Maliqi kundër hartës së re territoriale, qytetarët thërrasin protestë të dielën
TIRANË- Drafti i Partisë Socialiste për reformën e re administrativo-territoriale ka nxitur reagime dhe protesta në disa bashki që parashikohen të shkrihen në hartën e re.
Sipas draftit të PS, parashikohet: Maliq + Korçë → Bashkia Korçë.
Banorët e Maliqit kanë njoftuar se do të dalin në protestë kundër propozimit për bashkimin e kësaj bashkie me Korçën. Protesta pritet të zhvillohet ditën e diel, në orën 19:00.
Sipas draftit të PS për hartën e re territoriale, parashikohet shkrirja e 15 bashkive në rang vendi. Përveç Maliqit, në listën e bashkive që propozohet të bashkohen janë Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Përrenjasi./ZËRI
Klosi kundër shkrirjes me Matin, administrata bojkoton punën (VIDEO)
KLOS- Administrata e Bashkisë Klos ka bojkotuar punën në shenjë proteste ndaj propozimit për hartën e re territoriale të paraqitur nga Partia Socialiste.
Punonjësit e bashkisë kanë dalë në protestë kundër parashikimit për shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat, sipas propozimit të reformës së re administrativo-territoriale.
Sipas draftit propozohet bashkimi: Klos + Mat → Bashkia Mat
Protesta ka zgjatur rreth 10 minuta, ndërsa administrata ka bërë të ditur se kundërshton këtë vendim dhe kërkon që Klosi të vijojë të mbetet bashki më vete. Punonjësit paralajmërojnë se protestat do të vijojnë deri në një rishikim të propozimit dhe marrjen e një vendimi tjetër për të ardhmen administrative të zonës.
Drafti i Partisë Socialiste për reformën e re administrativo-territoriale u bë publik një ditë më parë dhe ka shkaktuar reagime në disa zona, ku bashki të ndryshme kundërshtojnë propozimet për bashkim ose shkrirje.
Sakaq, protesta janë njoftuar edhe në Belsh dhe Prrenjas, edhe këto dy bashki që me propozimin e mazhorancës pritet të shkrihen.


Gjatë ditës së djeshme, në Poliçan është zhvilluar një protestë kundër draftit të Reformës Territoriale, ku banorët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj propozimit për ndryshimin e statusit të bashkisë. Një nga momentet më të forta të tubimit ishte djegia e teserave të anëtarësisë së Partisë Socialiste nga disa protestues, si shenjë revolte ndaj vendimit të propozuar. Gjatë protestës, kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erjon Zylyftari, njoftoi dorëheqjen duke e cilësuar prekjen e Bashkisë së Poliçanit nga Reforma Territoriale si "një padrejtësi" dhe "një turp të madh".
Një ditë më parë, 30 korrik, Partia Socialiste depozituar në Kuvend propozimin për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, e cila parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive në 15 të tilla, nga 61 në 46.
Në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, të cilat do t’i bashkohen bashkive më të mëdha.
Sipas propozimit, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet./ZËRI