PS miraton pa praninë e PD-së, projektligjet e ditës, Braçe voton kundër për ndryshimet në bujqësi
TIRANË-Seanca e sotme e Kuvendit është mbyllur me miratimin e projektligjeve në rendin e ditës pa praninë e opozitës. Partia Socialiste ka miratuar projektligjet që kishin të bënin kryesisht me bujqësinë. Deputeti socialist Erion Braçe, dhe Erald Kapri nga partia Mundësia votuan kundër ligjit “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”. U miratuan po ashtu rezolutat për vlerësimin e punës për një sërë institucionesh të pavarura.
Projektligji “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore” u miratua me 71 vota pro, një abstenim dhe një votë kundër. Abstenimi erdhi nga Erion Braçe, ndërsa kundër votoi deputeti Erald Kapri.
Ndërkohë, projektligji “Për censin e bujqësisë” mori 77 vota pro dhe një kundër, kjo e fundit nga Kapri.
Edhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 27/2016, ‘Për menaxhimin e kimikateve’, të ndryshuar” u miratua me 78 vota pro dhe një kundër, sërish nga deputeti i Partisë Mundësia.
Po ashtu, Kuvendi miratoi me 76 vota pro dhe një kundër ndryshimet në ligjin “Për akuakulturën”, ndërsa vota kundër ishte sërish e Erald Kaprit.
Votimet:
Projektligji “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”.
Votimi: 71 pro; 1 abstenim (Braçe); 1 kundër (Kapri)
Projektligji “Për censin e bujqësisë”
Votimi: 77 pro; 0 abstenim; 1 kundër (Kapri)
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, të ndryshuar”
Votimi: 78 pro; 0 abstenim, 1 kundër (Kapri)
Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 103/2016, “Për akuakulturën””
Votimi: 76 pro; 0 abstenim; 1 kundër (Kapri)
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar”.
Votimi: 78 pro; 0 abstenim; 2 kundër (Braçe; Kapri)
Vijon debati brenda PS/ 'Tokat për parqe fotovoltaike' Braçe përplaset me ministrin: Duhet për bujqësi, jo për industri
TIRANË-Ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore" kanë ndezur debat në Kuvend, ku edhe deputeti Erion Braçe ka dalë kundër. Ligji u miratua me debate mes kryetarit të komisionit, Ulsi Manja dhe deputetit të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Teksa po diskutohej në Kuvend, Braçe ngriti shqetësime për përdorimin e tokave bujqësore për parqe fotovoltaike dhe eolike.
Deputeti socialist kërkoi që kufijtë për zhvillimin e këtyre projekteve të përcaktohen qartë në ligj dhe të mos lihen në dorë të vendimeve të Këshillit të Ministrave. Sipas tij tokat duhet të jenë në përdorim për bujqësi dhe jo industri. Ndërkohë ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaroi se ndryshimet synojnë modernizimin e sektorit bujqësor dhe përdorimin e teknologjive të reja, pa cenuar funksionin kryesor të tokës bujqësore, që sipas tij mbetet prodhimi.
Erion Braçe: Mbase nuk është Ministri i Bujqësisë personi i duhur për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të ishte ai i Energjitikës, por pyetja është sa licenca janë dhënë për parqe eolike në toka bujqësore deri më tani? E dyta, po për parqe agro-fotovoltaike në toka bujqësore deri më tani? Sa leje janë dhënë për parqe të tilla në toka me bonitet 9 deri në 10 deri më tani?
Andis Salla: Projektligji është një ndërhyrje e kufizuar në ligj për mbrojtjen e tokës bujqësore, por e nevojshme për ta përshtatur me zhvillimin e bujqësisë moderne. Toka nuk është thjesht një sipërfaqe për ta përshtatur për prodhim bujqësor, por një pasuri kombëtare të lidhur me zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e brezave. Ky parim nuk ndryshon dhe nuk cënon mbrojtjen e tokës bujqësore. Plotëson kuadrin bujqësor për të vënë në përdorim disa teknologji, që ndihmojnë për përdorimin më të mirë të ujit dhe disa lëndëve ushqyese dhe burimesh natyrore, duke rritur produktivitetin. Realiteti ka ndryshuar sa i përket tokës bujqësore. Nuk mjafton vetëm kultivimi i sa më shumë sipërfaqesh, por të kemi sa më shumë produktivitet. Nuk cënohet në asnjë moment funksioni i tokës bujqësore.
Gjatë prezantimit në mbledhjen e Komisionit të zhvilluar më 14 korrik zëvendësministri Fatmir Guri tha se në fermat “Agrifotovoltaike”, do të ketë edhe depozitim energjie me argumentin se do të rritet prodhimi bujqësor e blegtoral, dhe se kushtet për licencimin e këtyre fermave do të caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Këto ndryshime u shoqëruan me kundërshtime nga opozita por edhe mazhoranca. Deputeti I Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri votoi kundër nenit 1 të projektligjit.
Deklarata e ministres serbe, Muçi: Pse s’ka reagim? Balla: Mos bëni karagjozin, laj gojën kur përmend Ramën
TIRANË- Deklarata e ministres serbe, Snezhana Paunoviç, është bërë pjesë e diskutimeve në seancën e sotme në Kuvend. Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, pyeti se cila është arsyeja që ministrja nuk është shpallur non grata nga Shqipëria, ashtu siç veproi Kosova.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Muçi kërkoi një reagim nga qeveria shqiptare, duke akuzuar mazhorancën për mungesë qëndrimi.
“Çfarë pret qeveria shqiptare dhe kryeministri për të reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës dhe mbështetjes që i dha zv/kryeministri serb? Kosova e ka shpallur non grata ministren. Ky që merret me armiqtë e popullit si ka mundësi që nuk mban qëndirm për një deklaratë të ministres serbe? Ndoshta sepse bashkë me mikun e tij, Vuçiç, i ka zënë i njëjti hall: fakti që rinia i përçmon”, tha Muçi.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, u shpreh se reagimi ka qenë i menjëhershëm në të gjitha nivelet e nevojshme. Balla theksoi më tej sipas tij se, kryeministri Rama e ka mbrojtur Kosovën në mes të Serbisë.
“Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme, por indinjuese dhe të rëndë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat nga Ministria e Jashtme. Këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, të një kadeti të ri në Kuvend. Nuk tallemi me çështjet kombëtare, s’jemi karagjozë si puna jote! Qëndrimin e kemi mbajtur në nivelin e qeverisë nga ministri i Jashtëm, në nivel politik, kam reaguar përpara teje, ti ishe në gjumë kur kam reaguar unë bashkë me ata që ke në kafazin tënd politik. Ky akt është dënuar nga autoritetet politike përfaqësuese. Sa i përket Edi Ramës, ti dhe shokët e tu duhet të lani gojën mirë se është i vetmi kryeministër që nga 1912 që ka ngritur çështjen e Kosovës”, ia përgjigj Balla.
"Gones ia kam bërë dosjen gati"/ Balla-Kaprit: Në 4 vite pesëfishoi vlerën, nga paratë e vilës je paguar edhe ti!
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka rikthyer edhe një herë në vëmendje çështjen e papsurisë së kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, gjatë një replike të ashpër me deputetin e Erald Kapri.
Balla e cilësoi skemën e pasurimit të Shehajt si një rast unik në botë, e cila sipas tij po zbardhet tashmë plotësisht, teksa shtoi se e ka gati dosjen për të.
Gjatë debatit, Balla i tha Kaprit se ka zgjedhur të bëjë një karrierë politike në mënyrë aspak të mirë, duke pretenduar se pagesat e tij deri në vitin 2025 janë financuar nga paratë e Shehajt.
"Ti ke marrë për model, modelin më të keq. Nuk ka model më të keq në politikë se sa të vish këtu dhe të bësh sulferin e Gones. E nise karrierën politike nga paratë e Gones, sot paguhesh si asistent i Gones. Teksa po zbardhet e gjithë skema e parave të Agron Shehajt, i cili brenda katër eurosh pesëfishon vlerën e një aseti. Rast unik në botë. Ia kam bërë të gjithë dosjen Gones. Sepse nga paratë e vilës së Gones je paguar ti deri në vitin 2025”, tha Balla.
Çështja e pasurisë së Shehaj u risoll në vëmendje edhe në seanën e fundit të Kuvendit, ku i kërkoi publikisht kreut të Partisë Mundësia që të japë shpjegime për një transaksion të deklaruar në pasurinë e tij, ku thuhet se ka shitur një pronë me sipërfaqe totale 251 metra katrorë për vlerën 15 milionë euro.
Pas diskutimeve dhe reagime që pësuan, reagoi edhe vetë kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili mohoi akuzat duke theksuar se pasuria e tij është ndërtuar me punë të pastër dhe është e deklaruar në institucionet përkatëse.
Sipas deklaratës së ndryshimit të pasurisë të depozituar nga Shehaj, në shtator të vitit të kaluar, ai ka deklaruar shitjen e një pasurie të paluajtshme në Itali, të përbërë nga truall dhe ndërtesë me sipërfaqe totale 251 metra katrorë, me vlerë 15 milionë euro. Kjo shumë ka ngritur pikëpyetje për shkak të diferencës së dukshme me çmimet e zakonshme të tregut për prona të ngjashme./ZËRI
'Marrëveshja për Shqipërinë e re', Spiropali dorëzon mocionin në Asamble: E mbajta premtimin ndaj kryetarit, nuk synoj përçarje
TIRANË- Ish-ministrja Elisa Spiropali ka dorëzuar në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste mocionin për hapjen e debatit mbi “Marrëveshjen për Shqipërinë e re”.
Në një prononcim për mediat para nisjes së seancës plenare, Spiropali deklaroi se dokumenti nuk është një nismë personale, por një platformë e hapur për të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste.
Ajo tha se ka mbajtur premtimin e dhënë dhe se mocioni i është drejtuar kryetarit të PS-së, Edi Rama, Asamblesë Kombëtare dhe të gjithë anëtarësisë së partisë, ndërsa shtoi se dokumenti do të jetë i hapur edhe për publikun.
Sipas Spiropalit, nisma nuk ka si qëllim përçarjen brenda socialistëve, por hapjen e një procesi diskutimi dhe bashkimin e energjive brenda partisë dhe shoqërisë shqiptare.
"E mbajta premtimin sot dhe sapo dorëzova në Asamblenë e Partisë Socialiste mocionin për hapjen e debatit për marrëveshjen e re për Shqipërinë. Nga ana ime premtimi u mbajt dhe iu përgjigja thirrjes së kryetarit. Nuk është vetëm një dokument imi, është i hapur për të gjithë anëtarët e PS. Ia kam drejtuar kryetarit të PS, anëtarëve, kryeministrit dhe Asamblesë. Do të jetë e hapur sepse çdo marrëveshje për Shqipërinë s’mund të hartohet nga 1 apo 10 individë por të shprehë vullnetin e shumicës shqiptare që në këtë moment kërkon më shumë përfaqësim, demokraci, drejtësi shoqërore, marrëdhënie më të drejtë mes shtetit dhe qytetarit, model ekonomik që i përgjigjet nevojave dhe të rinjtë që janë në pararojë të kërkesave për ndryshim, janë ata që presin më shumë na ne dhe unë kam gjithë besimin që kjo shumicë qeverisëse dhe PS i ka të gjitha mundësitë për t’iu përgjigjur kësaj kërkese.
Kjo s’është kërkesë për fraksion apo përçarje, është kërkesë për bashkim të të gjithë energjive progresiste të PS. Ne duhet t’u përgjigjemi qytetarëve jo me arrogancë, por me përulësi duke i dëgjuar dhe kanalizuar në rrugë edhe institucionale kërkesave të tyre”, tha ajo./ZËRI
PS propozon pr.ligjin për turizmin: Pezullohen të gjitha ndërtimet në bregdet gjatë sezonit të verës
TIRANË-Partia Socialiste ka propozuar një projektligj të ri për turizmin, i cili parashikon pezullimin e të gjitha punimeve të ndërtimit në zonat bregdetare gjatë sezonit veror. Ishte kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i cili nga Kuvendi njoftoi se me anë të këtij projektligji do të garantohet cilësi më e lartë ndaj turistëve në Shqipëri.
Balla deklaroi se një tjetër pjesë e projektligjit lidhet me krijimin e një regjistri elektronik të turistëve, ku do të regjistrohen personat që akomodohen në strukturat hoteliere.
Taulant Balla: Kemi propozuar që në pr.ligjin për turizmin, të pezullohen punimet e ndërtimit gjatë kohës së sezonit turistik, duke garantuar cilësi më të lartë të ofertës turistike në vendin tonë. Pjesa tjetër ka të bëjë me regjistrin elektronik të turistëve. Të ketë një sistem të regjistrimit të personave që akomodohen në atë strukturë hoteliere. Përfshirë këtu edhe një rast që e kam bërë publik bashkë me deputetë të Kavajës, lidhur me pamundësinë por edhe paaftësinë, rasti i bashkisë së Kavajës është më uniku, ku një bashki pjesën e administrimit të mbetjeve e ka lënë jashtë kontrolli, ndërkohë që strukturat akomoduese duhet të kenë një vend të caktuar të tyre për administrimin e mbetjeve. Nuk mund të shkojë hoteli ti hedhë mbetjet në koshin e plehrave të lagjes.
Nis seanca në Kuvend, bojkoton PD
TIRANË- Kuvendi ka nisur këtë të enjte seancën plenare, por edhe këtë herë opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në punimet e saj. Partia Demokratike ka vijuar bojkotin, me argumentin se kërkesat e protestuesve nuk janë marrë parasysh nga mazhoranca.
Ndërkohë, në rendin e ditës së seancës së sotme janë parashikuar për votim disa projektligje, si dhe shqyrtimi i një sërë projektrezolutash për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura gjatë vitit 2025./ZËRI
Pas pak seanca, policia "blindon" Kuvendin, forca policie dhe gardh metalik (VIDEO)
TIRANË- Kuvendi është rrethuar nga një kordon sigurie pak përpara nisjes së seancës plenare të ditës së sotme, e cila pritet të zhvillohet në orën 10:00. Përreth godinës së Kuvendit janë vendosur barriera metalike, ndërsa në terren ndodhen forca të shumta policie.
Masat e sigurisë vijojnë prej datës 2 korrik, kur përpara Kuvendit disa protestues hodhën vezë drejt deputetëve dhe penguan daljen e tyre nga godina. Situata kaotike rrethoi Kuvendin, kryesisht pas daljes së deputetëve në përfundim të seancës, ku nuk munguan incidentet dhe arrestimet nga ana e Policisë./ZËRI
Kuvendi mblidhet sot në seancë: Interpelanca dhe votim projektligjesh! A do të vijojë bojkotin opozita?
TIRANË- Kuvendi do të mblidhet sot në seancën e radhës plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar disa interpelanca.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu një sërë projektligjesh, si edhe raportet vjetore të disa institucioneve për punën e zhvilluar gjatë vitit 2025.
Ndërkohë, opozita pritet të bojkotojë edhe këtë seancë plenare, duke vijuar qëndrimin e mbajtur në seancën e së hënës, kur deputetët e saj nuk morën pjesë në punimet e Kuvendit.
Rendi i Ditës:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 13.7.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputetja Jorida Tabaku.
4. Projektligji “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”.
5. Projektligji “Për censin e bujqësisë”.
6. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, të ndryshuar”
7. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 103/2016, “Për akuakulturën””.
8. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar”.
9. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim teknik 2025”.
10. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i hekurudhës TiranëDurrës dhe ndërtimi i lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës: zgjerimi i projektit”.
11. Projektligji “Për ratifikimin e Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil, bërë në Bernë, më 30 gusht 2025″.
12. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9616, datë 27.9.2006, “Për librin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
13. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Këshillit të Statistikave”.
14. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2025″.
15. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për vitin 2025”.
16. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2025”.
17. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2025″.
18. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Institutit të Statistikave për vitin 2025”.
19. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2025”.
20. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Radiotelevizionit Shqiptar për vitin 2025”.
21. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2025”.
22. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2025”.
23. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Entit Rregullator të Ujit për vitin 2025”.
24. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.