Kontrollet/ Safet Bajri nuk gjendet nga forcat RENEA në Shkodër

SHKODËR- Detaje të reja janë mësuar nga aksioni i zhvilluar sot në Dobraç. Forcat RENEA dhe Policia e Shtetit kanë që prej orëve të para të mëngjesit që ushtrojnë kontrolle në disa banesa. Një nga shtëpitë që është kontrolluar është edhe ajo e Safet Bajrit. Por edhe pse ky i fundit nuk ishte në banesë, aty nuk është gjetur asnjë send i palejuar.
Edhe pse kanë kaluar disa orë nga nisja e kontrolleve, ende nuk ka asnjë komunikatë zyrtare nga ana e Policisë së Shtetit./ZËRI
DETAJE nga aksioni në Shkodër! Operacioni në lidhje me atentatin ndaj “Audi-t A8” në Bushat
SHKODËR- Detaje të reja janë zbardhur nga aksioni i RENEA-s në Dobraç të Shkodrës. Operacioni është zhvilluar edhe në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rranxë të Bushatit më 23 Gusht 2024, ku u godit me armë autmojeti i blinduar “Audi A8”, me të cilin dyshohet se udhëtonin Samuel Troshani dhe Izmir Sakica.
Këta dy të fundit janë me masë sigurie të kërkuar nga SPAK dhe me miratim të GJKKO-së, për këtë ngjarje, masë e cila është komunikuar këtë të martë në burgun e Reçit, ku mbahen që pas vetëdorëzimit për përplasjen dhe kanosjen me armë të një anëtari të familjes Bruçi. Për përplasjen me armë në Bushat, për të cilën janë firmosur masa sigurie, më herët u shpallën në kërkim vëllezërit Andrea e Aleksandër Prendi dhe shtetasi Pjetër Dragoti.
Çfarë ndodhi me "Audin" e blinduar me 23 gusht?
Sipas burimeve të policisë kriminale në Shkodër, automjeti tip “Audi” me targa gjermane, i cili është gjetur i braktisur në vendin e ngjarjes, ka të dhëna se është përdorur për një kohë nga Eljo Hato, person ky i shpallur në kërkim nga SPAK-u, lidhur me ngjarjen e plagosjes së Taulant Pepaj në muajin shkurt 2021 në Shkodër. Por ky version ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Policia e Shkodrës.
Për ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim vëllezërit Andrea e Aleksandër Prendi. Mësohet se i përfshirë në ngjarje ka qenë dhe një kushëri i vëllezërve, i cili po ashtu është shpallur në kërkim. Mendohet se njëri prej tyre ka qëlluar nga një motorr me automatik kallashnikov në drejtim të mjetit të blinduar tip Audi, ndërsa të tjerët kanë qenë në një mjet tip BMW, që aktualisht është sekuestruar nga Policia. Autoritet kanë dyshime konkrete se mes palëve ka pasur edhe shkëmbim zjarri./ZËRI
DETAJE nga aksion në Dobraç, shtohen masat për Troshanin dhe Sakicën

SHKODËR-Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni në Dobraç të Shkodrës, aty ku dhe ndodhi dhe masakra me katër viktima. Mësohet se janë shtuar masat për Samuel Troshanin dhe Izmir Sakicën që u vetëdorëzuan në janar pasi ishin ne kërkim per dhunën ndaj Vladimir Bruçit. Izmir Sakicajt dhe Samuel Troshanit do iu komunikohet masa e re në burgun e Reçit për maskarën e Dobraçit.
Izmir Sakica dhe Samuel Troshani u vetëdorëzuan "në paqe" në Polici, pasi ndaj tyre ishte caktuar masa “arrest me burg” gjatë kohës që ata ishin shpallur në kërkim. Teksa ata u vetëdorëzuan thanë se kishin zgjedhur që të vetëdorëzoheshin për shkak se ishin pajtuar me Bruçin. Duke qenë se me "viktimën" kishin marrëveshje, vendosën që të mbyllin punë edhe me ligjin.
Sakica dhe Troshani janë në masën e arrest me burg për ngjarjen e 3 qershorit 2024 ku 5 persona me sende të forta dhunuan Vladimir Bruçin për një vendparkim, por po ashtu ndaj tyre janë ngritur dyshime se janë të përfshirë edhe në masakrën e Dobraçit, ku u vra Arlind Bushati, Hamza Lici dhe çifti Flutura dhe Bashkim Basha.
Maskara e Dobraçit/ Policia aksion blic në Shkodër! RENEA mësyn në banesën e Safet Bajrit

SHKODËR-Policia ka nisur një aksion blic në qytetin e Shkodrës lidhur me atentatin mafioz në Dobraç, ku u ekzekutuan Hamza Lici dhe Arlind Bushati, si dhe mbetën të vrarë çifti i bashkëshortëve, Bashkim dhe Flutura Basha. Aksioni ka nisur që në orën 05:30 të mëngjesit të sotëm. Sipas raportimeve Forcat RENEA ndodhen aktualisht te shtëpia e Safet Bajrit, i cili pritet të shoqërohet dhe merret në pyetje. Ende nuk dihet nëse ka të arrestuar.
Dy prej të dyshuarve në lidhje me atentatin ndodhen në burgun e Reçit. Izmir Sakicaj dhe Samuel Troshanit do u komunikohet mase e re në Burg për Dobraçin, pasi ndodheshin të arrestuar për vepra të tjera penale.
Ky është aksioni i dytë që zhvillohet në lagjen Shkodër, ku më 14 dhjetor të 2024 u ushtruan kontrolle në lagjen Kiras, Rus, Dergut apo edhe fshatrat Shtoj i ri dhe Shtoj i vjetër. Gjatë aksionit janë sekuestruar armë zjarri dhe pesë mjete të blinduara Në banesën e Safet Bajrit u sekuestruan 19 mijë euro, para që janë gjetur në një arkë kursimi të të bijës, 2 telefona, celulari i tij dhe i bashkëshortes së tij.
Masakra e Dobraçit ndodhi pasditen e 30 tetorit, kur 4 persona i zunë pritë automjetit në të cilin po udhëtonte Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës dhe një person i tretë që është përfolur të ketë qenë vetë Ibrahim Lici, i cili mendohet se ka qenë dhe shënjestra e atentatit. Megjithatë, kjo e dhënë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Kjo masakër u kushtoi jetën edhe dy kalimtarëve të rastit, Bashkim dhe Flutura Basha, të cilët po ktheheshin nga puna në shtëpi, kur motoçikleta e tyre u përplas nga "Benzi" i Hamza Licit që kishte humbur jetën në timon. Flutura ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha ndërroi jetë në spital./ZËRI