PROFIL- Kush është Safet Bajri?

TIRANË- Dikur ishte krimineli më i kërkuar dhe më i përfolur nga mediat belge, sot gati një dekadë më vonë është në pranga! Mëngjesin e sotëm, Safet Bajri u kërkua që të paraqitej në Drejtorinë e Policisë Shkodër, kështu në kushtet e një personi që vetëm pak orë më parë kishte thurur lavde dhe elozhe ndaj uniformave blu dhe SPAK, duhet të shkonte…
Edhe nëse e kishte kuptuar se ishte e gjitha një karrem për ta prangosur!
Nga Shkodra, Safet Bajri u soll në Tiranë ku tashmë do të duhet të japë llogari për vrasjen e Fatbardh Licit; njeriut që edhe pse kishte lidhje kumbarie, nuk iu desh të mendohej dy herë për t'i marrë jetën.
Por kush është Safet Bajri (Rustemi)?
Një ndër personazhet më të përfolur në media, kur përveçse është diskutuar shumë lidhur me të, edhe ai vetë nuk ka munguar për të thënë “të vërtetën” e tij. Sigurisht këtë hapësirë e gjeti vetëm në mediat shqiptare, pasi ato belge, si “Le derniere heure”, i ishin vënë këmba-këmbës për ta denoncuar publikisht si një nga personazhet më të pamëshirshëm të botës së krimit në vendin e tyre.
Mediat belge e kishin të qartë me kë kishin të bënin dhe nuk nguronin që ta tregonin në çdo artikull, kurdoherë! Fisi Bajri, sipas tyre, ishin të investuar në prostitucion, zhvatje, kërcënime serioze për jetën deri edhe në eliminime fizike. Por nëse koka është tjetër kush për drejtësinë shqiptare, për belgët ai që spikaste kishte vetëm një emër! ‘Mbreti’ apo ndryshe ‘Lordi’; kështu e quante veten Safet Bajri.
Sipas policisë belge, banda nga Shkodra e zhvillonte aktivitetin e saj kriminal kryesisht në Bruksel, por në mendje kishin mbetur shqiptarë.
Ishin të gjithë vëllezër e djem xhaxhallarësh, por në krye ishte më i madhi, Ilir Bajraj, me mbiemrin e ndryshuar Rustemi. Në radhë, po sipas dosjes belge të Bajrave, Iliri zëvendësohej në punët e tij nga vëllai i dytë Sead Selhani (edhe ky me mbiemër të ndryshuar), i njohur si Dushi.
I treti në radhë vinte Safet Rustemi dhe i fundit, Bardhyl Rustemi. Të paktën këta kanë identifikuar belgët, pasi në Shqipëri, njihen edhe Behar dhe Enver Bajri që gjithashtu janë krahë shumë të fortë të fisit, por që tashmë të dy janë në qeli. Për autoritetet shqiptare është Enver Bajri “truri” i fisit.
Nëpër rrugët e Belgjikës po tentonin të merrnin sa më shumë territor të mundeshin. Ata po tentonin të rrisnin influencën mbi prostitucionin dhe trafikun e drogës, veçanërisht duke sulmuar pronarët e disa lokaleve për t’u marrë atyre baret nën kontroll duke u vendosur gjoba. Ishte denoncimi i një prej këtyre pronarëve, ai që solli edhe ekspozimin e tyre.
Bajrat në Belgjikë nuk ushtronin terror vetëm mbi pronarët e lokaleve, por kishin krijuar edhe një rrjet të gjerë të prostitucioni. Në dosjen e përpiluar nga autoritetet e Brukselit u zbulua një histori tronditëse me viktimë një vajzë të quajtur Anxhela (me shumë gjasa jo emri i saj i vërtetë). Dhuna e Safet Bajrit ndaj vajzave që prostituonin ishte rrëqethëse. Anxhela tregon sesi Safet Bajri i kishte thyer legenin.
“Anxhela më pas dëgon një mesazh/SMS në Shqipëri, në të cilin i shpreh korrespondentit të saj që ka legenin të thyer dhe se është Safeti që e ka goditur. Të nesërmen në një bisedë me Sabrinën, Anxhela i thotë se ajo vetëm sa e pyeti Safet Rustemin, për arsyen që e shtynte të pinte aq shumë në një kohë që ajo punonte për të pa problem, që pastronte, që lante enët dhe përgatiste për të ngrënë për të. Një ditë më pas Anxhela i thotë Sabrinës që ka shkuar në spital për të hequr fashot nga legeni dhe duhet sërish të punojë pasi nuk kishte para.”
Por pse ishte dhunuar?
Anxhela i tregon një vajze tjetër në lidhje me festën e organizuar me rastin e ditëlindjes së Safetit. Në festë e sipër, ai i kishte kërkuar para, 3200 euro, për t’ja dhënë këngëtares; shumë që Anxhelës i duheshin 3 muaj t’i fitonte.
Për të gjitha këto akuza, Bajri u vendos në burg! Edhe pse u lirua në datën 22 dhjetor 2015, sërish u arrestua më 17 tetor 2016. E sërish u lirua dhe vazhdoi të ushtronte normalisht aktivitetin e tij në trafikun e qenieve njerëzore. Por përveçse asaj që bënte në Belgjikë, mediat kishin kërkuar gjerë e gjatë edhe për aktivitetin e familjes në Shqipëri.
“Emri i njërit prej kriminelëve më të kërkuar të Belgjikës ndodhet në një hartë plazh të Adriatikut. Ne morëm planet e pushtimit të plazheve të Velipojës. Afër Shkodrës në Shqipërinë e Veriut, Velipojë është një nga plazhet më të bukura të Adriatikut. Dhe këtu, në këtë nivel, papritur, lexojmë emrin Safet Bajri. Emri i përdorur nga Safet Rustemi, një prej kriminelëve më të kërkuar në Belgjikë. 5 familjet e më të fortëve të Shkodrës shfrytëzojnë Velipojën. Safet Rustemi shfrytëzon 620 shtretër plazhi dhe shezlongë. Safet Bajri zë një vend qëndror në Plazhin e Velipojës. 5 familjet e më të fortëve të shkodrës shfrytëzojnë Velipojën,”-shkruhej nga mediat belge për Rustemin.
Për të gjitha këto akuza, në një intervistë të dhënë për Report Tv, Bajri i zeroi duke u shprehur në Belgjikë e diskriminonin se ishte shqiptar.
Fliste se nuk kishte të ardhura, madje ishte në borxh me avokatin dhe se "mbante frymën gjallë" me një rezervuar ku kultivonte peshq. Në 2018, thoshte se nuk kishte as mjete të blinduara, ndryshe nga intervista e pak ditëve më parë.
“Më liruan, më prenë biletën e avionit, më hipën në avion dhe më kthyen në Shqipëri. Tani më kanë dënuar në mungesë. Flet parlamenti belg, flet ministri i Drejtësisë i Belgjikës. Pse nuk foli në kohën kur u falsifikua dosja dhe më arrestuan? Apo se jam shqiptar? Për sa i përket plazheve është fare e thjeshtë dhe është diçka që verifikohet. Unë nuk kam asnjë lloj plazhi. Nuk kam asnjë lloj prone dhe këtë mund ta verifikoni në bashki. Me peshkun kam punuar shumë sepse kam një rezervuar, sa për të jetuar. Blindat? S’kam asnjë lloj automjeti. Ku t’i marr?,"-thoshte Bajri.
Atë vit, disa muaj pasi dha intervistën, u vendos në pranga në kuadër të operacionit “Oaz”, si kreu i organizatës bashkë me kushërinjtë e tij Ilir dhe Behar Bajri, ku akuzoheshin se vendosnin gjoba dhe kryenin aktivitete ilegale, deri te shitja e drogës. Me shumë bujë u përcoll arrestimi i tij dhe i grupit, por dënimi “shfryu” gjithçka. Belgjika me 9 vite burg, ndërsa Gjykata e Shkodrës i dha vetëm 2 vite e 6 muaj heqje lirie.
Dënimin e kreu për të dalë "i pastër" nga qelia e burgut të Kosovës, gati për të nisur një jetë të re.
Pas lirimit, Safet Bajri ishte “zhdukur” nga ngjarjet kriminale të paktën në dukje. Deri pak ditë më parë kur u detyra që të dilte dhe të mbronte veten. Në "TopChannel" i bëri alibinë vetes se përse iu gjendën makinat e tij të blinduara në Bushat.
"Për ngjarjen e Bushatit, ata persona as nuk i njeh kërkush, as nuk i njoh unë, as nuk i njohin çunat. Nuk kanë patur problem kurrë me ata çuna. Janë tre makina, kanë shkuar në një zonë, ku është hapur zjarr. Si munden me shku tre makina, të cilat janë të njohura se të kujt janë, “Benzi” dhe “Audi” me targa franceze janë makinat e mia, se i kam përdorur unë për çdo ditë. Si mundet, me shku tre makina të blinduara, me përgatit kushte për një vrasje, kur janë tre makina që i njef e gjithë Shkodra se kush i ka. Unë jam i sigurt 1000% se ata persona nuk kanë patur asnjë gjë në drejtim as të atyre çunave dhe as në drejtim temin apo në drejtim të makinave, veç se kanë dyshuar për gjërat e veta se çfarë janë këto makina që kanë ndalur këtu. Nuk po e konfirmoj se kam qenë në Bushat, do të doja të isha. Të isha unë aty asnjë makinë s’do kisha lejuar të largohej nga vendngjarja, do të kisha telefonuar Policinë dhe do i kisha thënë “hajdeni këtu”, nuk do t’i kisha lënë. Makinat janë të blinduara, pse duhet t’i lëvizësh prej vendngjarjes dhe kur kalon një motorr dhe qëllon. "
Por nuk do të ishte ngjarja e Bushatit (e pazbardhur akoma), ajo që do ta vendoste në pranga!
Mesa duket e shkuara e errët nuk e fali!
Sot, "hija" e atij që kishin lidhje kumbarie e ndoqi dhe e vendosi në pranga. Mëngjesin e gushtit të 2018, Safet Bajri dhe Astmer Bilali kishin shkuar për të ekzekutuar Fatbardh Licin. Sipas Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, panorama është e qartë; vrasja e Silvi Ndocit dhe Boran Bërçanës e kishte shqetësuar Behar Bajrin. Ky i fundit ishte i bindur që autori i vrasjes ishte Ibrahim Lici, nipi i viktimës. Në pamundësi për të gjetur atë që është bërë "Fantazma", Bajrajt ekzekutuan xhaxhanë e Ibrahimit, duke fshirë çdo miqësi që kishin lidhur me të deri në atë moment. Me këtë "goditje" SPAK duket se ka zbuluar dy ngjarje kriminale, vrasjen e çiftit dhe ekzekutimin e Licit, provë që çimenton përplasjen mes dy fiseve. Tashmë duket se dominoja e parë ra. Shumë pak duket për të zbërthyer zinxhirin e ekzekutimeve që në 2018 e kthyen Shkodrën në Palermon e kohëve moderne. Madje jo vetëm aq!
Duket sikur prej asokohe vendi nuk ka gjetur qetësi duke numëruar vetëm viktimat dhe plumbat në vendngjarje. Tashmë duket se është radha që të ketë edhe autorë, edhe drejtësi!/ZËRI
Hakmarrja për vrasjen e Boran Bërçanës, si u vra ish-polici dhe bashkëjetuesja e tij, krimi u dëshmua nga djali i tyre 2-vjeçar

SHKODËR- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka arrestuar Safet Bajrin, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me Astmer Bilalin dhe Behar Bajrin për të vrarë Fatbardh Licin. Sipas SPAK, Fatbardh Licit është vrarë si shenjë hakmarrje për vrasjen e ish-policit Boran Bërçana 8 vite më parë së bashku me bashkëjetuesen e tij Silva Ndoci. Kjo sepse Behar Bajri ka bërë fajtor Ibrahim Licin për vrasjen e tyre.
Si ndodhi vrasja e Boran Bërçanës dhe Silva Ndocit?
Më 15 korrik të 2018 u vra ish-punonjësi i policisë Boran Bërcana, 30 vjeç, dhe bashkëjetuesja e tij Silva Ndoci, 25 vjeç,. Ata u ekzekutuan pak pas mesnate teksa ishin në automjetin e tyre. E gjithë ngjarja tronditëse ndodhi para syve të djalit të tyre 2-vjeçar, i cili u gjet në prehrin e nënës. Në vendngjarje u gjetën 23 gëzhoja, ndërsa autorëve iu deshën vetëm 7 sekonda për t’i ekzekutuar.
Djali i vogël dyshohej se ka qenë në gjumë në pjesën e pasme të makinës, por nga të shtënat iu është afruar nënës së tij. Ai ka qëndruar rreth 5 orë brenda makinës, ndërsa fjalët e tij të para që ka thënë kur është gjetur kanë qenë: “Mami, babi, pis...”
Viktimat u gjetën të vrarë nga fqinjët e tyre në orët e para të mëngjesit. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Naim Gjylbegu” në Shkodër. Policia, asokohe dyshonte se autorët kishin organizuar gjithçka dhe kishin pritur deri sa çifti mbërriti në shtëpi, për t’i ekzekutuar.
"Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve që po zhvillon për procedimin penal nr. 112 të vitit 2019 ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues. Gjykata e Posaçme me vendimin nr. 12, datë 17.02.2025, ka vendosur: – Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg“, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personave nën hetim B.B; A.B dhe S.R, të dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës F.L, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 78/2 e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal;
Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedim penal, i cili lidhet me disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018, rezulton se janë mbledhur prova mbi të cilat është krijuar dyshimi i arsyeshëm se personat nën hetim; B.B; A.B dhe S.R kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer më 10.08.2018, në qytetin e Shkodrës, vrasjen me armë zjarri të shtetasit F. L, i afërm i shtetasit I.L.
Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet ndër të tjera me atribuimin që shtetasi B.B, i bën shtetasit I.L për vrasjen e të njohurit të tij, shtetasit B.B. Në datën 21.02.2025, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar masat e sigurisë për personat nën hetim B.B; A.B dhe S.R.
Prokuroria e Posaçme falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër për bashkëpunimin në fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë", njofton SPAK.
*Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë./ZËRI
Saga e vrasjeve në Shkodër

TIRANË- Struktura e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi dy ditë më parë një aksion në Shkodër ku ushtruan kontrolle në shtëpinë e Safet Bajrit. Ndërsa, sot, Bajri u vendos në pranga me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Por si nisi saga e ngjarjeve në Shkodër?
Saga e vrasjeve në në Shkodër nisi në qershor të 2018 me vrasjen e biznesmenit Mehdi Kavaja. Pas vrasjes së tij, më 15 korrik u vra ish-polici Boran Bërçana dhe bashkëjetuesja e tij, Silva Ndoci.
Më 10 gusht u vra Fatbardh Lici, kunati i biznesmenit Lulzim Kulla. Lici ishte duke pirë kafe në një lokal në lagjen Kiras në Shkodër. Dy persona iu afruan, njëri prej tyre doli nga makina tip "Mercedez Benz" duke qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim tij. Në zonën e Shkodrës, ai njihej edhe si kunati i Lul Kullës, i njohur si i “forti” i Shkodrës. Por emri i Fatbardh Licit u ka dalë edhe në rastin e arrestimit të disa gjobvënësve në Shkodër. Fatbardh Lici është xhaxhai i Muhamet, Ibrahim dhe të ndjerit Hamza Lici, i cili u vra pak muaj më parë në hyrje të lagjes Dobraç, zonë e njohur si territor i Bajrave.
Po në gusht të atij viti më datë 23 u zhdukën Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, të cilit kishin lidhje familjare, dajë dhe nip. Pas zhdukjes së tyre vetëm 4 ditë më vonë, më 27 gusht u vra Prendush Fusha.
Por, vrasjet nuk u ndalën me aq, më 1 shtator u ekzekutua biznesmeni Arjan Ferracaku, dy muaj më vonë në 14 nëntor, mbeti viktimë Fatos Ferracaku, i cili ishte kushëriri i Arjanit dhe ishte tregtar peshku. Por, pasi viti 2018 u mbyll me 7 vrasje dhe 2 të zhdukur, saga nuk u ndal deri këtu, por ekzekutimet vazhduan deri më 2019.
Sot 7 vite më vonë, Safet Bajri ka rënë në pranga të SPAK, për vrasjen e Fatbardh Licit. Prokuroria e Posaçme përmes një njoftimi zyrtar ka njoftuar se ka mbledhur prova të mjaftueshme për të zbardhur ekzekutimin, për të cilin 'fajësoi', Behar dhe Safet Bajrin dhe Astmer Bilalin. Po sipas SPAK, motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet me faktin që Behar Bajri ka bërë fajtor Ibrahim Licin për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Boran Bërçana. Ky i fundit u ekzekutua bashkë me bashkëjetuesen e tij, Silva Ndocin, në mjetin e tyre. Kështu për të marrë hak, Bajrajt dhe Bilalit. Për të tre rëndojnë veprat penale: "vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës F.L, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”./ZËRI
Zbardhet vrasja e Fatbardh Licit/ SPAK: Shkak ekzekutimi i Boran Bërcanës

TIRANË- U deshën 7 vite por Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur më në fund vrasjen e Fatbardh Licit. SPAK ka bërë me dije se ka mbledhur prova të mjaftueshme për të zbardhur ekzekutimin, për të cilin 'fajësoi', Behar dhe Safet Bajrin dhe Astmer Bilalin. Po sipas SPAK, motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet me faktin që Behar Bajri ka bërë fajtor Ibrahim Licin për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Boran Bërçana. Ky i fundit u ekzekutua bashkë me bashkëjetuesen e tij, Silva Ndocin, në mjetin e tyre. Kështu për të marrë hak, Bajrajt dhe Bilalit.
Për të tre rëndojnë veprat penale: "vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës F.L, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
NJOFTIM PËR SHTYP:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve që po zhvillon për procedimin penal nr. 112 të vitit 2019 ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues. Gjykata e Posaçme me vendimin nr. 12, datë 17.02.2025, ka vendosur: – Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg“, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personave nën hetim B.B; A.B dhe S.R, të dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës F.L, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 78/2 e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal;
Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedim penal, i cili lidhet me disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018, rezulton se janë mbledhur prova mbi të cilat është krijuar dyshimi i arsyeshëm se personat nën hetim; B.B; A.B dhe S.R kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer më 10.08.2018, në qytetin e Shkodrës, vrasjen me armë zjarri të shtetasit F. L, i afërm i shtetasit I.L.
Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet ndër të tjera me atribuimin që shtetasi B.B, i bën shtetasit I.L për vrasjen e të njohurit të tij, shtetasit B.B. Në datën 21.02.2025, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar masat e sigurisë për personat nën hetim B.B; A.B dhe S.R.
Prokuroria e Posaçme falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër për bashkëpunimin në fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë.
*Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë./ZËRI
Arrestimi i Safet Bajrit/ Avokati: U paraqit vetë në policinë e Shkodrës

TIRANË- Avokati i Safet Bajrit, Sokol Tahiraj ka deklaruar se klienti it ij është paraqitur vetë në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Ai është paraqitur vetë në Drejtori pasi është thirrur për verifikim për të marrë ADN-në.
“Nuk është arrestuar në shtëpi por e kanë thirrur në drejtorinë e Shkodrës. Ka shkuar vetë,”- mësohet të ketë thënë avokati.
E njëjta masë sigurie, "arrest me burg", është lëshuar edhe për Astmer Bilalin dhe për Behar Bajrin. Ky i fundit ndodhet aktualisht në burgun e Reçit ku do t’i komunikohet masa dhe akuza e re e ngritur nga SPAK./ZËRI
Fletëarrest për shokun e Safet Bajrit dhe kushëririn e tij, ku ndodhen sot Astmer Bilali dhe Behar Bajri

TIRANË-Forcat Speciale "RENEA" kanë arrestuar me urdhër të GJKKO këtë të premte Safet Bajri. Por masa sigurie 'arrest në burg' është firmosur edhe për Astmer Bilalin dhe kushëririn e tij Behar Bajri. Dyshohet se Safet Bajri bashkëpunoi me Asmer Bilalin për të vrarë Fatbardh Licin, ngjarje e ndodhur në 2018.
Teksa Safet Bajri ndodhet në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës, dy bashkëpuntorët e dyshuar të tij ndodhen në burg. Astmer Bilali dhe Behar Bajri ndodhen në burg nga korriku i vitit 2023 në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.
Behar Bajri u arrestua më datë 4 shtator 2023 në një lokal në Strasburg të Francës, pasi ishte shpallur në kërkim në korrik 2023 në kuadër të dosjes “Metamorfoza”. Ai u ekstradua nga Franca, më 16 nëntor 2023, nën masa të rrepta të sigurisë. Ndaj tij rëndojnë 7 akuza, ku ndër më të rëndat janë vrasja dhe grupi i strukturuar kriminal. Hetimet për zbërthimin e bisedave në aplikacionin Sky Ecc nisën pas informacioneve nga autoritetet holandeze, belge dhe franceze. Në bisedat e përgjuara, biznesmeni Pëllumb Gjoka, po ashtu i vënë në pranga në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, i ka kërkuar Bajrit që të vriste për 120 mijë euro Klenthi Musabelliun, ish-punonjës në policinë e burgjeve.
Në dosjen “Metamorfoza”, Bajri akuzohet si organizator i vrasjes së Gjin Boriçit për llogari të të zhdukurit Ervis Martinaj, sigurimin e personave për vrasjen e mbetur në tentativë të Kleanthi Musabelliut, për llogari të biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe porositës i vrasjeve që nuk u kryen asnjëherë të Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Ibrahim Licit. Të gjitha këto ngjarje, Bajri i organizoi e planifikoi pas daljes nga burgu me masë të lehtësuar arresti, të firmosur nga prokurori Xhevahir Lita, i arrestuar pasi dyshohet se mori 30 mijë euro për këtë nder.
Astmer Bilali, ish-kampioni i boksit u arrestua më 27 Korrik 2023. Bisedat dhe provat e mbledhura nga hetimi tregojnë se Bilali me bashkëpunëtorët e tjerë tentuan dhe siguruan kushte për të vrarë Dorjan Dulin, Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin, atentate që dështuan. Emri i Astmer Bilalit ishte përmendur edhe më herët.
Bilali u arrestua në vitin 2018 si pjesë e grupit “Bajri”. Në 2020-n Astmer Bilali u dënua nga gjykata me 3 vite heqje lirie, me gjykim të shkurtuar. Ai akuzohej për armëmbajtje pa leje, ndërtim i paligjshëm dhe paracaktim i rezultateve sportive. Astmer Bilali është hasmëri me familjen Lici në Shkodër. Po ashtu ai u përmend nga Fahrije Alija, nëna e Endri Mustafës, ky i fundit i vrarë në Maj të 2021-t, si porositës dhe i implikuar drejtpërdrejtë në vrasjen e të birit. Ajo akuzoi prokurorinë e Shkodrës se po e mbronte Astmer Bilalin nga akuzat e ngritura ndaj tij.
Kujtojmë po ashtu se babai dhe xhaxhai i Astmer Bilalit, Astrit Bilali dhe Brahim Bilali, u vranë me armë zjarri në 2019-n. Babai i tij ishte një biznesmen i njohur në Shkodër pasi zotëronte një resort hipizmi në zonën e Livadheve. Emri i Astmer Bilalit u permend po ashtu si i dyshuar edhe për vrasjen e Ismet Çekores, i ekzekutuar po në Shkodër në Shkurt të 2022-t./ZËRI
7 vite për t'u zbardhur, por drejtësia nuk harroi! SPAK zbardh vrasjen e Fatbardh Licit, si u vra mes Kirasit kunati i Lul Kullës

SHKODËR- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur vrasjen e Fatbardh Licin. Vrasja ndodhi më 10 Gusht 2018 teksa Lici ishte duke pirë kafe në një lokal në lagjen Kiras në Shkodër. Dy persona iu afruan, njëri prej tyre doli nga makina tip "Mercedez Benz" duke qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të Fatbardh Licit.
Asokohe, sipas dëshmitarëve okularë, autori nuk kishte qenë i maskuar, por në zonë nuk kishte kamera sigurie, ndaj edhe identetieti i tij nuk u zbulua kurrë. Për vite me radhë, Policia e Shtetit shpresoi se tek makina e djegur dhe arma do të gjenin gjurmë për identifikimin e atentatorëve, por deri më sot nuk kishte ndodhur.
Për 7 vite, pista kryesore e hetimeve mbeti hakmarrja.
Edhe viktima nuk ishte një emër i panjohur për Policinë së Shtetit. Lici dyshohej e në vitin 2011 ka qenë i përfshirë në vrasjen e Astrit Kurmemajt, i dënuar me 25 vite burg për disa vrasje. Ai u vra në hyrje të Rrogozhinës, gjatë periudhës që mori 3 ditë leje nga burgu i Shën Kollit ku vuante dënimin, dhe teksa kthehej për në institucionin e vuajtjes së dënimit. Ndonëse u shoqërua në komisariat, Fatbardh Lici u la i lirë pasi nuk u gjetën prova se ai kishte vrarë Astrit Kurmemajn. Pritet që hetuesit të marrin në pyetje të afërm të Astrit Kurmemajt.
Në zonën e Shkodrës, ai njihej edhe si kunati i Lul Kullës, i njohur si i “forti” i Shkodrës. Por emri i Fatbardh Licit u ka dalë edhe në rastin e arrestimit të disa gjobvënësve në Shkodër. Fatbardh Lici është xhaxhai i Muhamet, Ibrahim dhe të ndjerit Hamza Lici, i cili u vra pak muaj më parë në hyrje të lagjes Dobraç, zonë e njohur si territor i Bajrave./ZËRI
ME VD- Momenti i arrestimit të Safet Bajrit, shfaqet i buzëqeshur para kamerave

TIRANË- Forcat Speciale "RENEA" kanë arrestuar këtë të premte Safet Bajri. Vendosja e tij në pranga është bërë në banesën e tij në Shkodër, ku uniformat blu ushtruan kontrolle. ZËRI ka siguruar momentin kur forcat RENEA po shoqërojnë me pranga në duar Safet Bajrin në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës. Teksa ai ka prangat në duar, futet duke qeshur para kamerave në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë.
MOMENTI ME VIDEO:
Klodiana Lala: Safet Bajri është arrestuar, SPAK ka zbardhur vrasjen e Fatbardh Licit

TIRANË- Gazetarja Klodiana Lala ka bërë me dije se sipas burimeve të saj, Safet Bajri është vendosur në pranga për vrasje. Po sipas saj, Bajri bashkë me kushëririn e tij, Behar Bajrin dhe Astmer Bilain kanë kryer vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018.
Sipas saj, Bajri u arrestua në banesë dhe nuk bëri rezistencë ndaj forcave të rendit. Në Tiranë i kanë komunikuar urdhër-arrestin e "prerë" nga SPAK, ndërkohë që masa e sigurisë "arrest me burg" do t'i komunikohet edhe Asmer Bilalit dhe Behar Bajrit.
Bilali është momentalisht në burgun e Reçit, pasi u vendos në pranga për dosjen "Metamorfoza". Megjithatë, për aksionin e sotëm, nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga ana e Prokurorisë së Posaçme./ZËRI
Shoqërohet në Tiranë Safet Bajri, po merret në pyetje nga Policia

SHKODËR- Shoqërohet në Polici, Safet Bajri. Deri më tani raportohet se Bajri është sjellë në Tiranë për t'u marrë në pyetje me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Po ashtu, do t'i merret edhe një herë një mostër e ADN-së së tij për t'u krahasuar me disa prova që ka aktualisht SPAK. Sipas avokatëve të Safet Bajrit ky i fundit ishte thirrur në orën 11:00 për të dhënë deklarime, por pas mbërritjes në policinë e Shkodrës, i është komunikuar se marrja në pyetje e tij do bëhet në Tiranë.
Në sqarimet që kanë dhënë për mediat, avokatët mbrojtës të Bajrit nuk konfirmojnë se klientit të tyre i është komunikuar ndonjë urdhër arresti.
Ndërkohë edhe pse ende nuk ka asnjë reagim zyrtar lidhur me atë që po ndodh në Policinë e Tiranës, ka raportime se Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar 3 masa "arrest në burg" për disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur në Shkodër. Por sërish, ende nuk ka detaje se për cilat ngjarje bëhet fjalë dhe gjithashtu nuk dihet për kë janë "prerë" këto urdhër-arreste. Dyshohet se një nga ngjarjet që është zbardhur është vrasja e Fatbardh Licit, e ndodhur në vitin 2018.
Vetëm pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme kreu disa kontrolle në bazat e fisit të Bajrave në Shkodër, por nuk raportoi se kishin gjetur ndonjë send të paligjshëm. Pas këtyre kontrolleve, vetë Safet Bajri dha një intervistë në media duke u shprehur se nuk ka lidhje me asnjë ngjarje kriminale për të cilën përmendet emri i tij./ZËRI