Rama: Nëse do të ishim lavatriçe parash të pista, nuk do të mbyllnim kapituj me BE
TIRANË-Kryeministri Edi Rama nga eventi “Dyfisho sipërmarrjen tënde” u ndal edhe te akuzat për praninë e parave të pista në ekonominë shqiptare. Sipas tij nëse Shqipëria do të ishte një 'lavatriçe' e pastrimit të parave, Bashkimi Europian nuk do të lejonte vazhdimin e mbylljes së kapitujve.
Kreu i qeverisë deklaron se fakti që janë goditur rrjete që pastrojnë paratë e pista, tregon rritjen e kontrollit të sistemit ndaj korrupsionit dhe trafiqeve.
View this post on Instagram
Edi Rama: Diskutojmë që këtu ka një lavatriçe parash të pista, por kush do të na linte ne të vazhdonim të mbyllnim kapitujt me Bashkimin Europian? Vetëm ideja që kjo mund të ishte e vërtetë do të kishte stopuar çdo gjë dhe do të ishim bërë objektiv i institucioneve të huaja. Risia është se sistemi ka prodhuar mekanizma të rinj dhe SPAK është pjesë e sistemit. Sistemi po lufton, sepse deri dje nuk luftonte. Nuk kishte balancat e brendshme për të garantuar imunitetin e vet, ndërsa sot lufton. Fakti që kapet një rrjet që ka sjellë para të pista është historik për të treguar rritjen e nivelit të imunitetit të sistemit, por nuk tregon se kjo është vetëm një detaj i vogël në majën e një narkoshteti. Kjo tregon që po goditen trafiqet, rrjetet dhe korrupsioni. A ka në Shqipëri para të pista? Patjetër që ka, po ku nuk ka? Është shumë e ligë në thelb që t'ia veshësh Shqipërisë, duke qenë shqiptar, duke pasur pasaportë shqiptare, këtë lloj kostumi kaq të ndyrë, nuk di se çfarë duhet të jesh
Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, 2 mil euro kredi për çdo projekt
TIRANË-Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim më aktorë të sipërmarrjes dhe sistemit bankar në vend për promovuar dhe diskutuar ecurinë e programit të iniciuar nga Qeveria, “Dyfisho Sipërmarrjen tënde”. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se qeveria është gati të japë deri në 1 miliard euro mbështetje për sipërrmarrjet e vogla dhe të mesme. Kreu i qeverisë njoftoi se programi parashikon kredi deri në 2 milionë euro për çdo projekt, me norma interesi 2–3%, ndërsa theksoi se aplikuesit duhet të paraqesin një plan biznesi të qartë.
Edi Rama: Programi ka një tavan prej 2 milionë eurosh, që është shumë e konsiderueshme dhe do ketë gjithë mbështetjen tonë në mënyrë sistematike. Do ngremë një Task Forcë, për të parë se ku programi ka nevojë për më shumë ndërhyrje nga ana ekonomike. Njerëzit tashmë janë mësuar me suksesin dhe nuk bëjnë krahasim me të shkuarën. Jemi në një fazë të re të zhvillimit, ku qeveria ndihmon aty ku duhet. Ky është një instrument, që qeveria përdor, për të ndihmuar bizneset edhe psikologjikisht. Ne jemi gati të shkojmë deri në 1 miliard euro mbështetje. 1 miliard euro për sipërmarrjen e vogël dhe të mesme, që askush mos të thotë se nuk kam mbështetje financiare, për të bërë plan. Ama duhet të ketë plan. Këto janë para njësoj si ato që vijnë nga BE. Kushdo që ka një ide biznesi, të aplikojë e do marrë 2 milionë euro me kredi me interes vetëm 2-3 përqind.
“Me lekët tonë po i bëni…”/ Programi ‘Dyfisho sipërmarrjen tënde’, Rama-komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira
TIRANË-Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Ekonomisë Delina Ibrahmaj ka marrë pjesë në eventin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”. Programi parashikon një fond prej 250 milionë eurosh, me qëllim rritjen e aksesit në financim dhe forcimin e sipërmarrjes. Gjithashtu, skema përfshin një garanci sovrane në vlerën e 30 milionë euro, e cila synon të ulë riskun dhe të mundësojë kredi me norma interesi të favorshme nga 2 deri 3%.
Rama deklaroi se objektivi është që bizneset e vogla të rriten në të mesme, ndërsa ato të mesmet të kalojnë në nivelin e sipërmarrjeve të mëdha.
Edi Rama: Ne duam t’ju japim krahë ndërmarrjeve të vogla e të mesme që të dyfishohen. Guvernatori ka qenë një persn kyç në këtë projekt. Bankat janë në një zonë konforti aktualisht dhe mund të japin para, teksa fitojnë vetëm pak. Jemi gati që të asistojmë bizneset, që kanë një plan të besueshëm, por nuk kanë kapacitetin financiar të duhur.
Në proces sipas kreut të qeverisë do të angazhohen ekspertë ndërkombëtarë, si dhe do të ketë një cikël takimesh për të nxitur bizneset që të përfshihen në këtë program. Rama i është përgjigjur kritikave të qytetarëve për përdorimin e fondeve publike, gjatë prezantimit të programit për mbështetjen dhe zgjerimin e bizneseve të vogla e të mesme. Ai u shpreh se çdo qeveri menaxhon paratë e qytetarëve, por ndryshimi qëndron te mënyra se si ato përdoren
Edi Rama: Suksesi i këtij projekti varet edhe nga presingu i guvernatorit që do t’u bëjë bankave të nivelit të dytë. Duke qenë se bankat kanë një manual të tërë justifikimesh që i përdorin me efikasitet të lartë dhe një nga këto është se planet e bizneseve të vogla dhe të mesme nuk janë mjaftueshmërisht të arritura, ne kemi angazhuar një forcë tjetër në këtë proces, që është UNDP, Zyra e Kombeve të Bashkuara këtu në Tiranë, ku do të angazhojmë ekspertë ndërkombëtarë. Do të jemi një grup i gatshëm për të asistuar bizneset që kanë ide interesante dhe një plan të besueshëm, por nuk kanë kapacitetin për ta përkthyer në një projekt bindës.
Ky grup do të jetë në dispozicion të bizneseve dhe Ministria e Ekonomisë do të luajë rolin e vet për koordinimin mes subjekteve. Po ashtu, ne kemi vënë në dispozicion një ëebsite online, në të cilin ka edhe një mundësi për t’u drejtuar drejtpërdrejt ministrisë nga biznesi dhe ka edhe një chatbox për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi programin. Një tjetër element është se është planifikuar edhe një cikël takimesh në territor për të nxitur bizneset që të përfshihen në këtë program. Ministria e Financave ka qenë kyçe. Të gjithë bëjnë detyrën, por problemi është kush e bën më mirë dhe kush më keq.
Na thonë: “Pse po bëni sikur çfarë po bëni, se me lekët tona po i bëni?” Po ka qeveri që me lekët tona bëjnë punë të mira, ka qeveri që nuk bëjnë asnjë punë, ose bëjnë punë të këqija. Dua t’i falënderoj edhe ministrat, edhe guvernatorin për këtë projekt.