TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për Leonard Dukën dhe Drianto Bardhin, të akuzuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes SPAK ka kërkuar në total 16 vite burg për dy të pandehurit.
Konkretisht për Leonard Dukën është kërkuar dënimi me 10 vite burg, ndërsa për Drianto Bardhin 6 vite burg. Sipas akuzës të dy dyshohen se kanë siguruar kushtet për ekzekutimin e Ervis Martinajt, i cili rezulton ende i zhdukur si dhe të Erigers Mihasit i vrarë në një atentat.
Çështja është pjesë e dosjes së njohur si “Revanshi” nga hetimet e së cilës u zbardhën mijëra komunikime të shkëmbyera përmes aplikacionit të enkriptuar Sky ECC. Këto komunikime përbëjnë një prej elementeve mbi të cilat është mbështetur hetimi i SPAK për ngjarjet dhe personat e përfshirë në këtë dosje.
Leonard Duka është dënuar më herët me 30 vite burg, si kreu i grupit kriminal që ekzekutoi ish-policin Santiago Malko i njohur si krahu i djathtë i Ervis Martinajt./ZËRI