Ekonomi

Rishikimi i ligjit “Për Nëpunësin Civil”: më shumë hapësira për rekrutimin nga sektori privat

Për shkak të mungesës së stafit të kualifikuar, projektligji parashikon që 1 në 2 punonjës të administratës të mund të rekrutohet nga jashtë shërbimit civil, krahasuar me limitin aktual prej 20%. Kjo do të rrisë mundësinë e rekrutimit të profesionistëve nga sektori privat, sidomos për pozicionet menaxheriale.

f.g
Rishikimi i ligjit “Për Nëpunësin Civil”: më
Foto ilustruese

TIRANE- Pas 12 vitesh në fuqi, qeveria po rishikon ligjin “Për Nëpunësin Civil”, duke parashikuar ndryshime që synojnë të tërheqin më shumë punonjës të kualifikuar nga sektori privat, të rishikojnë formulën e testimit për administratën dhe të ndryshojnë strukturën e pagës. Për shkak të mungesës së stafit të kualifikuar, projektligji parashikon që 1 në 2 punonjës të administratës të mund të rekrutohet nga jashtë shërbimit civil, krahasuar me limitin aktual prej 20%. Kjo do të rrisë mundësinë e rekrutimit të profesionistëve nga sektori privat, sidomos për pozicionet menaxheriale.

Ndryshimet përfshijnë gjithashtu procesin e testimit: ai nuk do të kryhet më nga DAP-i, por nga një Komision Kombëtar Testimi me 7 anëtarë, me mandat 5-vjeçar dhe përfaqësim nga qeveria, institucionet e pavarura dhe qeverisja vendore.

Sa i përket përgjegjësisë, nëpunësi civil do të mbrohet edhe kur shkakton dëme ndaj palëve të treta jo për faj të tij, duke përjashtuar rastet kur veprimi është personal. Për rastet e tjera, institucioni publik mbart përgjegjësinë për pagesën e dëmit, sipas nenit 33 të rishikuar.

Në aspektin e pagës, shtohet elementi i vjetërsisë së përgjithshme në punë, dhe vendoset shpërblimi vjetor mbi bazën e performancës, gjë që nuk ishte parashikuar më parë.

Lehtësohen edhe kushtet e transferimit të nëpunësve civilë për periudha më të gjata se 2 vjet, për nevojat e institucionit, shtetit, organizatave ndërkombëtare, qeverive të huaja ose institucioneve jashtë Shqipërisë, duke pasur parasysh perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Rregulla të reja parashikojnë gjithashtu mënyrën e zbatimit të vendimeve gjyqësore për largimet e padrejta nga puna. Në rast fitimi të gjyqit, nuk kërkohet pëlqimi i nëpunësit për pozicionin e ri, duke shmangur situata ku kandidati refuzon pozicionin e ofruar, pavarësisht nivelit të tij.

Gjithashtu, në rast se nëpunësi ka vazhduar punën në një pozicion tjetër deri në rikthimin në detyrë, do të përfitojë vetëm diferencën ndërmjet pagës së mëparshme dhe pagës aktuale, dhe vetëm nëse paga e mëparshme ishte më e lartë.

Përveç këtyre, shtohet një mekanizëm disiplinor përpara largimit nga puna: përveç pezullimit të ngritjes në detyrë dhe mbajtjes së një pjese të pagës deri në gjashtë muaj, propozohet edhe paralajmërimi i punonjësit para largimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB