TIRANË- Eksportet shqiptare kanë një shënuar një rritje të lehtë gjatë muajit shkurt. Vlera e mallrave të eksportuara ka arritur në shifrëm e 30.9 miliardë lekë, ose 2.8% më shumë se një vit më parë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.
Po ashtu, bëhet me dije se importet vijojnë të mbeten më të larta. Në shkurt ato arritën në 68 miliardë lekë, me një rritje modeste prej 0.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Si rezultat, deficiti tregtar, diferenca mes importeve dhe eksporteve, mbeti i thellë në rreth 37.1 miliardë lekë, megjithëse pak më i ulët krahasuar me një vit më parë.
Rritja e eksporteve është ndikuar kryesisht nga minerale, lëndë djegëse dhe energjia elektrike, si edhe nga makineritë dhe pajisjet. Ndërsa në kahun tjetër, rënie kanë shënuar eksportet e ushqimeve, tekstileve dhe materialeve të ndërtimit.
Sa i përket importeve, rritja është nxitur kryesisht nga makineritë dhe pajisjet, ndërsa importet e energjisë dhe materialeve të ndërtimit kanë pasur ndikim negativ në total.
Bashkimi Europian mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, i cili zë 56% të totalit të shkëmbimeve. Rritja e eksporteve është orientuar drejt Kosovës dhe Gjermanisë, ndërsa rënie kanë shënuar tregjet tradicionale si Italia dhe Spanja.
Në anën e importeve, rritja më e madhe vjen nga Kina me afro 54% dhe Kosova me rreth 37%, ndërsa furnizimet janë tkurrur nga Turqia dhe Italia./ZËRI