LIVE UPDATES

Nga ulja e TVSH-së për ushqimet te rritja e taksave për bizneset e pagat e larta, çfarë parashikon Paketa Fiskale 2027? Rama: Nesër flet qeveria

♦Paketa Fiskale 2027 që pritet të zyrtarizohet nga qeveria parashikon ulje të TVSH-së së çmimeve me 6%, por nga ana tjetër, rëndohet biznesi. ♦Aktualisht TVSH për ushqimet është 20%, do të ulet në 6%. ♦Ndërkohë, nga 1 janari 2027 cigaret dhe produktet e tjera që përmbajnë duhan apo nikotinë pritet të përballen me rritje të akcizës. ♦Sipas projektligjit të propozuar parashikohet rritja e normës së përgjithshme të TVSH-së nga 20% në 21%. ♦Nga ana tjetër, bizneset do të përballen me rritjen e tatimfitimit në 17% nga 15% që është aktualisht. ♦Rritje do të ketë edhe tatimi mbi dividendët që për momentin është 8% duke shkuar në 15% nga viti i ardhshëm. ♦Gjithashtu, duke nisur nga 1 janari, qeveria ka propozuar se pragu për TVSH-në të ulet nga 10 milionë lekë të reja që është aktualisht, në 5 milionë lekë të reja. ♦Ndryshime parashikohen edhe në tatimin mbi të ardhurat nga pagat. ♦Pragu për aplikimin e normës 23% propozohet të rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë. ♦Ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj, parashikohet një normë e re tatimi prej 32$. ♦Paketa Fiskale 2027 ka sjellë reagime dhe kundërshtime nga organizata të bisnesit. ♦Ndërkohë, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikave dhe ka paralajmëruar se qeveria do të bëjë të ditur qëndrimin e saj për masat e reja fiskale ditën e nesërme, me miratimin e buxhetit të vitit 2027. 

6 artikuj për këtë temë.
15 ORE ME PARE

Akciza për duhanin rritet nga 1 janari, cigaret dhe produktet me nikotinë drejt shtrenjtimit deri në vitin 2033

Nga ulja e TVSH-së për ushqimet te rritja e taksave për bizneset
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Nga 1 janari 2027 cigaretdhe produktet e tjera që përmbajnë duhan apo nikotinë pritet të përballen me rritje të akcizës, sipas ndryshimeve të propozuara në paketën e re fiskale. Plani i Ministrisë së Financave parashikon një rritje graduale të taksës përgjatë shtatë viteve deri në vitin 2033 duke përfshirë edhe duhanin me ngrohje dhe lëngjet e përdorura në cigaret elektronike.

Për cigaret akciza propozohet të rritet nga niveli aktual prej 7,750 lekësh për 1,000 fije në 8,100 lekë në vitin 2027. E përkthyer në një paketë me 20 cigare, kjo do të thotë rreth 7 lekë më shumë akcizë për paketë, vetëm nga rritja e taksës specifike. Çmimi përfundimtar për konsumatorët do të varet edhe nga TVSH-ja dhe vendimet e kompanive të duhanit për çmimet e shitjes.

Rritja nuk do të ndalet në vitin e ardhshëm. Sipas kalendarit të propozuar, akciza për cigaret do të arrijë në 8,450 lekë për 1,000 fije në vitin 2028 dhe në 8,800 lekë në vitin 2029. Nga viti 2030, skema parashikon edhe një komponent shtesë të llogaritur mbi çmimin e shitjes me pakicë. Kjo përqindje do të nisë në 2% dhe do të rritet gradualisht deri në 5% në vitin 2033, krahas taksës fikse.

Ndryshimet prekin edhe alternativat ndaj cigareve të zakonshme. Për duhanin me ngrohje, akciza propozohet të nisë nga 9,450 lekë për kilogram në vitin 2027 dhe të arrijë në 13,650 lekë në vitin 2033. Ndërsa për lëngjet që përmbajnë nikotinë dhe përdoren në cigaret elektronike, taksa parashikohet të rritet nga 24 lekë për mililitër në vitin 2027 në 48 lekë në vitin 2033, duke u dyfishuar brenda kësaj periudhe.

Në skemën e re përfshihen gjithashtu produkte të tjera, si duhani për përdorim oral, produktet për thithje pa djegie dhe përzierjet e përdorura në shisha apo nargjile. Përmes këtij kalendari qeveria synon të rrisë gradualisht barrën fiskale mbi një gamë më të gjerë produktesh të duhanit dhe nikotinës.

Megjithatë, rritja e akcizës nuk përkthehet automatikisht në të njëjtën masë rritjeje të çmimeve në dyqane. Shtrenjtimi real do të varet nga mënyra se si prodhuesit dhe importuesit do të reflektojnë kostot e reja në çmimet e shitjes.

Ndryshimet janë pjesë e paketës fiskale të propozuar dhe parashikohet të nisin më 1 janar 2027, ndërsa kalendari i rritjeve shtrihet deri në vitin 2033./ZËRI

15 ORE ME PARE

“Nesër e ka radhën qeveria”! Rama u përgjigjet kritikëve: Buxheti 2027 kalon 10 miliardë euro

Nga ulja e TVSH-së për ushqimet te rritja e taksave për bizneset
EDI RAMA

TIRANË- Kryeministri i vendit Edi Rama ka paralajmëruar se qeveria do të bëjë të ditur qëndrimin e saj për masat e reja fiskale ditën e nesërme, me miratimin e buxhetit të vitit 2027. Përmes një postimi në platformën X ai ka reaguar ndaj kritikave për ndryshimet e propozuara, duke i cilësuar diskutimet e deritanishme si të bazuara në dokumente pune të paplota.

Rama e ka vënë theksin te përmasat e buxhetit të ardhshëm, duke deklaruar se ai do të jetë i pari në historinë e vendit që kalon pragun e 10 miliardë eurove. Krahas kësaj kryeministri e ka cilësuar paketën e rishpërndarjes së rritjes ekonomike si më ambiciozen deri më tani.

Reagimi vjen në një kohë kur ndryshimet e propozuara fiskale kanë nxitur diskutime për ndikimin që mund të kenë te bizneset dhe qytetarët. Megjithatë në postimin e tij kreu i qeverisë nuk ka dhënë detaje konkrete mbi masat që do të përfshihen në buxhet, por ka paralajmëruar se qëndrimi zyrtar do të bëhet i qartë ditën e nesërme.

Në mesazhin e tij, Rama ka përdorur tone të ashpra ndaj kritikëve, duke i akuzuar për mungesë informacioni të plotë dhe duke theksuar se qeveria do të flasë përmes buxhetit të ri.

“Flisni flisni për masat e reja fiskale, grijeni sallatën tuaj të urrejtjes dhe padijes me dokumente pune të dalë gjysma-gjysma, se nesër e ka radhën qeveria të thotë fjalën e saj me miratimin e buxhetit të parë në histori që kalon pragun e 10 miliardë Eurove dhe paketës më ambicioze të rishpërndarjes së rritjes ekonomike”, shkruan Rama./ZËRI

16 ORE ME PARE

Në 'valën' e protesta qeveria del me 'Paketën Fiskale 2027': Ulet taksa e ushqimeve, por rëndohet biznesi

Nga ulja e TVSH-së për ushqimet te rritja e taksave për bizneset
foto ilustruese

TIRANË-Teksa vendi është përfshirë nga protestat, ku shqiptarët presin ndryshime në politikë, arsim, shëndetësi e transport, në ekonomi qeveria ka ndërmarrë hapin e radhës dy muaj larg nga viti 2027 me paketën fiskale 2027. Në nismën e re veçohet propozimi lidhur me uljen e TVSH-së për produktet ushqimore, ku nga 20% të ulet 6%. Ndryshimi përfshin produkte të shportës ushqimore, si: buka dhe mielli, qumështi dhe kosi natyral, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi, peshku bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqeri dhe ushqimet bazë për foshnja. 

Por teksa TVSH e ushqimeve ulet, taksa për familjarët dhe bizneset rritet, ku sipas projektligjit të propozuar parashikohet rritja e normës së përgjithshme të TVSH-së nga 20% në 21%. Me këtë ndryshim bizneset mund ta transferojnë një pjesë të kostos te konsumatorët përmes çmimeve më të larta.

Gjithashtu duke nisur nga 1 janari qeveria ka propozuar se pragu për TVSH-në të ulet nga 10 milionë lekë të reja që është aktualisht, në 5 milionë lekë të reja për xhiron vjetor. Ky ndryshim pritet të përfshijë rreth 17 mijë e 516 tatimpagues të rinj, të cilët do të duhet të zbatojnë rregullat e TVSH-së.

Ndërkohë tatimi mbi fitimin, për bizneset dhe kompanitë propozohet të rritet nga 15% në 17%. Këto ndryshime mund të rrisin kostot administrative dhe barrën fiskale për disa biznese. Në varësi të sektorit dhe mundësisë për t'i përballuar kostot, disa biznese mund të zgjedhin të rrisin çmimet, të ulin shpenzimet ose të shkurtojnë numrin e punonjësve.

Për shembull, nëse një kompani ka 10 milionë lekë fitim të tatueshëm në vit, me tatim 15%, paguan 1.5 milionë lekë. Ndërkohë me tatim 17%, paguan 1.7 milionë lekë, do të paguajë 200 mijë lekë më shumë në vit.

Paralelisht pas 8 vitesh në fuqi qeveria ka vendosur të rrisë dividentin për bizneset. Nga 8% që u vendos me paketën fiskale të vitit 2019, qeveria e rrit përsëri në 15% me paketën fiskale të 2027-ës. Dividendi është pjesa e fitimit që pronari vendos të tërheqë nga kompania. Nëse rritet tatimi mbi dividendin, pronarit i mbeten më pak para kur e shpërndan fitimin.

Për shembull nëse pronari vendos të tërheqë 1 milion lekë dividend nga kompania me tatimin 8%: Shteti merr 80 mijë lekë dhe i mbeten 920 mijë lekë. Ndërsa me tatimin 15%: shteti merr 150 mijë lekë dhe i mbeten 850 mijë lekë./ZËRI

19 ORE ME PARE

Gjykata e Tiranë liron 12 protestues dhe i lë në 'detyrim paraqitje', vijon seanca për 10 të tjerët (EMRAT)

Nga ulja e TVSH-së për ushqimet te rritja e taksave për bizneset
pamje nga protesta e kaluar

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë "detyrim paraqitje" për 12 nga 22 protestuesit e arrestuar gjatë protestave, të cilët dolën sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Për 12 protestuesit, Gjykata e vlerësoi arrestimin e ligjshëm, por ndaj tyre vendosi "detyrim paraqitje".

Në "detyrim paraqitje" u lanë: Mario Shitka, Erti Zhilla, Redon Hoxha, Brahim Omenaj, Eugen Neziri, Leon Neziri, Xhulio Meçani, Rexhep Kuçaj, Elsard Nxh(e)çi, Arbër Elezi, Admirand Ballolli dhe Orked Shaqiri.

Ndërkohë, mësohet se seanca po vijon për 10 protestuesit e tjerë, për të cilët pritet të bëhet vlerësimi i arrestimit dhe caktimi i masës së sigurisë ndaj tyre.

Protestuesit u arrestuan pas akteve të dhunës gjatë protestave, të shoqëruara me sulme ndaj efektivëve të Policisë, institucioneve, bizneseve dhe bankave. Ata akuzohen për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja e manifestimeve të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Sot mbahet protesta e 15-të e studentëve, ndërsa kryeministri Edi Rama i ka ftuar sërish në dialog. Kërkesa e Ramës është refuzuar disa herë nga qytetarë e studentë, ndërsa kreu i qeverisë ka veçuar se ftesa për dialog nuk është për dhunuesit, teksa ka prezantuar dhe paketën anti-dhunë ku parashikohet ashpërsim i dënimeve./ZËRI

19 ORE ME PARE

Paketa fiskale 2027: Bizneset me xhiro mbi 5 mln lekë në vit do të tatohen, ndryshon tatimi mbi pagën

Nga ulja e TVSH-së për ushqimet te rritja e taksave për bizneset
foto ilustruese

TIRANË-Paketa Fiskale 2027 pritet të sjellë një sërë ndryshimesh në sistemin e taksave. Duke nisur nga 1 janari qeveria ka propozuar se pragu për TVSH-në propozohet të ulet nga 10 milionë lekë të reja që është aktualisht, në 5 milionë lekë të reja për qarkullim vjetor.

Sipas këtij ndryshimi të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë të reja do të duhet të regjistrohen në skemën e TVSH-së. Sipas relacionit ky ndryshim pritet të përfshijë rreth 17 mijë e 516 tatimpagues të rinj, të cilët do të duhet të zbatojnë rregullat e TVSH-së.

“Në nenin 11 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 953/2014 përcaktohet kufiri minimal i regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, i cili prej janar 2021 është 10 (dhjetë) milionë lekë, me përjashtim të personave të tatueshëm, që ofrojnë shërbime sipas profesioneve të tilla, si: noter, përmbarues gjyqësor shtetëror dhe privat, kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në së të cilëve është zero, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre"- thuhet në relacion. 

Ndërkohë individët që kanë paga mujore bruto mbi 200 mijë lekë pritet të lehtësohen nga barra e tatimit prej 23%. Kjo normë do të aplikohet për pagat nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë ndërsa për të ardhurat mbi 700 mijë lekë në muaj propozohet për herë të parë  një normë e re prej 32%.

Në nenin 24 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1 ndryshohet si më poshtë:

“1. Të ardhurat e tatueshme nga punësimi tatohen me normat progresive të mëposhtme:

Baza tatimore vjetore Norma tatimore

0 – 3 240 000 lekë 13%

3 240 001 – 8 040 000 lekë 23%

Mbi 8 040 000 lekë 32%”

2. Pika 3 ndryshohet si më poshtë:

“3. Të ardhurat nga investimi tatohen me normën 15%.”

Parapagimi i tatimfitimit bëhet zyrtarisht detyrim tatimor i zbatueshëm me procedura mbledhjeje me forcë, ndërsa pasqyrat financiare do të dorëzohen vetëm në QKB dhe do të merren automatikisht nga tatimet.

1 DITE ME PARE

Paketa fiskale, TVSH 6% për ushqimet, 10% për turizmin, norma e përgjithshme rritet në 21%

 

Nga ulja e TVSH-së për ushqimet te rritja e taksave për bizneset
foto ilustruese

 

TIRANË-Për herë të parë në Shqipëri synohet të aplikohet një TVSH e reduktuar për ushqimet e shportës ushqimore. Me paketën fiskale 2027, qeveria propozon që TVSH-ja për këto produkte të ulet nga 20% në 6%, duke përfshirë produkte të shportës ushqimore,  si: buka dhe mielli, qumështi dhe kosi natyral, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi, peshku bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqeri dhe ushqimet bazë për foshnja.

Lista e detajuar e produkteve që do të përfitojnë nga norma e reduktuar parashikohet të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndryshimet e propozuara synojnë uljen e çmimeve të produkteve ushqimore, një kërkesë e vazhdueshme e prodhuesve vendas të mallrave të konsumit dhe importuesve.

Ndryshimet janë propozuar në projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar”.

“Ulja e shkallës së TVSH-së për produktet ushqimore në 6% shihet si një instrument pozitiv për të lehtësuar barrën tatimore mbi konsumin bazë dhe për të përmirësuar përballueshmërinë e këtyre produkteve nga ana e familjeve shqiptare”, theksohet në relacionin e projektligjit.

Por, krahas lehtësimit të propozuar për produktet e shportës ushqimore, projektligji parashikon rritjen e normës së përgjithshme të TVSH-së nga 20% në 21%.

“Rishikimi i shkallës standarde të tatimit mbi vlerën e shtuar, nëpërmjet përcaktimit të saj në masën 21%, synon të balancojë efektin negativ në të ardhurat buxhetore si rrjedhoje e aplikimit të shkallës së reduktuar të TVSH-së për produktet ushqimore bazë, duke mundësuar kështu bazë të qëndrueshme të të ardhurave publike për të përballuar detyrimet buxhetore dhe për të mbështetur financimin e shërbimeve publike, investimeve dhe prioriteteve të zhvillimit ekonomik”, vlerësohet në relacion.

Ndryshime parashikohen edhe për sektorin e turizmit, ku norma e TVSH-së propozohet të rritet nga 6% në 10%. Prej vitit 2017 për sektorin e turizmit aplikohet norma e reduktuar e TVSH-së prej 6%.

Miratimi dhe zbatimi i këtij projektligji parashikohet të sjellë efekte financiare negative në buxhetin e shtetit, konkretisht rreth 1,6 miliardë lekë.

Efekti nga rritja e shkallës standarde të TVSH-së në 21%, vlerësohet pozitiv, rreth 10,6 miliardë lekë. Efekti nga ulja e shkallës së TVSH-së për produktet e shportës në 6%, vlerësohet negativ, rreth 12,8 miliardë lekë. Ndërsa, efekti nga rritja e shkallës së reduktuar të TVSH-së për sektorin e turizmit në 10 %, vlerësohet pozitiv, rreth 614 milionë lekë.

Kontabilistët pohuan për Monitor se rritja e përgjithshme e TVSH do të prekë shumë sektorë, përfshirë transportin, të materialeve të ndërtimit dhe të turizmit.

Projektligji dhe relacioni për ndryshimet e shkallës së TVSH

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 92/2014, ‘PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË’, I NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1 dhe 155, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat si më poshtë:

Neni 1

Në nenin 48 “Shkalla standarde”, togfjalëshi “…20 për qind.” zëvendësohet me togfjalëshin “…21 për qind.”.

Neni 2

Në nenin 49 “Shkallët e reduktuara” bëhen ndryshimet dhe shtesa si më poshtë:

Në pikën 3, togfjalëshi “…6 për qind.” zëvendësohet me togfjalëshin “…10 për qind.”.
Në pikën 4, togfjalëshi “…6 %…” zëvendësohet me togfjalëshin “…10 %…”.
Në pikën 5, togfjalëshi “…6 për qind…” zëvendësohet me togfjalëshin “…10 për qind…”.
Pas pikës 10, shtohet pika 11 me këtë përmbajtje:
“11. Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e produkteve ushqimore, si bukë dhe miell; qumësht dhe kos natyral; vezë; oriz; makarona; vaj ushqimor; mish pule; mish viçi/derri; peshk bazë; fruta të freskëta; perime të freskëta; bishtajore; sheqer; ushqime bazë për foshnja, është 6 për qind. Lista e detajuar e produkteve ushqimore përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 3

Në nenin 146 “Objekti i skemës së kompensimit”, pika 3, hiqet togfjalëshi “…, me shkallë standarde 20 për qind”.

Neni 4

Në nenin 155/3 “Pagesa e TVSH-së”, pika 2, hiqet togfjalëshi “Deri më 31 dhjetor 2026…”.

Neni 5

Pas nenit 155/3 “Pagesa e TVSH-së”, shtohet neni 155/4 me përmbajtje si më poshtë:

“Neni 155/4

Afati i zbatimit

Regjimi i veçantë për Bursën Shqiptare të Energjisë, sipas këtij seksioni, zbatohet deri në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”.

 Neni 6

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2027.

1.Aplikimi i një shkalle të reduktuar të TVSH-së prej 6% për produktet ushqimore:

Produktet ushqimore janë pjesë e domosdoshme e konsumit të përditshëm të familjeve dhe përbëjnë shpenzime që nuk mund të shmangen. Për këtë arsye, ndryshimi i çmimeve të këtyre produkteve ndikon drejtpërdrejt në buxhetin familjar dhe në aftësinë e familjeve për të përballuar nevojat bazë ushqimore.

Aplikimi i një shkalle të reduktuar të TVSH-së prej 6% për produktet ushqimore synon të ulë barrën tatimore mbi këtë kategori konsumi dhe të kontribuojë në përmirësimin e fuqisë blerëse të konsumatorëve, veçanërisht të familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Duke qenë se TVSH-ja përfshihet në çmimin përfundimtar të produkteve, ulja e shkallës tatimore krijon premisa për uljen e çmimeve të shitjes nga subjektet që operojnë në sektorin ushqimor. Pavarësisht aplikimit të shkallës së reduktuar të TVSH-së, subjektet tatimpaguese gëzojnë të drejtën e plotë të zbritjes së TVSH-së së paguar për mallrat dhe shërbimet në funksion të aktivitetit të tyre të tatueshëm.

Kjo masë merr rëndësi të veçantë edhe në aspektin social, pasi familjet me të ardhura më të ulëta priren të shpenzojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre për plotësimin e nevojave bazë ushqimore. Në këto kushte, ulja e shkallës së TVSH-së për produktet ushqimore në 6% shihet si një instrument pozitiv për të lehtësuar barrën tatimore mbi konsumin bazë dhe për të përmirësuar përballueshmërinë e këtyre produkteve nga ana e familjeve shqiptare.

Ndryshimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së për shërbimet e akomodimit, hotelerisë me status special dhe agroturizmit në 10 %:
Prej vitit 2017 e në vijim, sektori i turizmit ka përfituar nga një sërë masash lehtësuese fiskale, me synim nxitjen e zhvillimit të tij, siç  është edhe aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së prej 6% për kategoritë e mëposhtme të furnizimeve:

-furnizimi i shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit.

-çdo furnizim shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese “Hotel/Resort me pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”.

-furnizimi i shërbimit të akomodimit dhe restorantit, me përjashtim të pijeve, nga strukturat që zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit.

Duke marrë në konsideratë zhvillimin dhe maturitetin aktual të sektorit të turizmit, si dhe nevojën për të garantuar një raport më të ekuilibruar ndërmjet mbështetjes fiskale për bizneset dhe të ardhurave të buxhetit të shtetit, është vlerësuar rishikimi i shkallës aktuale të TVSH-së për këtë sektor, nga 6 për qind në 10 për qind. Rritja e propozuar synon të kontribuojë jo vetëm në të të ardhurat buxhetore, por edhe të ruajë njëkohësisht trajtimin mbështetës për këtë sektor.

Gjithashtu, krahasuar me vendet e rajonit që e kanë të zhvilluar sektorin e turizmit, norma e reduktuar e TVSH-së, është mbi 9 për qind, konkretisht Italia aplikon një shkallë të reduktuar prej 10 për qind, Greqia dhe Kroacia, përkatësisht prej 13 për qind, ndërsa Mal i ZI, se fundmi e ka rritur atë në 15 për qind.

Po kështu, referuar misionit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, është rekomanduar rishikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së prej 6% për shërbimet e akomodimit. Sipas analizës së kryer nga FMN, ka rezultuar se përfitimi fiskal mund të jetë përthithur kryesisht nga operatorët ekonomikë, në formën e të ardhurave shtesë, pa krijuar domosdoshmërisht një nxitje të re për turistët.

Zhvillimi i sektorit të turizmit në Shqipëri përgjatë viteve të fundit nuk mund t’i atribuohet vetëm politikës së shkallës së reduktuar të TVSH-së, pasi rritja e aktivitetit turistik ka nisur edhe përpara zbatimit të kësaj mase dhe është ndikuar nga faktorë të tjerë, si për shembull përmirësimi i infrastrukturës dhe rritja e përgjithshme e kërkesës turistike.

Në vijim të sa më sipër, propozohet rritja e shkallës së reduktuar të TVSH-së nga 6% në 10%. Kjo masë synon të kontribuojë në rritjen e të ardhurave buxhetore,  dhe përmirësimin e konkurrencës.

Ky propozim, nuk bie ndesh as me Direktivën e Këshillit Evropian 2006/112/EC mbi sistemin e përbashkët të tatimit mbi vlerën e shtuar, e ndryshuar, referuar përcaktimeve në nenin 98 dhe aneksin III të saj.

Ndryshimi i shkallës standarde të TVSH-së, në masën 21%:
Rishikimi i shkallës standarde të tatimit mbi vlerën e shtuar, nëpërmjet përcaktimit të saj në masën 21%, synon të balancojë efektin negativ në të ardhurat buxhetore si rrjedhoje e aplikimit të shkallës së reduktuar të TVSH-së për produktet ushqimore bazë, duke mundësuar kështu bazë të qëndrueshme të të ardhurave publike për të përballuar detyrimet buxhetore dhe për të mbështetur financimin e shërbimeve publike, investimeve dhe prioriteteve të zhvillimit ekonomik.

Gjithashtu, ky propozim mbështetet mbështetet edhe në eksperiencën e vendeve evropiane, ku shkalla standarde e tatimit mbi vlerën e shtuar e aplikuar varion nga 17-27%.  Ndërsa në vendet e rajonit, kjo shkallë varion nga 17-21%.

Ky propozim vijon të jetë në përputhje me Direktivën e Këshillit Evropian 2006/112/EC mbi sistemin e përbashkët të tatimit mbi vlerën e shtuar, e ndryshuar, e cila përcakton detyrimin për aplikimin e një shkalle standarde të TVSH-së, të shprehur si përqindje e vlerës së tatueshme, jo më e ulët se 15%.

Ndërkohë, në funskion të harmonizimit me këtë ndryshim, propozohet njëkohësisht edhe heqja e togëfjalëshit “20 për qind” në përmbajtje të pikës 3, të nenit 146 të ligjit./Monitor

MOS HUMB