'Ne tatojmë të mëdhenjtë', Rama rendit 10 pikat e Pakestës Fiskale: Taksë për vila e mjete luksoze, hiqet për karburantet

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka prezantuar gjatë një komunikimi me qytetarët në rrjete sociale 10 pikat e Paketës Fiskale 2027. Rama e ka nisur prezantimin me uljen e TVSH-së për ushqimet bazë, nga 20% në 6%. Sipas kreut të qeverisë kjo lëvizje do shtojë në arkën e familjeve shqiptare rreth 150 mln euro në vit për ushqimin. Më tej Rama deklaroi se tatimi mbi dividentin do të jetë nga 8% në 15%.
Po ashtu taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër do të hiqet nga nafta dhe do të paguhet bashkë me taksat e automjetit. Rama bëri të ditur gjithashtu se do të krijohet Byroja e Specializuar për kontrollin e të ardhurave dhe deklarimin e pasurisë. Sa i përket uljes së pragut të aplikimit të TVSH-së për çdo biznes me xhiro vjetore 5 milionë lekë, Rama deklaroi se kjo vjen pasi nuk mund të lejohet që bizneset e vogla të shërbejnë si guaska për bizneset e mëdha për t’u fshehur. Taksë e re është vendosur edhe për apartamentet bosh, vilat në bregdet dhe makinat luksoze.
Ndryshemt e reja do të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2017.
Edi Rama: Ulim normën e TVSH-së për ushqimet bazë, nga 20% në 6%. Vetëm me këtë lëvizje, ne shtojmë në arkën e familjeve shqiptare rreth 150 mln euro në vit për ushqimin. Praktika për pasqyrën e çmimeve do të zgjerohet, për të garantuar që shporta të jetë e mbrojtur nga abuzuesit e mëdhenj. Nuk rrisim normën e tatim-fitimit të sipërmarrjes, që ngel 15%. Ne tatojmë të mëdhenjtë me normën më të lartë për Ballkanin Perëndimor. Sot rrisim edhe tatimin mbi dividendin e tyre. Duke shkuar nga 8% në 15%, i taton biznesmenët e mëdhenj me një taksë më të ndershme.
Ulim barrën tatimore. Këtë lëvizje nuk na e lejonte ekonomia deri dje. Sot rritja e ekonomisë na jep mundësinë. Vendosim një prag të ri tatimi, ku norma e tatimit bëhet 30%. Në radhë të parë, si një instrument për t’i mbyllur shtegun evazionit të dividendit. Ndërkohë qëndron i paprekur zotimi ynë publik.
Taksa zero për fitimin e biznesit të vogël deri në vitin 2029. Ka ardhur koha e një sistemi të ri taksimi të ekonomisë digjitale, duke nisur nga ata që jetojnë shumë mirë me like e follow. Paralelisht po punohet edhe për disa masa të reja që shkojnë po në këtë drejtim. Solidaritet me ata që e ndiejnë më shumë presionin e rritjes së kostove të jetesës. Një supertaksë prone për ata që blejnë dhe mbajnë apartamente bosh, duke refuzuar t’i japin me qira. Një supertaksë prone për vilat në bregdet. Edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre dhe një çmim i shumëfishuar për ujin e pishinave. Kjo shkon në një tjetër ligj. Do të ketë dhe një supertaksë për makinat e luksit.
Rama: Super taksë për apartamentet bosh

TIRANË-Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se me paketën e re fiskale që hyn në fuqi në janarin e vitit 2027, qeveria ka parashikuar një taksim të ri për të gjithë ata që kanë në pronësi më shumë se një apartament, të cilin nuk e lëshojnë në treg me qira. Në daljen e sotme për buxhetin dhe protestën, Rama tha se kjo super taksë do të vlejë edhe për ata që kanë vila në bregdet.
“Supertaksë prone për ata që blejnë dhe apartamente bosh, pa i dhënë me qira. Është e drejta e tyre por duhet të paguajnë njësoj sic po bëhet në disa vende të Evropës. Një super taksë prone për vilat në bregdet, edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre. Edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre dhe një çmim i shumëfishuar për ujin e pishinave. Kjo shkon në një tjetër ligj. Do të ketë dhe një supertaksë për makinat e luksit. Pranë Ministrisë së Financave do të krijohet edhe Byroja e Specializuar për kontrollin e të ardhurave.”-tha Rama, në një dalje pas kërkesave të studentëve dhe të rinjve që denoncojnë çmimet abuzive të qirave dhe apartamenteve.
A do të japë efekt zbutës kjo masë? Mbetet për tu parë!
'Ky mish-mash s'ka lidhje me popullin', Rama: Kjo turmë nuk jep mandate, do jem në krye deri në fund
TIRANË-Kryeministri Edi Rama në një komunikim me qytetarët në rrjete sociale ka komentuar sërish protestat e studentëve në Tiranë. Edhe sot Rama akuzoi protestuesit për dhunë dhe sulme ndaj policisë, duke deklaruar se janë një turmë që nuk ka lidhje me popullin dhe të flasin në emër të tij.
Kreu i qeverisë iu përgjigj edhe thirrjes së protestuesve për dorëheqjen e tij, teksa deklaroi se do të qëndrojë në detyrë deri në ditën e fundit të mandatit të marrë nga qytetarët.
Edi Rama: Ne nuk e duam më këtë qeveri, jep dorëheqjen, bindju popullit’. Ky mish-mash që ka marrë peng Tiranën, nuk ka asnjë lidhje me popullin dhe s’ka asnjë autorizim të flasë në emër të popullit. As kjo turmë e verbër dhe askush tjetër nuk jep mandate, përveç sovranit popull. Kjo është e vërteta në demokraci. Liria dhe e drejta e tyre, e të gjithë atyre që duan t’i imponojnë mendjet, kërkesat dhe bindjet, mbaron aty ku nis liria dhe e drejta e të tjerëve. Ky kufi e ndan ligjin e bashkëjetesës politike nga ligësitë e dhunës. Këtë kufi e kapërcyen me dhunë fashistët dhe komunistët, në emër të popullit. Çfarë sollën për popullin dhe çfarë sollën për vendin, e dimë mirë që të gjithë. Ose të paktën ata që dinë historinë dhe nuk ngatërrojnë Ismail Qemalin me Ismail Kadarenë. Do jem në krye të detyrës deri në fund të mbarimit të kontratës time.
Pavarësisht deficitëve demokratike që ka kultura jonë e bashkëjetesës ku të gjithë kemi pjesën e fajit. As civilizimi europian nuk kanë asgjë të përbashkët me përmbajtjen vulgare të këtij sulmi të dhunës gjuhësore, Ku siç thotë popull gjuha kocka s’ka por kocka thyen. Madje me ndihmën e vipave po djeg automate dhe po thyen banka. Mes pafundësisë së dritave të hijeve të realiteti tonë kam parë se sa më e kthjellët është Shqipëria që nuk përfaqësohet nga kjo turmë dhe as nga ekranet e korruptuara televizive…të tërë këta në rrugën e ekranit thonë se duan kokën time, por unë në fakt me shumicën që qeveris jam pengesa më e madhe mes tyre dhe asaj shumice që e lufton korrupsionin dhe krimin me një drejtësi të pavarur dhe që po negocion me BE, mbylljen e kapitujve të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027. Unë do jem në krye të detyrës time deri në ditën e fundit të kontratës që ma kanë besuar njerëzit e Shqipërisë.
Çfarë pritet nga 1 Janari? Qeveria mblidhet sot për miratimin e Paketës Fiskale dhe Buxhetit 2027!
TIRANË- Këshilli i Ministrave pritet të mblidhet sot për të miratuar Paketën Fiskale dhe Buxhetin për vitin 2027, ndërsa pas votimit nga Qeveria do të kalojnë përmes procedurave parlamentare dhe të votohen në Kuvend.
Sipas deklarimeve të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Grupit të PS, Taulant Balla, Buxheti 2027 parashikohet të arrijë në rreth 10 miliardë euro, duke shënuar nivelin më të lartë ndoënjherë në Shqipëri.
Paketa Fiskale 2027 parashikon një sërë ndryshimesh tatimore që do të prekin drejtpërdrejt qytetarët dhe bizneset.
Një nga masat e propozuara është ulja e TVSH-së për produktet e shportës ushqimore nga 20% në 6%, me synimin për të lehtësuar kostot e familjeve. Ndërkohë që nga 1 janari 2027, cigaret dhe produktet e tjera që përmbajnë duhan apo nikotinë pritet të përballen me rritje të akcizës.
Në të njëjtën kohë, sipas projektligjit të propozuar, parashikohet rritja e normës së përgjithshme të TVSH-së nga 20% në 21%, që pritet të shtrenjtojë produktet dhe shërbimet.
Bizneset do të përballen me rritjen e tatimfitimit në 17% nga 15% që është aktualisht. Rritje do të ketë edhe tatimi mbi dividendët që për momentin është 8% duke shkuar në 15% nga viti i ardhshëm. Gjithashtu, duke nisur nga 1 janari, qeveria ka propozuar se pragu për TVSH-në të ulet nga 10 milionë lekë të reja që është aktualisht, në 5 milionë lekë të reja.
Ndryshime parashikohen edhe në tatimin mbi të ardhurat nga pagat. Pragu për aplikimin e normës 23% propozohet të rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë. Ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj, parashikohet një normë e re tatimi prej 32%.
Ndërkohë, Paketa Fiskale 2027 ka sjellë reagime dhe kundërshtime nga organizata të bisnesit, të cilat paralajmërojnë se rritja e taksave do të ketë pasoja, pasi sipas tyre, do të shtojë presionin mbi çmimet dhe do të ndikojë te investimet dhe punësimi./ZËRI
Bizneset kundër Paketës Fiskale 2027: ALARM për taksat, rriten çmimet dhe rrezikohen vendet e punës
TIRANË- Paketa Fiskale 2027 që pritet të zyrtarizohet nga qeveria parashikon ulje të TVSH-së së çmimeve me 6%, por nga ana tjetër, rëndohet biznesi. Paketa Fiskale 2027 ka sjellë reagime dhe kundërshtime nga organizata të bisnesit, të cilat paralajmërojnë se rritja e taksave do të ketë pasoja, pasi sipas tyre, do të shtojë presionin mbi çmimet dhe do të ndikojë te investimet dhe punësimi.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë shpreh shqetësim serioz për masat fiskale të paralajmëruara për vitin 2027. Ajo kërkon pezullimin e rritjeve tatimore dhe hapjen e menjëhershme të një dialogu real me komunitetin e biznesit. Sipas DHTI, kjo paketë vjen në momentin më të gabuar. Karburantet po shtrenjtohen, kostot e prodhimit mbeten të larta dhe rënia e euros po gërryen të ardhurat e eksportuesve dhe të turizmit. Ekonomia ka nevojë për një paketë fiskale nxitëse, jo për barrë të re.
DHTI kërkon pezullimin e ndryshimeve që rrisin normat tatimore, deri në përfundimin e një konsultimi real me biznesin, publikimin zyrtar të paketës, së bashku me analizën e plotë të ndikimit të çdo mase, ruajtjen e normave aktuale të tatimit mbi fitimin, të TVSH-së standarde dhe të pragut të TVSH-së, si dhe rishikimin e propozimeve për dividendin dhe turizmin.
Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” kundërshton gjithashtu paketën fiskale të propozuar për vitin 2027. Në një reagim publik, Shoqara ngre shqetësimin se rritja e taksave do të shtojë presionin mbi çmimet. Shoqata kundërshton çdo ndryshim në paketën fiskale që hartohet pa konsultim real dhe transparent me komunitetin e biznesit, duke theksuar se ndryshimet që prekin sipërmarrjen kërkojnë dialog paraprak, vlerësim të ndikimit dhe kohë të mjaftueshme për përshtatje.
"Paketa e re fiskale pritet të rrisë barrën tatimore për bizneset, duke lënë më pak fonde për investime dhe duke shtuar presionin mbi çmimet. Parashikohet rritja e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17% dhe e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%. Norma e përgjithshme e TVSH-së pritet të rritet nga 20% në 21%, ndërsa norma e reduktuar për turizmin nga 6% në 10%. Ulja e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë qarkullim vjetor do të përfshinte më shumë biznese të vogla në këtë skemë, duke u shtuar detyrimet për deklarim dhe administrim. Shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” kundërshton fuqimisht çdo ndryshim në paketën fiskale që hartohet pa konsultim real dhe transparent me komunitetin e biznesit. Ndryshimet që prekin sipërmarrjen kërkojnë dialog paraprak, vlerësim të ndikimit dhe kohë të mjaftueshme për përshtatje. Zëri i sipërmarrjes duhet të dëgjohet përpara çdo vendimmarrjeje me karakter ekonomik" thuhet në reagim.
Shoqata "ProEksport Albania", gjithashtu ka kundërshtuar Paketën Fiskale 2027 dhe kërkon që qeveria të konsultohet me biznesin përpara se të miratojë ndryshimet. ProEksport Albania kërkon reflektim institucional dhe hapjen e menjëhershme të tryezave teknike të konsultimit, duke shtuar se nuk kundërshtojnë reformat fiskale, por vendimet që merren pa vlerësuar pasojat reale mbi prodhimin, eksportet dhe punësimin.
“Propozimet e reja të Paketës Fiskale 2027 kërkojnë një diskutim serioz me përfaqësuesit e biznesit përpara miratimit të tyre. Kërkojmë që të mos përsëritet praktika e vendimmarrjeve të njëanshme, siç ka ndodhur në vitet e mëparshme, pa një konsultim real dhe pa analizuar ndikimin në sektorët prodhues.
Rritja e propozuar e tatimfitimit nga 15% në 17% dhe pothuajse dyfishimi i tatimit mbi dividendin, nga 8% në 15%, përbëjnë një barrë shtesë për sipërmarrjet. Ndërkohë, lehtësimi i tatimit mbi pagat nuk prek segmentin e pagave minimale dhe të mesme të ulëta, ku përqendrohet pjesa më e madhe e punonjësve të industrisë sonë dhe ku, sipas nesh, ndërhyrja ishte më e nevojshme.
Pyetja jonë është e thjeshtë: Ku janë politikat mbështetëse për industrinë prodhuese të veshjeve dhe këpucëve?
Prej vitesh ky sektor përballet me zhvlerësimin e euros, rritjen e kostove, reduktimin e kapaciteteve prodhuese dhe humbjen e vendeve të punës. Në vend të masave që nxisin investimet, automatizimin, digjitalizimin dhe kalimin drejt prodhimit me vlerë të shtuar, po diskutojmë rritje të mëtejshme të barrës fiskale.
Shoqata ProEksport Albania, si organizata përfaqësuese e vetme e industrisë së veshjeve dhe këpucëve, një sektor që ka mbi 50 mijë të punësuar, kërkon reflektim institucional dhe hapjen e menjëhershme të tryezave teknike të konsultimit.
Nuk jemi kundër reformave fiskale, por kundër vendimeve që merren pa vlerësuar pasojat reale mbi prodhimin, eksportet dhe punësimin.
Institucionet duhet të kuptojnë se një sektor që prej kohësh ndodhet në vështirësi serioze ekonomike nuk ka nevojë për rëndim të mëtejshëm të situatës, por për politika që garantojnë mbijetesën, transformimin dhe konkurrueshmërinë e tij", thuhet në komunikatë.
Çfarë parashikon Paketa Fiskale 2027?
Paketa Fiskale 2027 synon të ulë TVSH-në për ushqimet në 6%, teksa aktualisht është 20%. Ndërkohë që nga 1 janari 2027, cigaret dhe produktet e tjera që përmbajnë duhan apo nikotinë pritet të përballen me rritje të akcizës. Sipas projektligjit të propozuar parashikohet rritja e normës së përgjithshme të TVSH-së nga 20% në 21%. Bizneset do të përballen me rritjen e tatimfitimit në 17% nga 15% që është aktualisht. Rritje do të ketë edhe tatimi mbi dividendët që për momentin është 8% duke shkuar në 15% nga viti i ardhshëm. Gjithashtu, duke nisur nga 1 janari, qeveria ka propozuar se pragu për TVSH-në të ulet nga 10 milionë lekë të reja që është aktualisht, në 5 milionë lekë të reja. Ndryshime parashikohen edhe në tatimin mbi të ardhurat nga pagat. Pragu për aplikimin e normës 23% propozohet të rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë. Ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj, parashikohet një normë e re tatimi prej 32%. /ZËRI