Zhvendoset protesta: "Breshëri" gurësh tek Kryeministria, protestuesit thyejnë dritaret dhe derën e Kryesisë së Kuvendit
TIRANË- Prej dy orësh, protesta është zhvendosur përpara Kryeministrisë, ku kanë nisur tensionet. Protestuesit kanë shkulur pllakat e trotuarit dhe godasin me gurë drejt policisë, ndërsa efektivët nga ana tjetër, përgjigjen me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Situata mbetet e tensionuar, teksa një grup protestuesish janë vendosur në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit', tek selia e Kryesisë së Kuvendit. Protestuesit janë ngjitur në dritare, duke thyer xhamat dhe derën e Kryesisë së Kuvendit. /ZËRI
Revolta e të rinjve, reagon Rama: Unë e dua pa rezerva Shqipërinë
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e studentëve dhe gjimnazistëve, e cila vijon prej katër ditësh në Tiranë. Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama ka publikuar fotografinë e një sinjalistike të rrëzuar në rrugë, duke e shoqëruar me një mesazh për Shqipërinë.
“Pa rezervë e kam dashur Shqipërinë kur e kishin përplasur përtokë dhe pa rezervë e dua sot, kur s’ka forcë në botë që e rrëzon më përtokë”, shkruan Rama.
Reagimi i kryeministrit Edi Rama vjen në ditën e katërt të protestës. Tashmë, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit studentë e gjimnazistë janë ngritur në protestë, teksa revolta vijon me përplasje të forta, kaos dhe marshim nëpër rrugë./ZËRI
Protestat në Tiranë, apeli i OKB-së: Ndalni dhunën dhe ulni tensionet, palët të angazhohen në dialog
TIRANË- Kombet e Bashkuara në Shqipëri kanë reaguar për situatën e tensionuar gjatë protestave në Tiranë, duke shprehur shqetësimin për aktet e dhunës dhe përshkallëzimin e tensioneve.
Në deklaratën e publikuar sot, OKB-ja thekson rëndësinë e respektimit të të drejtave themelore të njeriut, përfshirë të drejtën për tubim paqësor, lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit. Gjithashtu, OKB u thirrje forcave të rendit për vetëpërmbajtje dhe proporcionalitet.
Në përfundim të reagimit, OKB u bën thirrje të gjitha palëv e që të angazhohen na një dialog kontruktiv që të kontribuojnë në uljen e tensioneve.
Deklarata e plotë e OKB-së në Shqipëri
Kombet e Bashkuara në Shqipëri shprehin shqetësimin për aktet e fundit të dhunës dhe përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave në Tiranë. Rikonfirmojmë rëndësinë e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të tubimit paqësor, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit, si dhe të garantimit të sigurisë dhe dinjitetit të të gjithëve, në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Theksojmë rëndësinë e vetëpërmbajtjes dhe proporcionalitetit në veprimet e forcave të rendit, respektimit të garancive për një proces të rregullt ligjor dhe mbrojtjes së pronës publike dhe private, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira të përmbahen nga dhuna, të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv, në frymën e respektit të ndërsjellë dhe të angazhimit të përbashkët për paqen dhe shtetin e së drejtës./ZËRI
"A keni turp, o legena", avokati në Korçë iu bën thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestë
KORÇË-Një avokat në Korçë u ka bërë thirrje qytetarëve që të ngrihen dhe të reagojnë në mbështetje të studentëve që po protestojnë, duke shprehur revoltën për dhunën ndaj të rinjve.
“Ore, hajdeni, çohuni nga kafja! Janë fëmijët tuaj! Çohuni, mor legena! A s’keni turp? A s’keni gjak shqiptari? Turp i dheut, fëmijët e vegjël…”, dëgjohet të thotë avokati, teksa u drejtohet qytetarëve me tone të ashpra.
Thirrja e tij vjen në kuadër të protestave të studentëve dhe të rinjve, të cilët po kërkojnë ndryshime dhe kanë denoncuar dhunën e ushtruar ndaj protestuesve./ZËRI
Protesta e studentëve/ Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë apel për paqe: E ardhmja nuk ndërtohet mbi frikën e shkatërrimin
TIRANË-Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka reaguar pas protestave të studentëve, të cilat janë zhvilluar me tensione e kaos në rrugët e kryeqytetit. Lidhur e trazirat e shkaktuara, Këshilli ka bërë thirrje për paqe, drejtësi dhe dialog kombëtar.
Përfaqësuesit e komuniteteve fetare zyrtare në Shqipëri shprehen se paqja nuk nënkupton heshtje përballë padrejtësisë, por drejtësia nuk mund të ndërtohet përmes dhunës dhe autoriteti nuk mund të ushtrohet pa përgjegjësi. Këshilli nënvizon se dhuna dhe shkatërrimi i pronës nuk mund të justifikohen nga pakënaqësitë.
Këshilli kërkon që qytetarët të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet, ligji të respektohet dhe paqja të mbrohet.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë:
Apel për paqe, drejtësi, përgjegjësi dhe dialog kombëtar.
Paqja është përgjegjësi e përbashkët. Drejtësia është detyrim. Respekti për njeriun është themeli që na bashkon. E ardhmja e Shqipërisë është në duart e brezave që po rrisim sot, ndaj kemi detyrimin t'u lëmë një vend ku drejtësia frymëzon shpresë dhe bashkëjetesa bëhet vlerë e trashëguar. Shqetësimet e qytetarëve dhe të studentëve meritojnë të dëgjohen me seriozitet, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë të japin përgjigje konkrete, transparente dhe në përputhje me ligjin.
Si përfaqësues të komuniteteve fetare zyrtare në Shqipëri, besojmë se paqja nuk nënkupton heshtje përballë padrejtësisë, drejtësia nuk mund të ndërtohet përmes dhunës dhe autoriteti nuk mund të ushtrohet pa përgjegjësi. Traditat tona fetare na bashkojnë në mbrojtjen e jetës, dinjitetit njerëzor, mëshirës, drejtësisë dhe respektit për tjetrin, pavarësisht bindjeve apo qëndrimeve që përfaqësojmë
Këshilli Ndërfetar rikujton se e drejta për të protestuar paqësisht është një vlerë themelore demokratike, ndërsa dhuna, shkatërrimi i pronës dhe cenimi i të drejtave të të tjerëve nuk mund të justifikohen nga asnjë pakënaqësi apo qëllim.
Dëmtimi i një biznesi familjar prek drejtpërdrejt jetesën e një familjeje; cënimi i një institucioni arsimor prek të drejtën për dije dhe siguri; ndërsa mosrespektimi i një përfaqësie diplomatike dhe i simboleve të saj cenon parimet e respektit të ndërsjellë dhe të bashkëjetesës ndërkombëtare.
Mendojmë se në këto momente, vendi ka nevojë për më pak akuza dhe më shumë dëgjim, për më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi, për më pak ndarje dhe më shumë dialog. Asnjë palë nuk duhet ta shohë tjetrën si armike, por si pjesë të së njëjtës shoqëri, me të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përbashkëta.
Apeli ynë është për të gjithë: qytetarët të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet, ligji të respektohet dhe paqja të mbrohet. E ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet mbi frikën, shkatërrimin dhe përçarjen, por mbi dinjitetin, besimin e ndërsjellë dhe vullnetin për të gjetur zgjidhje paqësore.
Me përulësi i drejtohemi të gjitha palëve të zgjedhin dialogun mbi konfliktin dhe përgjegjësinë mbi përshkallëzimin, duke vendosur mbi çdo interes të ngushtë të mirën e përbashkët, sigurinë e qytetarëve dhe paqen shoqërore.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë
Policia ndryshon strategjinë, tërhiqet FNSH, komandanti: Nëse nuk godisni, nuk reagojmë. Kam djalin me ju, protestë të mbarë!
TIRANË-Teksa studentët u grumbulluan para Ministrisë së Arsimit, komandanti i FNSH pati një komunikim me të rinjtë në vijën e parë të frontit të protestës. Komandanti i FNSH-së,tha se FNSH nuk do bëjë asnjë ndërhyrje nëse protesta do të jetë paqësore. Pas fjalës së komandantit, boti i ujit është tërhequr.
“Nuk është e ligjshme që policia ka hedhur gurë. Do të shikohen filmimet dhe do të merren masa. Jam komandanti i FNSH-së, jap përgjigje vetëm për këto forca. Ju eci mbarë! Edhe unë kam djalin në protestë. Më lini të bëj detyrën! Do të ushqehet familja, do të zbatohet ligji, do të mbrohet shteti”, u shpreh ai gjatë bisedës me protestuesit.
“Nëse ka gurë dhe mjete të forta do përdoret uji dhe gazi, në të kundërt jo. Gurët në drejtim të qytetarëve nga FNSH? Do shikohen pamjet dhe do merren masa. Protestë të mbarë, vazhdoni në mënyrë paqësore. Civilët? Unë nuk kam dijeni nga vijnë, përgjigjem vetëm për FNSH”, tha komandanti./ZËRI
Dita e dytë e protestës në Elbasan e Shkodër, të rinjtë fillojnë trazirat, djegin koshat e mbeturinave
ELBASAN-Për të dytën ditë radhazi gjimnazistë e studentë të Elbasanit dhe Shkodrës kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në protestë. Të rinjtë janë mbledhur sërish në qendër të qytetit të Elbasanit për të shprehur qëndrimet dhe kërkesat e tyre, në një kohë kur protestat e studentëve dhe qytetarëve vijojnë edhe në kryeqytet. Trazirat nuk kanë munguar ku protestuesit u kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave, duke përshkallëzuar situatën.
View this post on Instagram
Ndërkohë edhe nxënësit e gjimnazeve në Shkodër kanë bojkotuar mësimin, duke iu bashkuar protestave të të rinjve. Me thirrjet “bojkotoni mësimin” dhe “Rama jepe dorëheqjen” të rinjtë kanë dalë në rrugët e qytetit.
View this post on Instagram
'Pas flamurit të gjithë'/ Gjimnazistët e Kamzës dalin sërish në protestë: Revolucion
KAMËZ-Edhe sot gjimnazistët e Kamzës kanë bojkotuar sërish mësimin. Nxënësit janë bërë bashkë duke protestuar në rrugë me thirrjet: "Shqipëria kërkon revolucion". Pranë tyre shihet edhe prania e shtuar e forcave të rendit, ndërsa për momentin nuk ka përplasje. Raportohet se nxënësit nisën marshimin drejt Tiranës, por Policia i ka ndaluar.
View this post on Instagram
Fëmijët e tyre në pranga, dhjetëra prindër prej orësh para dyerve të komisariateve: Asnjë përgjigje...unë e njoh djalin tim
TIRANË-Dhjetëra prindër u vendosën para dyerve të komisariateve të Tiranës, pasi fëmijët e tyre u shoqëruar gjatë protestës së 15 tetorit. Në pamjet e ndara pas mesnate nga deputeti Erald Kapri nga Komisariati nr.1, prindërit shihen para derës së hekurit dhe deklarojnë se po presin djemtë e tyre. Prindërit deklarojnë se djemtë janë studentë dhe i kanë arrestuar në rrugë pa u përfshirë në trazira.
View this post on Instagram
Dita 4 nis nga Lezha- Gjimnazistët bojkotojnë mësimin, thyejnë xhamat e shkollës, tentojnë të futen në bashki
LEZHË-Dita e katërt e protestës së studentëve ka filluar nga Lezha. Një grup nxënësish të gjimnazit “Hydajet Lezha”, kanë bojkotuar mësimin dhe kanë nisur protestën në rrugët e qytetit.
Nxënësit kanë thyer me gurë xhamat e shkollës, ndërsa kanë tentuar të futen edhe në Bashkinë e qytetit, por nuk kanë arritur të kalojnë dot kordonin e krijuar nga policia. Bojkoti vjen në mbështetje të studentëve të Tiranës.
View this post on Instagram
Tubimi i 13 tetorit! Jepet masa e sigurisë për 16 protestuesit, të afërmit mblidhen para Gjykatës së Tiranës (EMRAT)
TIRANË-Në Gjykatën e Tiranës, po mbahet seanca për 16 të arrestuarit në ditën e parë të protestës (13 tetor), të cilët do të njihen sot me masën e sigurisë. Në dyert e gjykatës janë mbledhur të afërmit e të arrestuarëve, teksa janë në pritje të masës ndaj tyre.
Para gjykatës do të dalin: Kastriot Vata, Florian Baba, Ali Bruçi, Genc Ibrahimi, Ernest Kapo, Iljaz Sulaj, Besnik Kala, Donik Vatgjoni, Erand Zenunllari, Hamza Bushi, Olsi Vokli, Xhesion Petoku, Klevi Metaj, Berim Gjoka, Kalosh Hysbarjami dhe Korado Aliaj.
Ndaj të arrestuarve rëndojnë 8 vepra penale, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”./ZËRI
‘Mercenarë serbë, një vajzë merret me forcë...'! Policia sqaron: E pavërtetë, po nxisin konflikt nga ndjenjat nacionaliste

TIRANË-Policia e Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kanë dalë me sqarime zyrtare lidhur me rastet e denoncuara mbrëmjen e djeshme (15 tetor) gjatë protestës së studentëve.
Konkretisht në rrjete u pretendua se mercenarë serbë janë angazhuar për të arrestuar dhe dhunuar protestuesit në Tiranë. Policia e Shtetit rrëzon poshtë pretendimet për angazhimin e mercenarëve nga Serbia në protestë, për të kryer arrestime e dhunime në masë ndaj protestuesve. Në njoftimin zyrtar Policia i cilëson këto pretendime të pavërteta dhe dashakeqe, duke theksuar se synojnë të shfrytëzojnë ndjenjat nacionaliste për të krijuar një klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.
Aludime pati edhe se policia serbe dhe persona të pa identifikuar po rrëmbenin vajza, duke publikuar video. Lidhur me këtë rast, Policia sqaron se personi i shoqëruar është mashkull dhe jo femër dhe shoqërimi është kryer nga punonjës të Policisë Kriminale, në kuadër të veprimeve të ndërmarra për identifikimin dhe shoqërimin e personave të dyshuar për përfshirje në veprimet e kundërligjshme gjatë protestës
REAGIM I POLICISË SË SHTETIT:
Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për përhapjen e lajmeve të pavërteta në rrjetet sociale, përmes të cilave pretendohet se në radhët e saj janë angazhuar punonjës policie nga Serbia.
Përhapja e këtyre pretendimeve tërësisht të pavërteta dhe dashakeqe synon të shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste për të krijuar klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.
Policia e Shtetit sqaron se në tubimin e datës 15.10.2026, ashtu si në çdo tubim tjetër, janë angazhuar vetëm punonjës të Policisë së Shtetit, të planëzuar në shërbim në bazë të planit të masave. Pretendimi për angazhimin e punonjësve të policisë nga Serbia është tërësisht i pavërtetë.
REAGIM I DREJTORISË VENDORE TË POLICISË TIRANË
Në lidhje me disa video të publikuara në rrjetet sociale, ku pretendohet se disa civilë kanë shoqëruar me forcë një shtetase, Policia e Tiranës sqaron se personi i shoqëruar është mashkull dhe jo femër.
Shoqërimi është kryer nga punonjës të Policisë Kriminale, në kuadër të veprimeve të ndërmarra për identifikimin dhe shoqërimin e personave të dyshuar për përfshirje në veprimet e kundërligjshme gjatë protestës, pasi dyshohet se ky shtetas drejtonte tubuesit dhe gjuante me zare metalikë punonjësit e Policisë dhe institucionet.
Gjithashtu, në lidhje me pretendimet e publikuara në rrjetet sociale se punonjësit e Policisë kanë përdorur kavo metalike, Policia e Tiranës bën me dije se kavot e publikuara në media u janë kapur paraditen e datës 15.10.2026 katër të rinjve të maskuar, të cilët po shkonin në protestë për të goditur protestuesit. Policia e Tiranës nuk përdor të tilla mjete, pasi llojet e mjeteve që përdor janë të standardizuara me ligj dhe procedura standarde.
Ndërkohë, sqarojmë se një grup protestuesish të maskuar, në orët e mbrëmjes së datës 15.10.2026, kanë shkuar në Qendrën Studentore dhe kanë thyer xhamat dhe dyert e godinave të Qendrës Studentore në Qytet Studenti. Policia ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Njëkohësisht, sqarojmë opinionin publik se asnjë punonjës policie nuk ka dhënë dorëheqjen dhe nuk ka asnjë urdhër për ushtrimin e dhunës ndaj personave të shoqëruar.
Policia e Tiranës shpreh keqardhjen për përhapjen e këtyre lajmeve dashakeqe, me qëllim krijimin e një klime konfliktuale mes Policisë dhe protestuesve. Policia e Tiranës respekton dhe garanton të drejtën për të protestuar paqësisht dhe u bën apel pjesëmarrësve në tubime të distancohen nga personat e dhunshëm dhe të maskuar, të cilët po sulmojnë punonjësit e Policisë, institucionet shtetërore dhe pronën publike e private.
Gjatë tubimit të datës 15.10.2026, si pasojë e dhunës, janë dëmtuar 22 punonjës policie. Gjithashtu, janë dëmtuar institucione, objekte private dhe bankare, si dhe është dëmtuar sinjalistika rrugore.
Policia e Tiranës po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave që kanë kryer akte dhune.
Rama në një nga kjoskat e djegura: Kjo flamë nuk është studentore, sapo afrohemi drejt BE, këtu plas flaka
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sot pas protestës të studentëve. Nga një kjoskë e djegur gjatë tubimit, kreu i qeverisë ka rideklaruar se protesta po zhvillohet nga duar të huaja dhe jo nga studentë. Rama pretendon e gjitha po organizohet nga opozita dhe nga duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë në Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë nënvizoi se studentën kanë të drejtë dhe kërkesat e tyre duhet të adresohen dhe të bëhet më e mira, por sipas tij me dhunë nuk arrihet asgjëkundi.
Edi Rama: Dua t’u them të gjithëve atyre që janë me lot në sy përpara ngjarjeve të ngjashme dhe që jetojnë me një sipërmarrje të vogël në Tiranë se nuk janë vetëm. Sapo kjo flakë të kalojë, ne do të jemi aty, bashkë me ta. Përballuam një tërmet me pasoja, ruajna Zot ku e ku më të mëdha dhe ia dolëm së bashku dhe sot ata që humbën shtëpinë për 30 sekonda, jetojnë në shtëpi më të mira e më të forta. Si mund të jenë studentët, si mund të jetë investimi i prindërve te fëmijët e tyre kjo gërmadhë? E gjithë kjo flamë nuk është flamë studentore. E gjithë kjo pengmarrje e qytetit në maska nuk ka të bëjë me hallet e problemet e dikujt që do një jetë më mirë. E gjithë kjo është po ajo dorë që ka kapur për fyti opozitën shqiptare që ka djegur Shqipërinë dhe është gati ta djegë përsëri për të mos e lënë të bëjë përpara nga urrejtja më e verbër. Këta nuk janë studentët, as ata që marrin peng gjatë ditës nuk janë studentët dhe as ata që në mbrëmje predikojnë lëvizjen, përpjekjen, revoltën studentore, nuk kanë të bëjnë me ju.
Si mund të nxirren të miturit në rrugë, të vënë maska, të shkulin trotuaret dhe qëllojnë policinë? Si mund të rrezikohet jeta e të miturve si një lukuni e verbër për axhendë të tjetërkujt? Sot mbështetet nga duar të tjera, të huaja që s’e duan Shqipërinë të qetë, të shohë drejt dhe të ecë përpara, që nuk e duan pjesë të familjes së bashkuar europiane, aty ku do të shpëtojë njëherë e përgjithmonë nga këto duar dhe zgjedha e zgjedhës së detyruar. Nuk e duan Shqipërinë të lirë. Ju duket rastësi që sapo Shqipëria çel një tjetër dritë jeshile, afrohet më shumë drejt objektivit historik, këtu plas flaka? Nuk është aspak rastësi. E gjithë kjo që po ndodh është sprovë, test i karakterit tonë dhe një tjetër hap që ne do ta hedhim së bashku përballë një pengese që na është vënë përpara. Studentët, sipërmarrësit, kanë të drejtë të kërkojnë më shumë ndërkohë që problemet janë aty, duhen adresuar ndërkohë që përpiqemi të bëjmë më të mirën, të mësojmë më shumë dhe të bëjmë më mirë. E kemi sjellë Shqipërinë e Tiranën deri këtu, këtë e ka sjellë një punë këmbëngulëse. Kush thotë le të përkulemi përballë dhunës për pakëz qetësi, gabon. Kjo do të thotë ta humbësh rrugën për një kohë të gjatë. Ka qenë Shqipëria e përkulur përballë dhunës dhe s’ka arritur asgjëkund. Motra e vëllezër, durim se kjo do të kalojë dhe do të dalim më të fortë dhe të vetëdijshëm.