TIRANË- Qeveria ka miratuar 300 kuota kredish të buta me normë interesi 0% për punonjësit e administratës publike, me qëllim lehtësimin e aksesit në financim dhe mbështetjen për strehim.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila sqaroi se përfituesit ndahen në disa kategori kryesore të administratës shtetërore, përfshirë Policinë e Shtetit, arsimin, shëndetësinë dhe forcat e armatosura.
Sipas vendimit, 70 kuota i janë ndarë Policisë së Shtetit, 70 arsimtarëve, 70 mjekëve dhe infermierëve, si dhe 70 ushtarakëve. Ndërkohë, 20 kuota të tjera do të përfitojnë punonjësit e Policisë së Burgjeve.
“Morëm vendim për administratën publike, miratuam kuotat e 300 kredive të buta me normë interesi zero. Përfitojnë Policia e Shtetit me 70 kuota, ajo e burgjeve me 20 kuota, arsimtarët me 70 kuota, mjekët me 70 kuota dhe ushtarakët po me 70 kuota. Miratuam dy ligje që vlejnë për rrugëtimin në BE. Kemi miratuar projektligjin për emëtuesit e titujve, i përafruar me direktivat europiane. Me Ministrinë e Arsimit kemi miratuar një projekt vendim për rritjen e masave të bursave për shkollat profesionale si dhe për ushqimin në shkolla”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.