Ekonomi

Miratohet eurobondi 650 mln euro, Rama: Më i suksesshmi! Bufi i kënetës në vaki elektorale

Ministria e Financave bën të ditur se Eurobond u emetua me me një normë interesi 5% dhe do të maturohet në Shkurt 2035.

F.I
Miratohet eurobondi 650 mln euro, Rama: Më i suksesshmi! Bufi i
Edi Rama

TIRANË-Qeveria ka emetuar zyrtarisht eurobondin e ri. Shqipëria ka marrë 650 mln euro borxh me afat shlyerje për 10 vjet. Ministria e Financave bën të ditur se Eurobond u emetua me me një normë interesi 5% dhe do të maturohet në Shkurt 2035. Një pjesë e parave janë kërkuar nga qeveria për të mbuluar deficitin buxhetor të parashikuar për vitin 2025, dhe pjesa tjetër për të rifinancuar Eurobondin e emetuar në 2018. Synimi është që eurobondi i ri të jetë me afat maturimi nga 5-15 vjet dhe me normë të favorshme interesi, që do t’i shërbente nevojave të vendit.

Një reagim ka ardhur edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se ky është emetimi më i rëndësishëm për Shqipërinë. Rama thotë se kjo tregon se të gjithë po i besojnë ekonomisë dhe financës së Shqipërisë. Kreu i qeverisë tha se Shqipëria tashmë është në një pozicion të ri në tregjet financiare ndërkombëtare ndërsa ironizoi opozitën dhe kreun e Partisë Demokratike Sali Berisha, duke thënë se në 11 maj do të marrë përgjigjen e merituar nga shqiptarët.


"Përshëndetje jam shumë i gëzuar se sapo u mbyll me sukses procesi Eurobondit 10-vjeçar, sapo morëm dritën jeshile se mund ta ndajmë këtë me opinionin publik. Ky ishte emetimi më i suksesshëm ndonjëherë sa i përket 3 gjërave. Së pari interesit të investitorëve të huaj, ofruan 4.3 herë më shumë se sa nevoja jonë. Madje gjatë ditës oferta vajti në 5.7 herë më shumë se sa nevoja jonë. Gjë që bëri të ulim normën e interesit për të larguar një pjesë të investitorëve. Ky mbulim më i larti i regjistruar në vendet e Europës qendrore dhe lindore që nga tetori 2024. Së dyti numri më i lartë i investitorëve me 159 të tillë të interesuarit. Së treti normë interesi më të ulët për Shqipërinë se sa për vendet si Serbia dhe Rumania për obligacionet 10 vjeçare. Në thelb ka vetëm një fjalë që i thotë të gjitha besim të Shqipëri, te ekonomia dhe te financat e Shqipërisë. E di që këneta politiko mediatike mbase s’do e japë fare, se po ju mban lidhur pas iluzioneve të bufit të kënetës, që në 11 maj do mbetet në një vaki shembullore elektorale. Por këta lajm s’mund ta ndaja me ju përpara se në konferencën e Sigurisë në Mynih, dhe për tu kthyer sepse na pret një betejë ekzemplare dhe fitore spektakolare,"-u shpreh Rama.

Norma fillestare e eurobondit ka qenë 5.5% thotë Ministria e Financave por për shkak të ofertës më të lartë se kërkesa pasi ishin 195 investitorë të interesuar për këtë emetim edhe norma e interesit është ulur.

Njoftimi i Ministrisë së Financave:

Më 11 shkurt 2025, Republika e Shqipërisë doli për herë të 7-të në tregjet e kapitalit, duke emetuar me sukses një Eurobond me vlerë 650 milionë euro. Ky Eurobond u emetua me një kupon 4.75% dhe me një normë interesi (yield) 5%. Instrumenti ka një jetëgjatësi 10-vjeçare dhe do të maturohet në Shkurt 2035.

Ky është emetimi më i suksesshëm i Republikës së Shqipërisë, që prej emetimit të parë në vitin 2010.
Suksesi i këtij emetimi i referohet disa aspekteve të rëndësishme dhe në radhë të parë kërkesës shumë të lartë të investitorëve, duke bërë të mundur një ulje të konsiderueshme të normës së interesit (yeild-it) përgjatë tregtimit me 50 pikë bazë, nga norma fillestare prej 5.5%.

Për vendin tonë, specifikisht mund të vlerësohet marzhi më i ulët se në çdo dalje në eurobond më parë, që përbën një element të rëndësishëm të normës së interesit, apo siç quhet në terminologjinë e tregjeve financiare “spread-i”.
Transaksioni tejet i sukseshëm i emetimit të Eurobondit 2025 nënvizon disa arritje kyçe të daljes së Republikës së

Shqipërisë, në tregjet e kapitalit, që janë:
• Raporti i mbulimit ndër më të lartët të arritur, prej 4.3 herë dhe më i larti ndër emetimet e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që nga tetori 2024;

• Marzhi (spread) më i ulët, kundrejt të gjitha obligacioneve të emetuara nga Republika e Shqipërisë;
• Diferencë e konsiderueshme e marzhit final prej 50 pikë bazë, në krahasim me momentin e shpalljes së transaksionit (në 5% nga 5.5%). Mesatarisht, prej 2019-ës, ky indikator për emetimet e obligacioneve 10-vjeçare për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore është 25-35 pikë bazë;

• Shpërndarje dhe diversifikim i gjerë gjeografik i investitorëve. Numri maksimal i investitorëve që shfaqën interes arriti në 195, duke u konsideruar, si emetimi që pati tërheqjen më të lartë të investitorëve të huaj.
• Krahasuar me emetimet e Evropës Qendrore dhe Lindore, emetimi i Republikës së Shqipërisë u mundësua me kushte financiare tepër të favorshme edhe pse me një vlerësim më të moderuar nga agjencitë ndërkombëtare, në krahasim me vende, si Serbia dhe Rumania.

Ministria e Financave, vlerëson se emetimi i Eurobondit ka një rëndësi të veçantë, jo thjesht vetëm për sigurimin e likuiditetit, por edhe sepse siguron prezencën e vendit tonë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit dhe mat besimin e investitorëve në obligacionet e emetuara nga shteti shqiptar. Kjo nënkupton kredibilitetit afatgjatë të ekonomisë shqiptare në tërësi dhe financave publike në veçanti.

Faktorët kryesorë të rritjes së kërkesës së investitorëve, uljes së normës së interesit dhe më specifikisht uljes së marzhit janë:

– Rritja e vlerësimit (credit rating) të Republikës së Shqipërisë, si ekonomi stabël duke reflektuar kështu nivelin e përmirësuar të treguesve makroekonomike, menaxhimin e kujdesshëm të financave publike, menaxhimin e duhur të borxhit shtetëror, si dhe duke rikonfirmuar rritjen e qëndrueshme ekonomike gjatë viteve të fundit.
– Vleresimet pozitive të institucioneve ndërkombëtare referencë, si FMN, Komisioni Evropian, etj..
– Përparimi në procesin e integrimit europian, gjë e cila ka rritur besimin e investitorëve në stabilitetin afatgjatë të Shqipërisë.

Gjatë prezantimeve, Ministria e Financave zhvilloi takime virtuale me 60 investitorë ndërkombëtarë, pjesëmarrja aktive e të cilëve konfirmoi edhe njëherë interesin e fortë dhe besimin e rritur ndaj reformave të qeverisë, si dhe objektivave drejt konsolidimit fiskal.

Ministria e Financave vlerëson se dalja e suksesshme në tregjet ndërkombëtare të kapitalit është një sinjal pozitiv sa i përket kredencialeve të Shqipërisë. Ne do të vijojmë të mbetemi të përkushtuar për një menaxhim afatmesëm të borxhit të orientuar drejt reduktimit të rreziqeve dhe uljes së kostove./ZËRI

Poll

MOS HUMB