TIRANË- Euro ka shënuar nivele historikisht të ulëta në raport me lekun, teksa ka vijuar rënien edhe gjatë kësaj jave. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha evropiane e mbylli javën me 96.46 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Kthimi i emigrantëve për festat e fundvitit janë një ndër faktorët kryesorë që ndikojnë gjatë kësaj periudhe. Ekspertët theksojnë se rënia lidhet kryesisht me ofertën e shtuar të valutës në treg, por ndryshe nga vitet e mëparshme, rënia vjetore e kursit është më e moderuar.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, euro ka humbur rreth 2.1 për qind të vlerës ndaj lekut. Sipas ekspertëve, stabilizimi relativ i kursit gjatë këtij vitit i atribuohet kryesisht ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë. Ekspertët vlerësojnë se pa ndërhyrjen e Bankës, kursi do të kishte rënë edhe më poshtë.
Banka Qendrore ka blerë sasi të konsiderueshme valute, rreth 800 milionë euro deri në fund të 9-mujorit 2025, për të frenuar rënien e mëtejshme të euros. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka njoftuar se për vitin 2026 do të rrisë blerjet e planifikuara të valutës, me synim forcimin e rezervës valutore.
Një faktor tjetër që ka ndikuar në forcimin e lekut është politika fiskale shtrënguese e qeverisë, e shoqëruar me suficit buxhetor. Megjithatë, shpenzimet e pritshme në fund të dhjetorit mund të sjellin një rritje të përkohshme të kursit të euros në ditët në vijim./ZËRI