Ekonomi

Turistët nga Kosova dhe Italia vijojnë të mbajnë “fronin”, SHBA dhe Polonia me rritjen më të shpejtë

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se hyrjet nga Kosova arritën në 1,269,643 në pesë muajt e parë të vitit 2026, me një rritje prej 9.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Redaksia Zëri
Turistët nga Kosova dhe Italia vijojnë të mbajnë
foto ilustruese

TIRANË- Turistët nga Kosova vijojnë të mbajnë peshën kryesore të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri gjatë periudhës janar-maj.

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se hyrjet nga Kosova arritën në 1,269,643 në pesë muajt e parë të vitit 2026, me një rritje prej 9.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Italia renditet e dyta me 464,465 hyrje, duke shënuar një rritje prej 16.3%. Përveç shqiptarëve me rezidencë në Itali, vendi po tërheq gjithnjë e më shumë edhe turistë italianë që zgjedhin vizita të shkurtra. Turizmi kulturor, agroturizmi dhe oferta kulinare janë ndër segmentet që po fitojnë terren në këtë treg.

Nga vendet fqinje, Maqedonia e Veriut ra me 3.2%, në 298,500 hyrje, Mali i Zi ra me 4.3%, në 284,520 hyrje, ndërsa Greqia u rrit me 1.6%, në 290,764 hyrje.

Mbretëria e Bashkuar regjistroi 123,363 hyrje, ose 15.5% më shumë se një vit më parë. Franca shënoi një rritje prej 14.2%, ndërsa hyrjet nga Shtetet e Bashkuara u rritën me 28.2%, në 73,212.

Interesi nga tregu francez është reflektuar edhe në kontrata garancie me operatorë turistikë. Ndërkohë, nga Shtetet e Bashkuara po rritet jo vetëm numri i turistëve afatshkurtër, por edhe i pensionistëve dhe nomadëve digjitalë, të cilët e përfshijnë Shqipërinë në planet e tyre për shkak të kostos konkurruese të jetesës.

Polonia regjistroi një nga normat më të larta të rritjes, me 66,897 hyrje, ose 55.8% më shumë se në pesëmujorin e parë të vitit 2025. Vizitorët polakë, së bashku me çekët, mbeten ndër grupet më tradicionale të turizmit të organizuar, duke udhëtuar prej më shumë se një dekade me paketa “all inclusive”, kryesisht drejt zonës së Golemit.

Në kahun tjetër, Gjermania regjistroi 109,592 hyrje, në rënie me 9.1%, ndërsa Turqia shënoi një ulje prej 6.7%. Edhe Serbia regjistroi më pak hyrje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vetëm gjatë muajit maj, hyrjet e shtetasve të huaj arritën në 1,143,595, nga 987,077 në maj 2025. Vizitorët nga Kosova përbënin 32.3% të totalit, me 368,815 hyrje, ndërsa Italia renditej e dyta me 120,344 hyrje dhe një peshë prej 10.5% të totalit.

Në total, Shqipëria regjistroi 3.7 milionë hyrje të shtetasve të huaj gjatë pesëmujorit janar-maj 2026, ose 8.2% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025./Monitor

Poll

MOS HUMB