur. 'Zëri.ai' ka bërë një përmbledhje të zhvillimeve më të rëndësishme të ditës së djeshme. Çfarë po ndodh në Leposaviç...

Si nisi sulmi?

Rreth orës 02:34 në Mitrovicë, ditë e diel (24 shtator), njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, komuna e Leposaviç në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa). Pikërisht për këto kamione, dje presidenti serb Aleksandër Vuçiç, nxorri disa foto ku pretendonte se ishin thjesht makina transporti dhe asnjë tjetër.

Megjithatë kjo është pikënisja e përplasjes. Pikërisht në këto momente ka ndodhur vrasja e efektivit Afrim Bunjaku dhe plagosja e dy të tjerëve. Me disa efektivë të lënduar, forcat e Policisë janë detyruar që të tërhiqen. Paralelisht janë tërhequr edhe agresorët që kanë hyrë në Manastir të Banjskës me automjet të blinduar, duke thyer portën e mbyllur të objektit fetar.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla doli në një deklaratë për mediat duke u shprehur se manastiri është “burim i sulmeve me armë zjarri” në zonën përreth. Ndërkohë që mediat e Serbisë, nxorrën një foto, ku një prej anëtarëve të grupit i drejtonte armën e zjarrit një prifti. Kjo si justifikim për të mos i lidhur denoncimet për manastiret me zhvillimet në Veri të Kosovës. Edhe pse një fakt i tillë ishte denoncuar më parë nga deputetja e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, e cila kishte paralajmëruar se po kontrabandoheshin armë nga Serbia në kishat ortodokse në Kosovë, por askush nuk i mori parasysh pretendimet e saj. Deri kur dje i kushtuan jetën një efektivi të Policisë. 

Çfarë ndodhi më pas? Kosova eleminon 3 sulmues dhe arreston 6 të tjerë

Si kundërpërgjigje janë vrarë tre sulmues të maskuar dhe me uniformë, ndërsa gjashtë persona janë arrestuar. Sipas raportimeve, në mesin e të arrestuarve është një nga sulmuesit dhe katër persona të dyshuar si përkrahës të sulmuesve, të cilëve iu gjetën komunikime radiofonike, si dhe sasi të mëdha armësh, municioni dhe pajisje të ndryshme. Ende as sot nuk dihen identitetet e tyre edhe pse në rrjetet sociale kanë nisur aludimet. Dyshohet se kishin uniforma të "Kobra-ve serbe", por presidenti Alekandër Vuçiç i hodhi poshtë pretendimet duke u shprehur se janë rroba të thjeshta që mund t'i veshë kushdo. Trupat e 3 sulmuesve të vrarë ndodhen nën mbikqyrjen e autoriteteve të Kosovës.

Ndërsa, një i plagosur serb, pjesë gjithashtu e grupit, është jashtë rrezikut për jetën. Drejtori i Klinikës për Ortopedi, Gani Jashanica, ka thënë se i riu ka marrë dy plagë me armë zjarri. "Ai është goditur në femur dhe poshtë gjurit , por është në gjendje stabile. E kam vizituar sot. Ai do të qëndrojë i shtrirë edhe disa ditë,"-tha Jashanica. Ai mbrëmë është transferuar nga spitali i Mitrovicës së Kosovës në Prishtinë.

Vuçiç krahason serbët me Adem Jasharin

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç ka thënë mbrëmë gjatë një fjalimi para opinionit se policët shqiptarë qëllimisht nuk kanë dashur t'i ndihmojnë serbët e plagosur. Madje shtoi se i kishin vrarë me snajper në rrethana që nuk ishte e nevojshme vrasja e tyre. Se si doli në ato përfundime ende nuk dihet! Më pas, nxorri një audio-bisedë ku dëgjoheshin persona që qeshnin dhe thoshin: Lëreni të vdesë! 

Pretendoi se janë policë shqiptare, por nuk tha si ka arritur ta sigurojë audiopërgjimin. Por shkoi deri në krahasimin me Adem Jasharin, i cili u shfarros bashkë me familjen nga 'milicia serbe', duke u kthyer në një hero të luftës së Kosovës. 

“Kur ka ndodhur një konflikt i tillë në Maqedoni janë bërë biseda dhe marrëveshje, ndërsa sot u kanë shqiptarëve thënë “vritini të gjithë”. Kur Serbia ka shkuar në Drenicë që të konfrontohet me ata që kanë dashur të shkëputën nga shteti i njohur ndërkombëtarisht, ata (ndërkombëtarët) thanë se kanë qenë luftëtarë për liri në krye me Adem Jasharin dhe jo terroristë. Vetëm Serbia si duket është terroriste,”- ka deklaruar Vuçiç.

Më tej, ai tha se Kurti i kanë dhënë dorë të lirë ndërkombëtarët për të bërë "terror mbi serbët". 

"Edhe pse paralajmëroja çdo ditë në Bruksel dhe Nju Jork se kjo mund të ndodhte, pakkush deshi të dëgjonte. Serbët, jo nga Serbia qendrore, por nga Kosova, u rebeluan duke mos dashur të vuajnë terrorin e Kurtit. Kurti është i vetmi fajtor për gjithçka që po ndodh në Kosovë. Dëshira e tij e jetës është të na fusë në një luftë me NATO-n dhe ai nuk ka dëshirë tjetër. Kjo është e vetmja gjë që ai bën gjatë gjithë kohës. Kurtit i kanë dhënë carte blanche. Mesazhi im për ata që mendojnë se do të ushtrojnë presionin më të madh ndaj Serbisë për të njohur Kosovën e pavarur, ju them se kjo nuk do të ndodhë kurrë! Ju mund të na vrisni të gjithëve, mund të bëni çfarë të doni, ne kurrë nuk do ta njohim Kosovën e pavarur. Ky nuk është një epilog, kam frikë se do të jetë më keq. Nuk thashë rastësisht se do të marrim vendime në ditët në vijim. Kanë gënjyer gjatë gjithë kohës, se Serbia ka dashur të hyjë në luftë, kanë gënjyer për gjithçka..."

Serbia ka të njëjtën linjë në politikën e jashtme sikurse presidenti. Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç sot ka folur lidhur me ngjarjen dhe pa asnjë surprizë ndjek linjën e presidentit të tij, duke pyetur sërish: Pse nuk ndërhyri KFOR?

“Pse nuk e lanë KFOR-in të merret me këtë situatë. Ata do e kishin parandaluar konfliktin e armatosur të djeshëm. “Ku ka ndonjë dëshmi se Beogradi është i përfshirë – nuk ka. Ne dënojmë vrasjen e policit shqiptar, kjo nuk është në interes të serbëve,”-pretendon ai. 

Nisin lëvizjet, Rusia shkon te Vuçiç, Kurti takon përfaqësuesin e Gjermanisë

Presidenti serb, takoi ambasadorin rus në Beograd dhe tha se Rusia "dëgjoi kërkesat dhe lutjet e serbisë". 

As Kurti nuk ka qendruar "duarkryq". Kryeministri i Kosovës priti të përfaqësuesin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Mes tyre, takimi ende nuk ka përfunduar ndaj edhe nuk dihet se çfarë po bisedohet.

Ekspertët ndërkombëtarë flasin për sulm të përgatitur shumë kohë më parë

Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetown dhe ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara në administratat e Bill Clintonit dhe Barack Obamas, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Duket se ky është një aksion i mirëorganizuar, prandaj është më i rrezikshëm, sepse sugjeron se në terren ka grupe që janë të interesuara për të shkaktuar dhunë dhe janë të gatshëm të organizohen dhe të gjejnë armë që do t'u mundësojnë të bëjnë kështu. Mund të jetë një grup i brendshëm me mbështetje nga jashtë, por jo domosdo nga qeveria. Qëllimi i tyre? Të nxisin telashe, më shumë dhunë, të rrisin tensionet për të bërë të paarritshëm bashkëpunimin e palëve të përfshira për të arritur paqen e qëndrueshme,”-tha Kupchan. 

Grupi i terroristëve ende i lirë? Dyshime për përfshirjen e Wagner

Dje, kryeministri Kurti foli për 30 persona të armatosur, ndërsa ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla përmendi 3 të vrarë dhe 6 të arrestuar. Ku janë të tjerët? Sveçla tha se aksioni ende vazhdon, por asnjë sqarim nuk dha kur u pyet nga mediat nëse kishte të arratisur. Ende nuk dihet çfarë ka ndodhur, ndërsa autoritetet në Kosovë hedhin dyshime se pjesë e grupit kanë qenë edhe anëtarë të Wagner, njësia speciale që është përfshirë në luftën Rusi-Ukrainë dhe në jo pak raste ka shprehur gatishmërinë të luftojë në Kosovë. Kurti ka treguar fotografi në të cilat “duket qartë se këta persona të uniformuar, së paku 30 prej tyre, janë një njësi e organizuar profesionale e ardhur për të luftuar në Kosovë”.

Homazhe në Tiranë për policin e vrarë në Kosovë

Sonte në ora 19:00 edhe në Tiranë do të zhvillohen homazhe për Afrim Bunjakun. Ndërsa Kosova sot e ka shpallur ditë zie. 

Si u përshkallëzua konflikti Kosovë-Serbi?

Tensionet në veri të Kosovës janë përshkallëzuar që nga muaji maj, kur komunat, të cilat kryesisht janë të populluara nga sërbët bojkotuan zgjedhjet, por gjithashtu nuk i pranuan kryetarë të rinj shqiptarë. Shumica e popullsisë serbe bojkotoi zgjedhjet lokale të prillit dhe si rezultat, kryetarët shqiptarë erdhën në pushtet në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Pastaj në fund të majit me ndihmën e policisë hynë në ndërtesat komunale, gjë që shkaktoi revoltën e popullatës vendase serbe dhe ngriti tensionet. Situata u përshkallëzua më 29 maj në Zveçan, kur serbët u përleshën me pjesëtarët e KFOR-it, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, ku u plagosën 93 paqeruajtës.

Serbët në veri të Kosovës prej kohësh kërkojnë zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja e vitit 2013, e cila parasheh krijimin e një Unioni të Komunave Serbe në zonën e tyre.Negociatat e sponsorizuara nga BE për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ngecën javën e kaluar dhe BE-ja akuzoi Kurtin për dështimin në formimin e komunave serbe, pretendime që kryeministri iu kundërpërgjigj se ishte Miroslav Lajçak, ai që humbi neutralitetin./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB