TIRANË-Në Komisonin e Ekonomisë u diskutua tregu i siguracioneve në vend. Nga 1 janari 2025, siguracioni i makinave në Shqipëri do të ndryshojë sërish. Shoferët që kanë shkaktuar aksidente gjatë këtij viti do të paguajnë më shumë sigurim vitin e ardhshëm. Deputeti socialist Erion Braçe tha se AMF-ja bashkë me Konkurrencën po lejojnë një marrëveshje të jashtëligjshme në tregun e sigurimeve, në kurriz të qytetarëve.
Braçe u shpreh se është e pranuar edhe nga vetë institucionet si AMF apo Autoriteti i Konkurrencës që bëjnë ping-pong me kompetencat e tyre. Sipas tij skema e re të bonus-malus për sigurimin e makinave, favorizon kompanitë dhe jo qytetarët.
Erion Braçe: Nuk ndryshon asnjë gjë në këtë treg në harkun e këtyre viteve, të njëjtët operator, të njëjtat tarifa dhe të njëjtat probleme dhe barriera. Barriera kryesore në atë treg vjen nga operatorët, është ajo që kemi diskutuar këtu dhe ju e hodhët topin tek Autoriteti i Konkurrencës, nesër do të vijë Konkurrenca këtu dhe do e kalojë topin tek ju, se është top i nxehtë ai. Ndaj ikin investitorët e huaj, sepse ky treg nuk ka treg të lirë por një marrëveshje të paligjshme që është pranuar nga ju, nga autoriteti i Konkurrencës dhe pastaj edhe nga qytetarët. Aplikimi i sistemit bonus-malus prisja të prishte këtë marrëveshje të paligjshme. 3 vite e shënuar në ligj, 3 vite nuk u bë, se ju la në dorë kompanive zbatimi i bonus malus. Nuk e bëtë as ju, në një marrëveshje shumë të qartë me njëri tjetrin, ndërsa qytetarët vazhdojnë e paguajnë shtrenjtë. Akti që nuk keni nxjerrë nuk është model evropian, modeli italian është me 18 klasa jo me 3. Modeli italian si në bonus dhe në malus është shumë i shpejtë, për një vit pa aksidente ngjitesh një shkallë më lartë, ndërsa për një aksident bie dy më poshtë. Ku përputhet modeli jonë me Italinë, Spanjën apo Finlandën?
Në përgjigje drejtuesja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Mimoza Kaçi tha se zbatimi i ndëshkimit për shoferët problematik nis vitin e ardhshëm, dhe u shpreh se ka faktorë që mund të konsiderohen, por është një hap i madh. Drejtuesit e rregullt, marrin bonus vitin tjetër ose sigurim më të ulët, kurse drejtuesit ‘problematik’ do të marrin ‘malus’ ose sigurim më të lartë.
Mimoza Koçi, drejtuesja e AMF: Nuk ekziston një model që i përshtatet çdo vendi. Këto janë faktorë minimal që mund të konsiderohen por mund të zgjerohen më tej për çdo shoqëri. Mund të mos jetë perfekte por është hap i madh, për të ndryshuar perceptimin e qytetarëve që të tregojnë kujdes në drejtimin e mjeteve, pasi që në 1 janar 2026 do të hyjë në zbatim dhe bonusi dhe malusi. Nëse incidenca e dëmeve në nivel vendi është 3.8 do të thotë që 3.8% e drejtuesve do të penalizohen, ndërsa të tjerët do të marrin bonus, që do të luhatet.
Rregullorja e re për sigurimin e mjeteve hyri në fuqi në janar të këtij viti, duke marrë në konsideratë 7 faktorë risku që shtrenjtojnë siguracionin si fuqia motorike, mosha e shoferit, eksperienca e tij në drejtimin e makinës, përdorimi i mjetit, qarku i regjistrimit të mjetit dhe vjetërsia e makinës.