FRANCË- Biznesmeni Ermal Beqiri në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për skandalin e tenderave të AKSHI-t, do të vijojë të qëndrojë në burg në Francë pasi Gjykata e Apelit në Amiens ka rrëzuar kërkesën e tij për lirim. Vendimi u mor një ditë më parë (23 tetor) nga Dhoma e Hetimeve e Gjykatës së Apelit në Amiens, e cila shqyrtoi në themel kërkesën për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Lidhur me kërkesën për ekstradimin drejt Shqipërisë, mbrojtja e biznesmenit ka vënë në pikëpyetje si formën, ashtu edhe përmbajtjen e dokumentacionit të paraqitur nga autoritetet shqiptare. Avokati i Beqirit, Nicolas Paganelli, i ka cilësuar dokumentet si të paplota dhe joserioze, duke argumentuar se ato nuk ofrojnë garanci të mjaftueshme.
Gjatë mbrojtjes së tij, vetë Beqiri ka pretenduar se nëse ka pasur korrupsion, përgjegjësia qëndron te shteti shqiptar.
“Nëse kam korruptuar dikë, është shteti. Por nga kjo anë, askush nuk është në burg. Gjithsesi, këtu ka një problem. Kjo çështje është thjesht politike”, citohet të ketë deklaruar biznesmeni, sipas medias franceze Courrier Picard.
Avokati i përgjithshëm në Gjykatën e Amiens ka mbështetur qëndrimin se ekstradimi duhet të realizohet, duke theksuar se vlerësimi i sistemit gjyqësor shqiptar nuk është kompetencë e Dhomës së Hetimeve.
Beqiri në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për skandalin e tenderave të AKSHI-t u arrestua në korrik nga forcat ajrore franceze, pasi u konstatua duke pilotuar një avion të vogël mbi centralin bërthamor në Penly në Seine-Maritime. Lidhur me shkeljen ai u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh. TEksa biznesmeni ndohet në qeli në Francë, Ministria e Drejtësisë Shqiptare ka njoftuar zyrtarisht se i ka përcjellë dokumentacionin për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiraj autoriteteve franceze.
Në njoftimin zyrtar për arrestimin e Beqirit, SPAK bëri me dije se hetimet e zhvilluara në Francë zbuluan pasuri të dyshuara me origjinë kriminale, ndërsa kontrollet dhe verifikimet financiare do të vijojnë edhe për identifikimin e aseteve të tjera. Konkretisht bëhet fjalë për një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, llogari bankare, apartamente dhe mjete motorike.
ZËRI ndau pamje nga kështjella 'Château d'Auteuil', një rezidencë e ndërtuar në shekullin XVI, e cila raportohet se ka përfituar gjithashtu fonde nga Bashkimi Evropian dhe autoritetet lokale franceze për restaurimin dhe zhvillimin e saj si destinacion turistik, ndërsa është përfshirë edhe në guidat e Figaro Magazine si një nga rezidencat historike të rekomanduara për akomodim në Francë.
Në Shqipëri janë sekuestruar një sërë pasurish, mes tyre prona në Green Coast në Vlorë, pasuri në zonën e "Hoxha Tasim" dhe Rolling Hills në Tiranë, një apartament në Golem, jahti "Skyfall", disa automjete, llogari bankare, si edhe aksione në shoqëri tregtare./ZËRI