Plagosja në Tiranë/ 7 persona ishin ulur në një tavolinë, sherri nisi për paratë me fajde (DINAMIKA)

TIRANË- Të tjera detaje janë zbardhur nga plagosja me armë zjarri që ndodhi këtë mbrëmje në rrugën “Rruga e Kosovarëve” në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë. Mësohet se 7 persona kanë qenë të ulur së bashku në një tavolinë, ndërsa 2 prej tyre janë konfliktuar me fjalë dhe më pas kanë goditur njëri-tjetrin.
Pas këtij sherri, një prej personave ka qëlluar me armë zjarri, ku si pasojë është plagosur një person, i cili u transportua në spitalin privat “American 2”. Ndërsa, mësohet se përplasja mes tyre ka ndodhur për paratë me fajde.
Deri më tani, nuk ka asnjë informacion rreth identitetit dhe moshës së të plagosurit, apo të personave të tjerë të pranishëm në vendngjarje./ZËRI
Plagosje me armë zjarri në Tiranë, “Range Rover” me sirena policie çan rrugën, transporton një person në spital privat

TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja që ndodhi sonte në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë, ku një person mbeti i plagosur si pasojë e një konflikti me armë zjarri. Sipas burimeve të "ZËRI”, një makinë tip “Range Rover” i zi zyrtar, me sirena policie, i ka prirë ambulancës, ndërsa para ishte dhe një makinë policie.
Makina ka lëvizur me shumë shpejtësi, së bashku me një fuoristradë të bardhë, ndërsa janë përpjekur që të hapin rrugën për të transportuar të plagosurin në spital. Makinat kanë mbajtur gjatë gjithë rrugës borinë aktive, dhe kanë shkuar në drejtim të komunës.
Po ashtu, bëhet me dije se personi i plagosur është transportuar në spitalin privat "American 2" për të marrë mjekim. /ZËRI
Të shtëna me armë zjarri në Tiranë

TIRANË- Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar këtë mbrëmje te diga te Liqeni Artificial në Tiranë, ku si pasojë është plagosur një person. Policia ndodhet në venndgjarje dhe ka rrethuar zonën.
Po ashtu, efektivët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes./ZËRI