SERBI- Vetëm pak orë para ndeshjes së sotme, Federata Serbe e Futbollit ka organizuar një drekë zyrtare me përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në një foto të publikuar, vihet re se nga delegacioni shqiptar ishte i pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ndërsa nga pala serbe morën pjesë Presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë, Dragan Džajić, si dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të institucionit.
Bëhet me dije se gjatë drekës është folur për organizimin e ndeshjes së sotme, ku Duka ka vlerësuar masat e rrepta të marra nga autoritetet serbe për mbarëvajtjen e lojës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Federata Shqiptare e Futbollit, e cila ka publikuar fotot nga ky takim.
Ndeshja Serbi–Shqipëri, e cila zhvillohet në orën 20:45, nuk do të luhet në kryeqytetin serb, por në qytetin e vogël Leskovac, ku stadiumi ka një kapacitet prej vetëm 8,100 spektatorësh. Sektori për tifozët shqiptarë do të mungojë, pasi biletat nuk ishin në shitje të lirë. Organizatorët vendas dhe UEFA synojnë të shmangin përsëritjen e skandalit të tetorit 2014.
Forca të shumta policore kanë rrethuar hotelin ku është akomoduar Kombëtarja, ndërsa lokacioni është mbajtur sekret për mediat. Kuqezinjtë u nisën me çarter drejt Serbisë në orën 11:00 të paradites së premtes nga aeroporti “Nënë Tereza”, me destinacion qytetin e Nishit. Pikërisht aty, rreth 30 minuta larg Leskovacit, ndodhet qendra e grumbullimit të Kombëtares, me qëllim shmangien e turmave të tifozëve kundërshtarë të mbledhur për ndeshjen. Nga aty realizohen të gjitha lëvizjet drejt stadiumit “Dubocica”, nën kontrollin e rreptë të policisë./ZËRI