Procesi i Berlinit/ Nënshkruhen marrëveshjet nga 6 liderët e Ballkanit Perëndimor

BERLIN- Takimi i sotëm në kuadër të Procesit të Berlinit është mbyllur me nënshkrimin e 2 marrëveshjeve. Nën kujdesin e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryekomisioneres së BE, Ursula von der Leyen, 6 liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor u rreshtuan në tavolinën ovale për të firmosur marrëveshjet. E para ka lidhje me lëvizjen e lirë, ndërsa tjetra tek lëvizshmëria e studentëve në vendet e Ballkanit.
Kjo marrëveshje do të lehtësojë aksesin e barabartë të studentëve nga vendet e rajonit për të studiuar në institucione të akredituara të arsimit të lartë./ZËRI
VD- Rama "në të thella" me Von der Leyen, takim kokë më kokë mes Orban dhe Kurtit

BERLIN- Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga momenti kur po shkrepej fotoja familjare nga samiti i Procesit të Berlinit. Fillimisht, Rama shoqërohet dhe flet për diçka me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Më pas, pasi shkrepin foton, Rama kërkon një takim "kokë më kokë" mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Hungarisë, Victor Orban.
MOMENTI ME VIDEO:
Samiti i Berlinit, Kurti: Kosova do të lejojë lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës nga 1 janari

BERLIN- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha nga Samiti i Berlinit, se prej 1 janarit të ardhshëm, Kosova do të lejojë lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Qytetarët e të dy vendeve duhet të pajisen me viza për të lëvizur në dy vendet.
Kurti tha se ky projekt do të sjellë përparime të rëndësishme në rajon dhe mes dy vendeve.
“Ndërsa entiteti i Republikës Sërpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime - të cilën vendi im ka qenë i pari në rajon që e ka ratifikuar në Parlament - unë kam vendosur t'i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, në mënyrë të njëanshme, do të lejojë lëvizjen e lirë për mbajtësit e letërnjoftimeve të Bosnje e Hercegovinës. Lidhshmëria është thelbësore për Procesin e Berlinit”, tha Kurti.
Procesi i Berlinit, i cili u themelua dhjetë vite më parë, ka për qëllim mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimornë rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe promovimin e iniciativave rajonale./ZËRI
Rama për Reuters: Gjermania të gjejë tjetër partner për emigrantët

BERLIN- Kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë një interviste për agjencinë “Reuters” nga Berlini ka folur edhe për çështjen e emigrantëve ku ka përjashtuar çdo mundësi që marrëveshja me Italinë, të bëhet edhe me ndonjë shtet tjetër, përfshirë edhe Gjermaninë. Në intervistën e tij, Rama u shpreh se Shqipëria kishte një marrëveshje me Italinë për të pranuar refugjatët, pasi kështu ndihmon në frenimin e emigracionit të parregullt në vendet e Bashkimit Europian.
I pyetur nëse një marrëveshje e tillë ishte e mundur edhe me Gjermaninë, ai tha se aktualisht Shqipëria nuk ka kapacitet të mjaftueshëm, por shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të shihen si një zgjidhje për këtë fenomen.
"Është një fenomen me të cilin Europa duhet të përballet më mirë shpejt sesa vonë. Duhet të kemi një politikë dhe një strategji të përbashkët e të mos lëmë që kjo çështje të bëhet çështje e përditshme e nxitjes së frikës në çdo vend për të marrë vota. Gjermania duhet të gjejë një partner tjetër sepse Shqipëria ka lidhje me Italinë dhe nuk mund ta bëjë këtë me të gjithë, ndërsa të tjerët mund të përfshihen. Edhe nëse Gjermania gjen një partner tjetër në rajon do të ishte mirë të shihej nëse funksionon me të njëjtën mënyrë sepse e përsëris; është gjeografia. Ata nuk do të ndalen në Itali, por do të vazhdojnë të ndalen në bregun e Shqipërisë dhe në Ballkan. Pra, Ballkani është një vend shumë strategjik, shumë i rëndësishëm,"-tha në fjalën e tij Rama.
Po ashtu, kryeministri shqiptar Edi Rama foli edhe për një marrëveshje e zgjeruar e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sot, kancelari gjerman Olaf Scholz ka mbledhur për bisedë Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në të dhjetën e të ashtuquajturave negociata të Procesit të Berlinit që u nisën në 2014 me synimin për të integruar rajonin në politika më të përputhshme me BE-në./ZËRI
Samiti i Berlinit, Von der Leyen: Koha për të parë të ardhmen me partnerët e Ballkanit Perëndimor

BERLIN- Sot shënon 10 vjet nga nisma e Procesit të Berlinit. Kryeministri Edi Rama dhe krerët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor ndodhen në Berlin për të marrë pjesë në 10-vjetorin e Samitit. Gjithashtu e pranishme në Samitin e Berlinit është dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Von der Leyen shkruan se sot do të shihen arritjet e Ballkanit Perëndimor dhe së bashku ata do të shohin nga e ardhmja.
“Është 10 vjetori i Procesit të Berlinit. Është mirë të jemi në Berlin me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, të shikojmë arritjet tona në të shkuarën, por veçanërisht të shohim përpara, drejt një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Bashkimit tonë”, shkruan Von der Leyen.

Liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur sot në Gjermani për 10-vjetorin e nismës së Porcesit të Berlinit. Ky takim do të mbahet nga kancelari gjerman Olaf Scholz, ku përveç liderëve të Ballkanit Perëndimor do të jenë të pranishëm edhe ata evropianë, si dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në këtë takim vendi ynë do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama.
Sipas agjendës së publikuar, pritet që liderët të mbajnë një konferencë për shtyp rreth orës 14:00, pas drekës. Deri më tani bëhet me dije se Scholz dhe Von der Leyen do të flasin rreth arritjeve të Samitit, por nuk ka informacion nëse krerët shtetërorë do të mbajën konferenca të tjera për shtyp, për të folur rreth qëllimeve të tyre. /ZËRI
10 vite Procesi i Berlinit/ Scholz: E kaluara nuk duhet të pengojë Serbinë dhe Kosovën

BERLIN- Gjatë hapjes së samitit të Procesit të Berlinit të hënën, 14.10. në Berlin, kancelari gjerman, Olaf Scholz lavdëroi përparimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunimin rajonal. Ai vuri theks të veçantë në kontributin e Kosovës dhe e përgëzoi për arritjet e fundit në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).
"Dëshiroj të përgëzoj Kosovën për kontributin që ka dhënë së fundmi. Diplomacia e marrëveshjes së CEFTA-s është një arritje e madhe për bashkëpunimin rajonal”, theksoi Scholz.
Procesi i Berlinit, i cili u themelua dhjetë vite më parë, ka për qëllim mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimornë rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe promovimin e iniciativave rajonale. Scholz theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për të përballuar sfidat ekonomike dhe sociale. Kancelari njoftoi nënshkrimin e dy dokumenteve të rëndësishme që do ta lehtësojnë jetën e njerëzve në rajon: Ne do të nënshkruajmë dy dokumente që do ta lehtësojnë jetën e përditshme të njerëzve. Një plan të ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal dhe një marrëveshje për aksesin në mundësitë e studimit, e cila do të zgjerojë mobilitetin e studentëve.
Në fjalimin e tij, Scholz iu referua gjithashtu tensioneve të vazhdueshme midis Serbisë dhe Kosovës dhe u bëri thirrje të dy vendeve që të mos e shohin të kaluarën si një pengesë për të ardhmen evropiane.
"Ne të gjithë e dimë se sa shumë rajoni juaj ende ndikohet nga konfliktet e së kaluarës.Por tani është koha që sytë të drejtohen drejt të ardhmes. Ne kemi nevojë për një dinamikë të re dhe një proces normalizimi midis Serbisë dhe Kosovës.”
Scholz theksoi se zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura më parë është çelësi për një integrim të suksesshëm në Evropë: Unë mbetem i bindur se e ardhmja është në Bashkimin Evropian. Ekziston vetëm një rrugë që të çon atje, dhe kjo është zbatimi i plotë i marrëveshjeve që ju keni arritur tashmë.
Në përfundim të fjalës së tij, kancelari theksoi rolin e Procesit të Berlinit si një platformë për zgjidhjen e konflikteve dypalëshe dhe lavdëroi angazhimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për paqen dhe bashkëpunimin: Është një angazhim i qartë për të zgjidhur çështjet dypalëshe dhe për t'u pajtuar në mënyrë paqësore. Për këtë qëndron Procesi i Berlinit. Scholz ritheksoi se do të vazhdojë të qëndrojë personalisht përkrah vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe do t'i mbështesë ato në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian./DW
DW: Procesi i Berlinit dhe konflikti i pazgjidhur midis Serbisë dhe Kosovës

Aleksandra Tomaniç drejton European Fund for the Balkans, një fondacion rajonal me seli në Beograd. Kur planifikon një aktivitet në Sarajevë, ajo duhet të mendohet dy herë, para se të ftojë edhe pjesëmarrës nga Kosova. "Për kosovarët, udhëtimi është i ndërlikuar dhe kërkon shumë kohë, pasi ata duhet fillimisht të udhëtojnë në Shkup për të aplikuar për vizë. E njëjta gjë vlen edhe për boshnjakët që duan të udhëtojnë në Kosovë", thotë Tomaniç pa e fshehur zhgënjimin që regjimi i vizave mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës është ende në fuqi.
Ndërkohë që dy vjet më parë dukej se gjërat do të përmirësoheshin: Në nëntor të vitit 2022, krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia – nënshkruan tri marrëveshje mobiliteti, ku ranë dakord për lëvizje të lirë me karta identiteti, njohjen e diplomave universitare dhe disa kualifikime profesionale. Deri më sot, zbatimi i këtyre marrëveshjeve ka ngecur. "Kjo nuk është premtimi i vetëm i pambajtur i Procesit të Berlinit," thotë Tomaniç.
Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 me nismën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kishte shpallur më parë një "pauzë zgjerimi". Merkel, e cila ishte e shqetësuar se kjo do të sillte destabilizimin e rajonit, i ftoi qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një konferencë në Berlin. Pjesëmarrës ishin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe dhjetë vende të BE-së: Përveç Gjermanisë, merrnin pjesë edhe Austria, Franca, Italia, Polonia, Bullgaria, Greqia, Kroacia dhe Sllovenia, si edhe Britania e Madhe, e cila ishte pjesë e BE-së.
Që nga viti 2014, janë mbajtur samite vjetore në qytete të ndryshme evropiane si Vjena, Londra, Parisi, Trieste, Poznani, Sofja, Berlini dhe së fundmi Tirana. Çdo vit, vendet pritëse shtonin nga një prioritet të vetin, i cili shoqërohej me nga një ministerial. Ndërkohë numri i ministerialeve dhe takimeve tematike është shumë i madh. Sot, organizohen ministeriale vjetore për bashkëpunim ekonomik, shkëmbime rinore, siguri, digjitalizim, energji të gjelbër, bujqësi, ministerial për romët dhe ministerial për çështjet gjinore. Takimi i dhjetë po mbahet sërish në Berlin. Samitit në zyrën e kancelarit Olaf Scholz, më 14 tetor, i kanë paraprirë një sërë takimesh në forume të ndryshme dhe në nivele të ndryshme ku janë diskutuar këto dhe tema të tjera.
Ruajtja e perspektivës së anëtarësimit në BE
Analisti gjerman nga Berlini, Bodo Weber, sheh një ndikim pozitiv nga takimet e përvitshme të këtij procesi. "Takimet e rregullta të liderëve dhe ministrave janë bërë normalitet," thotë ai në një intervistë për DW. Kjo ka ndihmuar që perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së të mbetet e gjallë. Por ai konstaton se Procesi i Berlinit nuk i ka stabilizuar marrëdhëniet rajonale në mënyrë të përhershme. "Serbia, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndjek ende një politikë agresive rajonale, e cila bazohet në konceptin e 'Srpski svet'," thotë Weber. Ky koncept nacionalist, që promovohet nga krahu nacionalist i udhëheqjes serbe, synon të bashkojë serbët në vende të ndryshme të Ballkanit, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.
Bilanci i Aleksandra Tomanic është kritik: "Dhjetë vjet pas themelimit të tij, Procesi i Berlinit lë ende një përshtypje të improvizuar," thotë ajo. Edhe pse ka formate dhe takime të shumta, mungojnë rezultatet konkrete dhe shumë nga marrëveshjet e arritura nuk janë zbatuar. "Ngjashëm me procesin e zgjerimit të BE-së, dështimi më i madh mbetet dimensioni politik i bashkëpunimit, i cili është lënë pas dore," thekson Tomanic.
Shumë probleme në Procesin e Berlinit nuk diskutohen për të arritur kompromise. "Në Serbi, strukturat demokratike vazhdojnë të degradohen dhe presidenti Vuçiç po përdor konfliktin me Kosovën për të forcuar kontrollin e tij politik," kritikon Tomanic. Vuçiç nuk lejon që kritikët e regjimit nga vende të tjera të hyjnë në vend dhe ka dobësuar median dhe lirinë e shprehjes. Ajo është e zhgënjyer që pikërisht në Procesin e Berlinit nuk po diskutohen probleme të tilla: "Me rëndësi për liderët është të prodhojnë një tjetër 'foto familjare' që jep përshtypjen e suksesit."
Por ka edhe suksese: Përveç heqjes graduale të tarifave të roaming-ut për internetin dhe thirrjet telefonike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, RYCO, Zyra e Shkëmbimit dhe Bashkëpunimit Rinor, konsiderohet një nga projektet shembullore të Procesit të Berlinit. Deri më sot ajo ka bashkuar 31.000 të rinj nga rajoni.
Veç kësaj, BE-ja, e cila është një nga partneret kryesore të Procesit të Berlinit, ka vënë në dispozicion të Ballkanit Perëndimor 30 miliardë euro, rreth gjysma e tyre janë investuar tashmë në projekte infrastrukture, energjie dhe digjitalizimi.
Por projekti kryesor i procesit të Berlinit: Tregu i Përbashkët Rajonal, mbetet ende jo funksional. Shkak është konflikti i pazgjidhur midis Serbisë dhe Kosovës.
Marrëveshja e tregtisë së lirë CEFTA
Në dhjetëvjetorin e tij, Procesi i Berlinit synon të arrijë një marrëveshje të re: CEFTA. Marrëveshja rajonale e tregtisë së lirë do të lidhë më ngushtë vendet e Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët të BE-së. Në fakt, marrëveshja nuk është shumë e re, sepse të gjitha vendet e rajonit janë anëtare të saj, përfshirë edhe Kosovën, e cila deri tani përfaqësohej nga UNMIK-u. Rinënshkrimi i marrëveshjes i jep mundësi Kosovës të përfaqësohet në CEFTA nga qeveria e saj.
Pak para samitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu nënshtrua presionit të të dërguarit të posaçëm gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin, dhe hapi pikën e Merdarës për të lejuar aty kalimin e mallrave serbe. Bllokada e importeve nga Serbia ekziston që nga qershori 2023. Qeveria e Kosovës kishte deklaruar se kësisoj donte të ndalte kontrabandën e armëve nga Serbia në Kosovë. Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, në takimin përgatitor të ministrave të Jashtëm, e quajti këtë një "hap historik" për rajonin. Por a do të implementohet marrëveshja CEFTA në të gjitha vendet e rajonit? "Letra është një gjë, por veprat janë diçka tjetër", tha Baerbock para gazetarëve dhe shtoi se " ne çdo ditë i vlerësojmë për këtë partnerët e këtij procesi". /DW
10 vjet nga Procesi i Berlinit, Scholz mbledh liderët e Ballkanit në Gjermani

BERLIN- Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen sot në Gjermani për 10-vjetorin e nismës së Porcesit të Berlinit. Ky takim do të mbahet nga kancelari gjerman Olaf Scholz, ku përveç liderëve të Ballkanit Perëndimor do të jenë të pranishëm edhe ata evropianë, si dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në këtë takim vendi ynë do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama. po ashtu do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të 5 vendeve tjera ballkanike.
Sipas agjendës së publikuar, në orën 09:30, kancelari Scholz do të presë zyrtarisht përfaqësuesit dhe më pas në orën 10:00 do të bëhet hapja zyrtare e Samitit të Berlinit, po nga kancelari. Pritet që disa marrëveshje të nënshkruhen gjatë sesionit të dytë të takimit.
Gjithashtu pritet që liderët të mbajnë një konferencë për shtyp rreth orës 14:00, pas drekës. Deri më tani bëhet me dije se Scholz dhe Von der Leyen do të flasin rreth arritjeve të Samitit, por nuk ka informacion nëse krerët shtetërorë do të mbajën konferenca të tjera për shtyp, për të folur rreth qëllimeve të tyre.
Në qendër të samitit qëndron nënshkrimi i një marrëveshjeje që përfshin shkëmbimin e studentëve dhe lehtësimin e qasjes në institucionet arsimore të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo marrëveshje synon të thjeshtojë njohjen reciproke të kualifikimeve akademike dhe diplomave universitare, duke lehtësuar mobilitetin e studentëve dhe mundësitë e tyre për të studiuar në universitetet e vendeve të tjera të rajonit.
Gjithashtu, pritet të miratohet një plan i ri veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal, i cili synon të harmonizojë standardet sociale dhe të punës, si dhe të lehtësojë qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve brenda rajonit. Burime nga qeveria gjermane kanë raportuar se një çështje tjetër që do të diskutohet është zhbllokimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), që pritet të përforcojë më tej bashkëpunimin tregtar në rajon.
Samiti i fundit i Proçesit të Berlinit u mbajt në Tiranë më 16 tetor 2023, kjo shënoi herën e parë që ky samit u mbajt jashtë vendeve të Bashkimit Europian. Asokohe u nënshkrua marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, veterinerëve, farmacistëve dhe mamive në kontekstin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore, (CEFTA). Po ashtu u arrit marrëveshja e 'Roaming', ku prej datës 1 Tetor 2023, çmimet e “Internetit Roaming” mes Europës dhe Ballkanit Perëndimor u ulën mesatarisht deri në 99%. /ZËRI