TIRANË- Detaje të reja dalin nga vendimi i Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, e cila la në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Në dokumentin gjyqësor përshkruhen edhe komunikimet telefonike të biznesmenit Ergys Agasi me dy shtetas izraelitë.
Bëhet fjalë për komunikimet e zhvilluara në 'Signal', të sekuestruar në telefonin e të arrestuarit Ergys Agasi, ku ky i fundit, kishte komunikuar me dy persona të tjerë Izraelitë, me pseudonimet "Shalev Israel" dhe "Srulik Einhorn Koces".
Komunikimi mes shtetasit izraelit Shalev dhe Agasit, ky i fundit i shkruan: “E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret”.
Komunikimi mes shtetasit izraelit Srulik dhe Agasit, ky i fundit i shkruan: “Jemi me fat që këtu e kanë kapur vetë amerikanët dhe e dinë sjelljen e tij dhe diçka tjetër, drejtoresha e Shërbimit Sekret do të takohet vetë me të dhe do t’i flasë për këtë punë, duke i sjellë prova që prokurori e ka bërë këtë për interesa të tjera”.
Sipas vendimti të GJKKO, në komunikimet mes tyre flitet për një plan arratisjeje të Vlora Hysenit me qëllim shmangien e një arrestimi të mundshëm nga SPAK. Sipas GJKKO, nga këto komunikime ngrihen shqetësimet për ekzistencën e një rrjeti ndërkombëtar, i cili mund të vihej në funksion të interesave të grupit kriminal dhe të krijonte mundësi për largimin apo fshehjen e Hysenit.
“Komunikimet e ndërmjetësuara nga Agasit me shtetasit me pseudonimet Shalev I., dhe Srulik E., të cilët përmenden në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me drejtuesen e Shërbimit Sekret, tregojnë arsyeshëm praninë e një rrjeti ndërkombëtar në funksion të interesave të grupit kriminal, rrjet ky që rrit shkallën konkrete të rrezikut se Hyseni, po të mbetej në gjendje të lirë, do të kishte akses të privilegjuar ndaj kanaleve të largimit apo të fshehjes që janë jashtë kontrollit efektiv të organeve proceduese.”, thuhet më tej në vendimin e GJKKO-së.
Por këto janë vetëm një pjesë e materialeve të përfshira në vendimin e GJKKO-së. Më herët janë zbardhur edhe komunikime të tjera mes Agasit dhe Hysenit, ku të dy shfaqen si persona me marrëdhënie të ngushtë deri në sentimentale. Në këto biseda, sipas materialeve të dosjes të poseduar nga ZËRI, ata diskutonin për zhvillime të ndryshme, nga lëvizjet në qeveri dhe takimet e Hysenit me kryeministrin, te persona që, sipas tyre, u donin të keqen. Po ashtu, në komunikime përmenden edhe informacione që Hyseni i përcillte Agasit lidhur me lëvizjet e SPAK-ut, në një kohë kur biznesmeni ndodhej në arrati.
Një ditë më parë, GJKKO la të pandryshuar masën e sigurisë "arrest shtëpie" për ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni. Kjo e fundit, kishte kërkuar nëpërmjet avokatëve të saj, vendosjene e një mase më të butë. Ish-drejtoresha e SHISH, në 'arrest shtëpie', është nën hetim për veprat penale që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe nxjerrjen e sekretit shtetëror ose të shërbimit. Hyseni akuzohet se i ka ofruar ndihmë Ergys Agasit gjatë kohës që ai ishte në arrati.
Në kuadër të hetimit në pranga kanë rënë edhe Fatjon Kalluçi, shef tek laboratori Shkencor i Policisë, si edhe Embro Sulejmani, kryekamerieri i lokalit te rezidenca qeveritare në Durrës, i cili dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit për të fshehur gjurmët e tij në këto ambiente. Në dorën e SPAK kanë rënë disa materiale sekrete të SHISH, ku 9 prej tyre janë gjetur në makinën e Agasit, në kuadër të kontrolleve në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Me urdhër të GJKKO kontrolle u kryen edhe në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda./ZËRI