
SERBI- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha për rrjetin televiziv kinez, CGTN, se Tajvani është territor i Kinës dhe se i takon Kinës të vendosë se çfarë të bëjë me të. I pyetur për çështjen e këtij territorit, Vuçiç tha se nuk i duhen më shumë se dhjetë sekonda për t’u përgjigjur. Vuçiç tha se politika e Serbisë është “një Kinë” dhe se do të vazhdojë të jetë kështu edhe në të ardhmen.
“Tajvani është Kinë dhe varet prej jush se çka, kur dhe si do të veproni me të. Pikë. Ai është territori juaj, është populli juaj. Ju jeni vend sovran, ju i merrni vendimet. Mbështetjen e popullit serb do ta keni gjithmonë,"- tha Vuçiç.
Kina dhe Tajvani kanë qeveri të ndara që nga përfundimi i një lufte civile në vitin 1949. Pekini, prej kohësh, përpiqet që t’i kufizojë aktivitetet ndërkombëtare të Tajvanit. Sovraniteti i Tajvanit njihet nga 13 vende në botë, por Qeveria e tij, e zgjedhur në mënyrë demokratike, ka lidhje të forta ekonomike dhe joformale me shumë vende./ZËRI