TIRANË- Detaje të reja kanë dalë nga grabitja me armë zjarri e filialit të Raiffeisen Bank në zonën e Komunës së Parisit, ngjarje e ndodhur një ditë më parë, 2 nëntor. Një person i maskuar hyri në ambientet e bankës dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit ka kryer grabitjen, duke marrë rreth 60 mijë euro.
Grabitja zgjati vetëm rreth tre minuta, ndërsa nga hetimet paraprake dyshohet se autori nuk ka vepruar i vetëm. Hetuesit kanë ngritur dyshime për përfshirjen e një personi tjetër, i cili mendohet se ka vëzhguar bankën përpara kryerjes së grabitjes. Sipas dyshimeve të hetuesve, autori kishte dijeni për vendndodhjen e saktë të parave, çka ka ngritur pikëpyetje në lidhje me mundësinë e ndihmës nga persona të tjerë. Megjithatë, deri tani nuk ka prova që e lidhin personin e dyshuar me ngjarjen.
Ndërkohë, një tjetër pistë që po verifikohet është mundësia që i njëjti person të ketë kryer edhe grabitjen e një banke tjetër në muajin qershor. Bëhet fjalë për një grabitje në të njëjtën zoën, shumë pranë vendit të ngjarjes së djeshme, pasi në të dyja rastet, autori ka humbur gjurmët në të njëjtin vend.
Grabitja e djeshme ndodhi rreth orës 10:45. Burime për ZËRI-n bënë me dije se autori me kokore në kokë sapo ka hyrë i ka drejtuar armën rojes së bankës për ta bllokuar që mos të bëj lëvizje dhe pasi ka marrë paratë dhe ka dalë jashtë, ka marrë monopatinën dhe është nisur drejt stadiumit Dinamo.
“Raiffeisen bank" ka qenë në qendër të vëmendjes mes skandaleve e gjyqeve për abuzime me kreditë, hakerimeve dhe zhvatjeve ndaj llogarive bankare të klientëve apo duke rënë pre e vjedhjes nga punonjësit e vetë bankës./ZËRI