LIVE UPDATES

Kosova në "pikën e fundit"...drejt zgjedhjeve! Kurti del me ofertë: Sot Presidentin, të enjten votojmë Specialen, PDK e refuzon

♦Sot, 6 tetor, është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. ♦Nëse Kuvendi nuk arrin të votojë kreun e ri të shtetit brenda ditës, vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. ♦Teksa afron ora kritike, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë një ofertë të re PDK-së për zhbllokimin e situatës politike. ♦Kurti propozon që presidenti të zgjidhet sot, ndërsa të enjten paradite të votohet në lexim të dytë projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. ♦Në përgjigje PDK ka refuzuar ofertën e Kurtit. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza tha se emri i Bekim Sejdiut për president është në kuadër të marrëveshjes LVV-LDK dhe jashtë tavolinës së PDK-së. ♦Sipas Hamza vendi po shkon në zgjedhje të reja, si pasojë e projektit politik të LVV-së. ♦Ndërkohë, protestuesit kanë dalë sërish në shesh dhe kërkojnë votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. ♦Kurti i ka ofruar Partisë Demokratike të Kosovës që LVV-ja të mbështesë në lexim të dytë ndryshimet e propozuara nga PDK-ja për ligjin që lidhet me Gjykatën Speciale, ndërsa në këmbim kërkon votën për një prej dy kandidatëve të propozuar nga partia në pushtet Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin. ♦Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza ka refuzuar ofertën e fundit të kryeministrit Albin Kurti për të votuar ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale dhe më pas për të zgjedhur presidentin e ri të Kosovës. ♦Mbrëmjen e kësaj të marte një protestë është zhvilluar pranë Kuvendit të Kosovës ku qytetarë të shumtë janë mbledhur për të kërkuar miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

8 artikuj për këtë temë.
2 ORE ME PARE

Kosovë/ Protestë para Kuvendit, policia shton masat e sigurisë

Kosova në "pikën e fundit"...drejt zgjedhjeve! Kurti del me
foto nga protesta ne kosove

 KOSOVË- Mbrëmjen e kësaj të marte një protestë është zhvilluar pranë Kuvendit të Kosovës ku qytetarë të shumtë janë mbledhur për të kërkuar miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Protestuesit janë vendosur në sheshin 'Skënderbeu' pranë hyrjes së Kuvendit, duke kërkuar që deputetët ta kalojnë projektligjin në lexim të dytë.

Ndërkohë, policia ka përforcuar praninë në zonën përreth Kuvendit, duke shtuar masat e sigurisë për menaxhimin e situatës.

Gjatë protestës janë regjistruar edhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Në përpjekje për të shpërndarë turmën efektivët kanë përdorur ujë dhe gaz lotsjellës.

Tubimi vijon pranë godinës së Kuvendit, ndërsa kërkesa e protestuesve mbetet miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara./ZËRI

3 ORE ME PARE

Pas propozimit të Kurtit për presidentin/ Hamza: Synon kontrollin e institucioneve kryesore të Kosovës

Kosova në "pikën e fundit"...drejt zgjedhjeve! Kurti del me
Bedri Hamza

KOSOVË- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza ka refuzuar ofertën e fundit të kryeministrit Albin Kurti për të votuar ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale dhe më pas për të zgjedhur presidentin e ri të Kosovës.

Kurti kishte propozuar që LVV-ja të mbështeste në lexim të dytë ndryshimet e kërkuara nga PDK-ja nëse kjo e fundit do të votonte një prej dy kandidatëve të propozuar nga partia në pushtet Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin për postin e presidentit.

Por Hamza e ka cilësuar këtë propozim si të papranueshëm. Sipas tij çështja e ligjit për Gjykatën Speciale nuk mund të përdoret si kusht për zgjedhjen e kreut të shtetit.

“Kjo temë po tentohet të shndërrohet në pazare të minutave të fundit. Qëllimi është si ta përdorë ligjin thjesht dhe direkt për shantazh për ta arritur qëllimin politik për ta pasur një president politik dhe për ta përmbyllur plotësisht kapjen e institucioneve të shtetit”, tha Hamza.

Kreu i PDK-së bëri të ditur se komunikimin e fundit me Kurtin e kishte zhvilluar gjatë mesditës së sotme, kur i kishte përcjellë qëndrimin e partisë së tij se fillimisht duhet të votohet ligji në lexim të dytë dhe vetëm më pas të diskutohet për një marrëveshje rreth presidentit.

Hamza vuri në pikëpyetje edhe vetë natyrën e ofertës së kryeministrit duke argumentuar se një çështje që e konsideron madhore dhe me rëndësi kombëtare nuk mund të shkëmbehet me votën për një kandidat për president.

“A kësaj i thonë marrëveshja? Kësaj i thonë një ligj për një çështje madhore, kombëtare, po ta votoj që ky është presidenti” shtoi ai./ZËRI

3 ORE ME PARE

Kurti propozon Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin për president

Kosova në "pikën e fundit"...drejt zgjedhjeve! Kurti del me
albin kurtin

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka bërë një propozim të ri në përpjekje për të zhbllokuar situatën politike dhe procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

Kurti i ka ofruar Partisë Demokratike të Kosovës që LVV-ja të mbështesë në lexim të dytë ndryshimet e propozuara nga PDK-ja për ligjin që lidhet me Gjykatën Speciale, ndërsa në këmbim kërkon votën për një prej dy kandidatëve të propozuar nga partia në pushtet Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin.

Sipas Kurtit, kjo marrëveshje mund të realizohet brenda së njëjtës seancë të Kuvendit, duke i dhënë përparësi votimit të projektligjit dhe më pas procesit për zgjedhjen e presidentit.

“Pra, ne ua votojmë projektligjin për Gjykatën Speciale paraprakisht e mandej sonte menjëherë votimi për president, Glauku ose Feridja”, tha Kurti.

Kreu i LVV-së bëri të ditur se nëse PDK-ja e pranon këtë propozim Kuvendi do të thirret me dy pika në rendin e ditës fillimisht votimi në lexim të dytë i projektligjit për Gjykatën Speciale dhe më pas zgjedhja e presidentit të ri të Republikës së Kosovës./ZËRI

6 ORE ME PARE

'Ligji për Specialen nis nga e para'/ PDK refuzon ofertën e Kurtit: Sejdiu s'është marrëveshje me ne, vendi shkon në zgjedhje

Kosova në "pikën e fundit"...drejt zgjedhjeve! Kurti del me
Bedri Hamza

KOSOVË-Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti në lidhje me propozimin për ta mbështetur Bekim Sejdiun për president. Hamza deklaroi se emri i Bekim Sejdiut për president është në kuadër të marrëveshjes LVV-LDK dhe jashtë tavolinës së PDK-së. 

Bedri Hamzai: Sot në orët e fundit, nuk mund të imponosh marrëveshje. Nuk janë çështje të ndërlidhura. Ne po kërkojmë me e bë ligjin. Në çdo orë, në çdo kohë që kalon, pastaj në të vërtetë, gati thuajse e pamundëson aprovimin e ligjit në dy leximet. Marrëveshja për z. Sejdiun. Nuk është marrëveshje me PDK-në është marrëveshje me një subjekt tjetër politik. I patë lajmet që veç është hajt të flasim. Të shesim mjegull. Është marrëveshje me LDK-në. As nuk kam vërejtje personale as politike në raport me z. Sejdiun. Por është marrëveshje jashtë tavolinës së PDK-së. Edhe kësaj radhe, vendi shkon në zgjedhje si projekt i Lëvizjes Vetëvendosje. Sepse Lëvizja Vetëvendosje i do të gjitha për vete. Edhe ato që s’i takojnë.

Ndërkohë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se qëndrimi i partisë së tij për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara mbetet i pandryshuar, ndërsa ka paralajmëruar se në rast të shkuarjes së Kosovës në zgjedhje, procedura për këtë ligj do të duhet të nisë nga fillimi. Hamza e ka kundërshtuar pretendimin se Projektligji nuk mund të kalojë në lexim të dytë pa u bërë 72 orë nga miratimi në lexim të parë, duke e cilësuar këtë interpretim si juridikisht të paqëndrueshëm.

7 ORE ME PARE

'Votoni kandidatin...'! Kurti i përmendi emrin, Bekim Sejdiu e rikujton: Jam tërhequr nga gara për president

Kosova në "pikën e fundit"...drejt zgjedhjeve! Kurti del me
Bekim Sejdiu dhe Albin Kurti

KOSOVË-"Nëse PDK-ja zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër e kemi bashkë me LDK-në, atëherë po procedojmë me votimin në leximin e dytë", -kjo ishte deklarata e kryeministrit Albin Kurtit, teksa kërkoi me urgjencë zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. 

Por emri si kandidat për president të Kosovës, ishte sërish Bekim Sejdiu, edhe pse ky i fundit më 14 shtator njoftoi tërheqjen nga gara për President. Edhe sot Sejdiu ka theksuar se qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar dhe për vendimin e tij ka njoftuar sërish si Lidhjen Demokratike të Kosovës, ashtu edhe Albin Kurtin. Sejdiu nuk ka lënë hapësirë për paqartësi, duke përsëritur se e ka mbyllur kandidaturën e tij.

“I kam njoftuar sërish LDK-në dhe Kurtin se jam tërhequr nga gara”, ka thënë Sejdiu në një përgjigje për Infokus.

Në njoftimin për tërheqjen nga gara si President, Sejdiu asokohe deklaronte se arsye u bë mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen e tij si presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike. Emri i tij si kandidat erdhi pas muajsh në ngërç politik dhe diskutimesh mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

8 ORE ME PARE

Orët e fundit për Presidentin, Kurti i bën ofertë PDK-së: Votojmë kreun e shtetit sonte, Specialen të enjten

Kosova në "pikën e fundit"...drejt zgjedhjeve! Kurti del me
albin kurti

KOSOVË- Kosova është futur në orët kritike, pasi sot përfundon afati për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar zgjedhjen e Presidentit si çështjen më urgjente për vendin.

Ai paralajmëroi se nëse dështon zgjedhja e Presidentit, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja brenda pak orësh. Ndërkaq, Kurti i propozoi PDK-së një marrëveshje, sipas së cilës, nëse sigurohen votat e nevojshme për zgjedhjen e Presidentit dhe kandidati Bekim Sejdiu merr mbështetjen e Kuvendit, atëherë të enjten do të votohet në lexim të dytë projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

"Ligji është urgjencë, por presidenti është emergjencë. Presidenti duhet të zgjidhet sot. Ligjin mund ta votojmë pastaj duke respektuar afatin 72-orësh. Le ta zgjedhim presidentin sonte dhe publikisht zotohem para jush që paraditen e së enjtes kalon leximi i dytë i projektligjit për Dhomat e Specializuara. Nëse PDK-ja zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër e kemi bashkë me LDK-në, atëherë po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Kërkojmë që të zotohen para jush”, ka thënë Kurti./ZËRI

12 ORE ME PARE

Sot afati i fundit/ Haxhiu kërkon 'sqarim' nga Kushtetuesja: Kush i shpall zgjedhjet nëse shpërndahet Kuvendi ?

Kosova në "pikën e fundit"...drejt zgjedhjeve! Kurti del me
albulena haxhiu

KOSOVË- Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri.

Zyra e Presidentes konfirmoi lajmin për Radio Evropa e Lirë, duke deklaruar se Haxhiu e ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese më 5 tetor, duke u thirrur në nenin 113, paragrafi 3, nënparagrafi 1 i Kushtetutës. Në kërkesë kërkohet të përcaktohet se kush dhe në çfarë mënyre mund t’i ushtrojë kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, në rast se presidenti i ri nuk është zgjedhur.

“Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, tha Zyra e Presidentes për REL-in.

Kush do t’i shpallte zgjedhjet?

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në mars të këtij viti, nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit të caktuar, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Por, një tjetër paqartësi është: kush do t’i shpallte zgjedhjet?

Pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet më shumë se 6 muaj, ndërsa Kushtetuta ia njeh presidentit kompetencën për shpalljen e zgjedhjeve. Pikërisht, kjo mbetet e paqartë dhe për këtë Haxhiu i është drejtuar Kushtetueses. 

“Kushtetuta këtë kompetencë ia njeh presidentit. Përcaktimi i autoritetit që mund ta ushtrojë atë në rrethanat e krijuara është një nga çështjet kryesore që ia kemi shtruar Gjykatës”, tha Zyra e Presidentes.

Sot, 6 tetor, skadon edhe afati për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Nëse Kuvendi nuk arrin të votojë kreun e ri të shtetit brenda ditës, vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja./ZËRI

16 ORE ME PARE

Sot skadon afati për zgjedhjen e presidentit! Nëse dështon votimi, Kosova shkon në zgjedhje

Kosova në "pikën e fundit"...drejt zgjedhjeve! Kurti del me
Kuvendi i Kosovës

KOSOVË- Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë sot një seancë vendimtare, në ditën e fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Afati kushtetues skadon pikërisht këtë të martë, duke e kthyer seancën në një moment kyç për zhvillimet politike në Kosovë.

Ndërkohë, në orën 09:00, protestuesit do të rikthehen para godinës së Kuvendit, ku do të kërkojnë votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Kuvendi i Kosovës i miratoi dje, në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të propozuara nga PDK-ja, por nuk u votuan në votim të dytë.

Nisma parashikon, ndër të tjera, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burg, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme dhe që dënimet të mund të shlyhen në Kosovë.

Protestuesit kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen deri në votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Specialen. Gjatë protestës së djeshme pati tensione dhe përplasje me policinë, teksa situata u shoqërua me momente konfrontimi para Kuvendit.

Ndërkohë, sot skadon edhe afati për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Nëse Kuvendi nuk arrin të votojë kreun e ri të shtetit brenda ditës, vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në vendimin e saj të fundit, caktoi 6 tetorin si ditën e fundit kur duhet të përfundojë procedura e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës. Gjykata theksoi se, nëse Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin deri më 6 tetor, atëherë shpërndarja e Kuvendit bëhet automatikisht, në bazë të Kushtetutës, dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të zhvillohen brenda 45 ditëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB