LIVE UPDATES

"Shqipja, nuk është opsion, por identitet"! Studentët shqiptarë protestojnë në Shkup: Kryeministër jep dorëheqjen

➤Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë dalë në protesta në Shkup, ku kërkojnë që gjuha e tyre amtare shqipja, të zbatohet në proceset mësimore.➤Studentët kërkojnë që e drejta e dhënies së provimeve të jurisprudencës në gjuhën shqipe të zbatohet në praktikë ë përputhje me të drejtat e tyre ligjore. ➤Po ashtu, ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Drejtësisë Igor Filkov. ➤Ndërkohë edhe Universiteti i Tiranës ka dalë në mbështetje të studentëve të Maqedonisë së Veriut, ku nënvizon se përdorimi i gjuhës amtare në arsim dhe në vlerësimin profesional nuk është privilegj, por një standard i njohur ndërkombëtarisht. ➤Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha thotë se kërkesa e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është e drejtë dhe legjitime.

3 artikuj për këtë temë.
1 MUAJ ME PARE

"Gjuha amtare nuk është privilegj"/ UT në krah të studentëve në Shkup: Mbështesim çdo përpjekje

"Shqipja, nuk është opsion, por identitet"! Studentët
Foto ilustruese

TIRANË- Universiteti i Tiranës qëndron në krah të protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Përmes një reagimi publik, UT mbështet kërkesën e studentëve për përdorimin e gjuhës amtare në proceset arsimore në Maqedoninë e Veriut.

Sipas UT-së, mosrespektimi i kësaj të drejte themelore rrezikon të cenojë besimin në institucionet shtetërore dhe gjithashtu dëmton zhvillimin profesional të studentëve.

Reagimi i plotë:

Universiteti i Tiranës shpreh mbështetjen e plotë për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po kërkojnë realizimin e një të drejte themelore: përdorimin e gjuhës së tyre amtare në proceset arsimore dhe profesionale.

E drejta për t’u arsimuar dhe për t’u vlerësuar në gjuhën amtare nuk është privilegj, por një standard i njohur ndërkombëtarisht dhe një element thelbësor i barazisë reale në shoqëri shumëgjuhëshe. Kur studentët ndjekin studimet e tyre në një gjuhë të caktuar, është e drejtë legjitime që edhe vlerësimi përfundimtar profesional të bëhet në të njëjtën gjuhë.

Kërkesa e studentëve shqiptarë për të zhvilluar provimet shtetërore në gjuhën shqipe përfaqëson një aspiratë të drejtë për barazi, dinjitet dhe mosdiskriminim. Mosrespektimi i këtij parimi rrezikon të krijojë pengesa të panevojshme në zhvillimin profesional të tyre dhe të cenojë besimin në institucionet shtetërore.

Universiteti i Tiranës mbështet çdo përpjekje që synon forcimin e të drejtave gjuhësore dhe garantimin e standardeve të barabarta në arsim dhe në jetën publike. Ne inkurajojmë institucionet përkatëse që, në frymën e ligjit dhe të bashkëjetesës demokratike, të gjejnë zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse. Respektimi i diversitetit gjuhësor nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe vlerë që pasuron shoqërinë dhe forcon kohezionin social në rrugën e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha

/ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Protesta për gjuhën shqipe në Shkup, reagon ministri Hoxha: Gjuha amtare e drejtë themelore

"Shqipja, nuk është opsion, por identitet"! Studentët
Ferit Hoxha dhe protesta në Maqedoni

TIRANË- Protesta e studentëve shqiptarë në mbrojtje të përdorimit të gjuhës shqipe ka nxitur reagimin e ministrit të vendit tonë për Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri theksoi se e ka ndjekur me vëmendje shqetësimin dhe kërkesën e studentëve për zhvillimin e provimeve në gjuhën shqipe.

Sipas tij, në rast se procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, institucionet kanë detyrimin të ofrojnë zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme. Ministri Hoxha theksoi gjithashtu se kjo çështje kërkon një trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, duke shmangur politizimin, ndërsa nënvizoi rëndësinë e respektimit të të drejtave themelore dhe funksionimit të shtetit ligjor.

Ai vlerësoi angazhimin e studentëve, duke i përgëzuar për mënyrën demokratike të artikulimit të kërkesave të tyre.

“E kam ndjekur me vëmendjen më të madhe shqetësimin e shprehur dhe kërkesën e drejtë dhe legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimit në #gjuhën shqipe.

Përdorimi i gjuhës #amëtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga #Kushtetuta e #Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e #Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë. Nëse procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, është detyrim institucional që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme.

Kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për #politizim. Ajo duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore.

#Demokracitë jo vetëm që kanë mekanizmat, por edhe pjekurinë e nevojshme për të gjetur zgjidhje ku harmonizohen shteti ligjor, legjislacioni dhe të drejtat e qytetarëve.

#Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard #përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara.”- shkroi ministri Hoxha.

Reagimi i tij vjen në një kohë kur studentët shqiptarë në Shkup po kërkojnë që provimet universitare të zhvillohen në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një të drejtë të tyre të garantuar me ligj./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

VIDEO/ “Gjuha shqipe nuk negociohet”, mjëra studentë shqiptarë protestojnë në Shkup

"Shqipja, nuk është opsion, por identitet"! Studentët
Foto nga protesta në Maqedoninë e Veriut

SHKUP- Studentët shqiptarë po protestojnë sot në sheshin kryesor të Shkupit në mbrojtje të gjuhës shqipe. Qindra studentë mbajnë në duar pankarta me mesazhe të forta.

“Mos e mohoni një të drejtë të fituar”, “Ligji për gjuhët është lex specialis!”, “Gjuha shqipe nuk negociohet”- këto janë disa nga mesazhet kryesore të studentëve.

"Shqipja, nuk është opsion, por identitet"! Studentët
Foto nga protesta në Maqedoninë e Veriut

Studentët shqiptarë kërkojnë që provimi i Jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe. Përveç barazisë, ata kërkojnë edhe dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Fillkov.

Protesta e sotme është një nga reagimet më të forta të kohëve të fundit në Maqedoninë e Veriut. Organizatorët kanë bërë thirrje për një protestë paqësore dhe për përmbushjen e kërkesës së tyre kryesore: zhvillimin e provimeve në gjuhën shqipe.

Debati për Ligjin e Gjuhëve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut filloi në shtator të vitit 2017, por miratimi i këtij ligji ngeci për shkak të Partisë VMRO. Në vitin 2018, ligji i miratuar për dygjuhësinë vendosi që gjuha shqipe të jetë zyrtare jo vetëm në komunat me të paktën 20% të popullsisë shqiptare, por edhe në nivel kombëtar.

Pas peticionit të mbi 380 studentëve, qëndrimet zyrtare kanë pësuar luhatje, nga pranimi fillestar i së drejtës, deri te arsyetimi se nevojiten ndryshime ligjore. Ndërkohë, autoritetet kanë paralajmëruar formimin e një grupi pune, edhe pse ekspertët juridikë theksojnë se baza ligjore për përdorimin e shqipes tashmë ekziston./ZËRI

 

Poll

MOS HUMB