
TIRANË- Gjin Marku, kreu i komitetit të Pajtimit Ndërkombëtar të Gjaqeve në Shqipëri, është shprehur se nuk ka qenë dakord me daljet publike të babait të Naim Murselit, Shaban Murselit.
Sipas tij ky i fundit duhet të heshtë dhe të mos ndikohet nga opinioni publik, pasi deklaratat e tij mund të keqinterpretohen nga familja e Liridonës.
“Nuk kam qenë dakord me daljet e tij në media sepse kam pritur që në fillim që ai të heshtë dhe të ishte me një dhimbje shumë më të madhe se vetë familja e viktimës. Ai nuk duhet të kishte folur pavarësisht nga presioni që mund të kishte nga mediat. Ai duhet të heshtë dhe të mbante një qëndrim të qartë se kjo nuk i përket vetëm familjes së tij por dhe jashtë familjes së tij. Është produkt që djalin e ka mbërthyer një e keqe shumë e madhe në shoqëri”, tha ai në Euronews.
Pas vrasjes së Liridonës, në media u tha se familja e saj i kishte dhënë dy ditë besë familjes Murseli dhe më pas do të hakmerrej sipas Kanunit. Por një gjë e tillë më pas u mohua publikisht nga vëllai i Liridonës, i cili tha se familja e ka lënë zbardhjen e ngjarjes në dorë të drejtësisë.
Vrasja e Liridonës ndodhi mbrëmjen e 28 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si grabitje, por pas 48 orëve u zbulua se urdhri për ekzekutimin e të resë ishte dhënë nga vetë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ai e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur. Në pranga ka rënë dhe Kushtrim Kokalla, i afërm i Murselit që akuzohet si bashkëpunëtor në krim./ZËRI