ANKARA- Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, gjatë një deklarate për mediat theksoi rëndësinë e parandalimit të “armiqësive të përhershme” mes vendeve të përfshira në luftën e Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se Izraeli është pengesa kryesore për arritjen e paqes. Ai deklaroi se qëllimi i Turqisë që nga fillimi ka qenë të parandalojë luftën, ta ndalojë nëse nis, të pengojë përhapjen e saj dhe të mbajë vendin jashtë konfliktit.
“Qëllimi ynë kryesor është të ndalojmë luftën dhe të shmangim përhapjen e saj në vende të tjera, duke parandaluar armiqësi dhe paqëndrueshmëri në rajon”, u shpreh Fidan.
Fidan shtoi se armiqësitë mes shteteve mund të zgjasin për vite pas përfundimit të konflikteve, duke penguar bashkëpunimin, zhvillimin dhe prosperitetin e gjithë rajonit.
Duke folur për negociatat, ai njoftoi se bisedimet për përfundimin e konfliktit kanë nisur, mesazhet po transmetohen përmes Pakistanit, dhe SHBA po i koordinon ato me Turqinë. Megjithatë, ai paralajmëroi se sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit kanë efekte shumë serioze dhe rrezikojnë përhapjen e konfliktit në nivel rajonal dhe global. Shkatërrimet në Iran kanë ndryshuar pozicionet negociuese, duke e vështirësuar ndërmjetësimin, por përpjekjet pritet të vazhdojnë.
Më tej, ai u shpreh se Pakistani ka një rol të rëndësishëm në bisedimet dhe njoftoi se ka një mundësi takimi këtë fundjavë me përfaqësues të Turqisë, Pakistanit, Egjiptit dhe Arabisë Saudite për të vlerësuar progresin e negociatave dhe hapat e mëtejshëm.
Ai kritikoi ashpër “ekspanzionizmin izraelit”, duke theksuar se Izraeli vazhdon të ndikojë mbi politikën amerikane dhe pengon paqen, ndërsa Turqia synon të parandalojë ndarjet në rajon. Duke komentuar sulmet iraniane ndaj disa vendeve të Gjirit, Fidan tha se reagimet e nxituara mund të sjellin pasoja afatgjata dhe të favorizojnë skenarin izraelit të një konflikti të zgjatur mes vendeve islame./ZËRI