KOSOVË- Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm kriminal në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vunë re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve.
Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës janë përballur me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre është qëlluar me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku, dhe u lënduan dy kolegët e tij. Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuar fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.
Përpos betejës me armë që ishte duke u zhvilluar në terren, me interes ishin dhe reagimet politike në Kosovë, Shqipëri, e Serbi, e veçanërisht nga selitë diplomatike në Prishtinë, të cilat u detyruan të bënin edhe reagime të njëpasnjëshme, pasi fillimisht u apelua për dialog. I pari që reagoi në mbrojtje të policisë së Kosovës, dhe e cilësoi sulmin kriminal ishte ambasadori amerikan në Prishtinë.
Jeffrey Hovenier i quajti sulmet “të dhunshme dhe të orkestruara”, ndërsa legjitimoi çdolloj kundërpërgjigje nga ana e policisë së Kosovës. “Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”, ka thënë ambasadori Hovenier.
Pas kësaj deklarate Hovenier së bashku me ambasadorët e QUINT-it (BE, Britani, Francë, Gjermani si dheItali) ishin në zyrën e kryeministrit Kurti, ku përveç shprehjes së mbështetjes ndaj policisë së Kosovës dënuan ashpër sulmin dhe thanë se ishte i orkestruar, duke drejtuar gishtin nga Serbia, reagimi i të cilës do të vinte vetëm në mbrëmje, përmes presidentit Aleksandër Vuçiç.
Me rezerva është pritur në Kosovë dhe jo vetëm qëndrimi që ka pasur i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Në reagimin e tij nuk u përmend fare fakti se sulmuesit e policisë në Veri të Kosovës ishn serb, ndërkohë që kërkonte që palët të uleshin sa më parë në dialog. Lajçak ka qenë në qendër të kritikave edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili në javët e fundit e ka akuzuar atë për njëanshmëri, në tryezën e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.
’’Me t’u kthyer nga Nju Jorku këtë mëngjes, më takoi lajmi tronditës për një sulm ndaj policëve të Kosovës në veri të Kosovës. Një akt i tillë frikacak i dhunës është thellësisht shqetësues dhe është në kundërshtim me vetë parimet e paqes dhe bashkëpunimit. Zemra ime është për viktimat, familjet, miqtë dhe kolegët e tyre.
Ky sulm i tmerrshëm thekson më tej domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut parandalues, nënvizuar gjatë javës së kaluar, kur mora pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Në margjinat e nivelit të lartë, fola me drejtues dhe kolegë të shumtë nga e gjithë bota. Në një mënyrë apo tjetër, ne të gjithë theksuam rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit”, thuhej mes të tjerave në reagimin e Lajçak.
I vonuar në reagimin e tij për ngjarjen në Zveçan ishte dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell. Rreth 12 orë nga vrasja e policit, në një deklaratë për mediat Borell dënoi sulmin. “Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”, thuhej në deklaratën e Borrell.
-
Vrasja e policit në Kosovë, reagon pas 12 orësh BE
24 Shtator, 13:54
Sa i takon reagimit të Aleksandër Vuçic, ai nuk ka qenë surprizues për askënd, pasi siç ndodh rëndom me presidentin serb, fajin për vrasjen e policit ia ka faturuar Albin Kurtit. Sipas Vuçiç tensionimi i situatës erdhi për shkak se Albin Kurti shtyp serbët e Kosovës, dhe ideale do të ishte që veriu të patrullohej nga policë serbë që incidente të tilla të mos të përsëriteshin. Ndërkohë që gjatë konferencës pati dhe një moment tensioni ku një gazetare nga televizioni N1 e pyeti Vuçiçin se ku i kanë marrë serbët e vrarë dhe të arrestuar armët dhe uniformat. Vuçiç reagoi ashpër, duke i thënë se ajo po e akuzonte Serbinë për përfshirje në këtë rast.
“Këto nuk janë uniforma të ushtrisë dhe policisë serbe. Ato blihen kudo në treg dhe mund të merren kudo, ashtu si armët”, ka theksuar Vuçiç.
-
-
Përplasja në Veri, Vuçiç: Serbët u ngritën si Adem Jashari
24 Shtator, 20:14
Ngjarja që ngërtheu shqiptarët përgjatë gjithë ditës së djeshme, sigurisht që angazhoi me reagime edhe politikën e Tiranës. Të parët që shprehën mbështetjen dhe dënuan ashpër Serbinë për sulmin ishin Lulzim Basha dhe Ilir Meta, e mandej gjatë ditës do të kishte dhe një reagim nga kryeministri Edi Rama, për të cilin nuk kanë munguar kritikat. Në një kohë kur policia e Kosovës po përballej në terren me një njësi serbësh të armatosur, kryeministri shqiptar bënte thirrje për një tryezë të përbashkët paqeje mes Serbisë dhe Kosovës.
Ndërkohë që po sot Rama ka bërë një reagim të shkurtër në nderim të policit të vrarë Afrim Bunjaku. Më i zellshëm në reagimet e tij ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili duke iu referuar dhe mediave në Kosovë, përditësonte postimet e tij me atë që ishte duke ndodhur në Zveçan.
Kritika në lidhje me qëndrimin disi të vakët të faktorit ndërkombëtarë ka pasur dhe nga zëra nga brenda vetë BE-së. Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, i tha shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, se kjo ndodh kur “luftën kundër krimit e quan provokim dhe e dënon”.
“Kështu ndodh kur e qetëson Vuçiçin dhe luftën kundër krimit e quan provokim dhe e dënon. Josep Borrel, Mirsolav Lajçak”, shkroi Schneeberger në platformën X.
Më tej, ajo tha se është koha për ta mbrojtur popullin e Kosovës e jo një autokrat, duke aluduar në Vuçiqin, i cili sipas saj po “bën lojëra të rrezikshme”.
Një qëndrim dukshëm pro Kosovës e mbajti dhe deputeti gjerman Michael Roth, ku një një shkrim ë rrjetin social “X”, Roth iu drejtua presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Ai tha se s’ka rëndesi se çfarë kombi apo etnie janë viktimat apo autorët, por pse duhet të vriten.
“I nderuar president, Aleksandar Vuçi. Vrasja e njerëzve është një krim i tmerrshëm. Për mua nuk ka rëndësi se nga vijnë viktimat dhe autorët. Nuk më interesojnë fare kombësitë apo etnitë. Edhe kosovarët edhe serbët meritojnë të jetojnë në paqe, siguri, dinjitet, liri dhe kufij të sigurt”, shkroi ai.
Roth, i cili është edhe Kryesues i Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Gjermanisë (Bundestag), Michael Roth, ka shprehur kureshtjen e tij se tani çfarë justifikimi ka për të nxjerrë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
“Dhuna brutale thjesht nuk mbaron kurrë. Tani ka vdekur një polic kosovar. Bandat serbe me mbështetje të drejtpërdrejtë nga Beogradi ndoshta janë përsëri përgjegjëse për këtë. Jam kurioz të shoh se çfarë justifikimi mund të nxjerrë presidenti Vuçiç këtë herë”, ka shkruar deputeti gjerman.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, gjatë së dielës, e ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri.
“Dënojmë me termat më të ashpër sulmin e tmerrshëm ndaj Policisë së Kosovës. Grupet e armatosura të paligjshme duhet të ndalojnë rrezikimin e jetëve. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi”, thuhej në njoftimin e MPJ-së të shtetit gjerman.
Më tej ata kanë treguar se i dërguari i Gjermanisë për dialogun Kosovë-Serbi Manuel Sarrazin ishte nisur drejt Kosovës.
Kosova e ka shpallur ditën e sotme një ditë zie kombëtare në nderim të efektivit Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës, ndërkohë që situata në veri të paktën mëngjesin e sotëm është paraqitur e qetë, me Manastirin e Banjskës që është nën kontroll nga policia e Kosovës, në të cilin u gjetën sasi të mëdha armësh dhe municioni.
Pikëkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak edhe sot po vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura për qarkullimin e mjeteve dhe njerëzve.
Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./ZËRI.AI