Këlcyra refuzon bashkimin me Përmetin, 15 anëtarët e Këshillit votojnë kundër
KËLCYRË- Këshilli Bashkiak i Këlcyrës ka kundërshtuar zyrtarisht draftin e qeverisë për reformën e re territoriale, që parashikon shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin me Përmetin.
Në mbledhjen e zhvilluar këtë të enjte, të 15 anëtarët e Këshillit Bashkiak votuan kundër propozimit, duke shprehur qëndrim unanim për ruajtjen e Bashkisë së Këlcyrës.
Vendimi vjen në një kohë kur banorët e zonës kanë zhvilluar protesta kundër ndryshimeve të propozuara. Ata kërkojnë që Këlcyra të ruajë statusin e bashkisë dhe të vijojë funksionimin si njësi më vete./ZËRI
Klosi kundër bashkimit me Matin, mblidhet Këshilli Bashkiak! Kryebashkiakja: Do të jem krah qytetarëve
KLOS- Këtë të enjte është mbledhur Këshilli Bashkiak i Klosit për të diskutuar mbi propozimin e mazhorancës socialiste për reformën territoriale. Sipas draftit të PS, parashikohet shkrirja e Bashkisë Klos me atë të Matit.
Mësohet se në mbledhje morën pjesë këshilltarët bashkiakë, drejtues vendorë dhe dhjetëra banorë të zonës, të cilët janë shprehur unanimisht kundër bashkimit me Matin. Sakaq, ata kanë paralajmëruar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore, pa përjashtuar edhe organizimin e protestave.
Kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, ishte gjithashtu e pranishme në mbledhje. Kola bëri me dije se projekt-propozimi i reformës ka mbërritur në bashki dy ditë më parë, duke sqaruar se dokumenti parashikon një periudhë 60-ditore konsultimi publik. Gjatë kësaj periudhe do të zhvillohen dëgjesa me qytetarët në të gjitha njësitë administrative të bashkisë. Gjatë fjalës së saj në mbledhje, kryebashkiakja Kola theksoi se do të jetë në krah të banorëve duke garantuar se qëndrimi i Bashkisë Klos do të bazohet te mendimi i komunitetit.
"Të nderuar anëtarë të Këshillit Bashkiak, të dashur pjesëmarrës dhe bashkëqytetarët e mi. E di që sot jeni sy e vesh dhe prej ditësh në fakt prisni reagimin e Bashkisë. Reagimi i kryetarit të Bashkisë është institucional. Dua të bëj më dije se para dy ditësh ka ardhur projektligjidhi dhe propozimi i deputetëve të mazhorancës për reformën territoriale administrative. Brenda këtyre 60 ditëve kemi kohë mjaftueshëm për të zhvilluar dëgjesa publike. Unë dua të bëj me dije se karrigia e bashkisë është e qytetarëve. Unë si e zgjedhur do të jem me mendimin e qytetarëve", tha Kola.
Ndërkohë, në ditët në vijim pritet të nisin dëgjesat publike në të gjithë territorin e Bashkisë Klos, ku qytetarët do të kenë mundësi të shprehin qëndrimin e tyre lidhur me reformën administrativo-territoriale./ZËRI
Banorët e Fierzës kundër bashkimit me Pukën, paralajmërojnë protestë: Të premten kundër “Territoriales”
FUSHË ARRËZ- Në vazhdën e protestave kundër reformës së re territoriale, banorët e njësisë administrative Fierzë në bashkinë Fushë-Arrëz kanë kundërshtuar propozimin për bashkimin me Pukën.
Kryepleqtë e nëntë fshatrave u mblodhën pranë Kishës së Fierzës, në vendin tradicional të kuvendeve, ku i kërkuan qeverisë të rishikojë draftin e propozuar nga Partia Socialiste. Si pjesë e traditës, në kuvendin tradicional marrin pjesë përfaqësues dhe banorë të zonës për të diskutuar për problematika të caktuara, ashtu si edhe në këtë rast.
Sipas banorëve, bashkimi me Pukën do të sjellë largimin e mëtejshëm të shërbimeve publike dhe do ta vështirësojë aksesin e tyre në institucionet vendore. Ata shprehen se zonat ëshë lënë harresë prej 30 vitesh, pavarësisht se aty prodhohet një pjesë e rëndësishme e energjisë elektrike për vendin.
Në shenjë kundërshtimi ndaj draftit, kryepleqtë e fshatrave të Fierzës paralajmëruan se do të marrin pjesë në protestën e thirrur nga Bashkia Fushë-Arrëz, e cila do të zhvillohet të premten në orën 17:00./ZËRI
Gjashtë ditë protestë për "Territorialen" në Divjakë, banorët kërkojnë mbështetje nga deputetët e zonës
DIVJAKË- Ditën e djeshme, banorët e Divjakës u ngritën në protestë për të gjashtën ditë radhazi, duke kundërshtuar draftin e Partisë Socialiste për Reformën Territoriale. Gjatë tubimit në sheshin kryesor të qytetit, banorët kundërshtuan bashkimin e Divjakës me Lushnjën. Ata u kanë kërkuar deputetëve të zonës, nga të dyja krahët politikë, që të mbështesin kërkesën që Divjaka të mbetet bashki.
View this post on Instagram
Qytetarët u bënë thirrje deputetëve që të angazhohen drejtpërdrejt në këtë kauzë, për të penguar miratimin e këtij projektligji.Protestuesit u shprehën se protestat nuk do të ndalen deri në tërheqjen përfundimtare të qeverisë nga plani për shkrirjen e Bashkisë Divjakë.
Në ditën e parë të protestës, edhe kryebashkiaku Josif Gorrea iu bashkua tubimit, duke kundërshtuar propozimin e Partisë Socialiste për Divjakën. Gjatë fjalës së tij, ai tha se lajmi i kishte ardhur si një "bombë".
Deklarata e Josif Gorreas:
Ju falënderoj që jeni pjesë e këtij tubimi, për këtë lajm që na ra si bombë. Mendova se fjalën këtu do ta mbanin vetë ata, por të gjithë kanë të drejtën e tyre të flasin siç e ndiejnë. Edhe unë, si qytetar, si ju, jam vërtet i çuditur, edhe pse duhej të isha më në dijeni për shkak të pozicionit politik që kam. Por edhe mua më ra si bombë kur pashë aty edhe Bashkinë Divjakë, si një nga bashkitë që do t’i bashkohej një bashkie tjetër.
Unë mendoj se këtu jemi për një qëllim dhe qëllimi ynë i përbashkët është të mbrojmë bashkinë tonë, e cila i përket një populli të jashtëzakonshëm, ndër më punëtorët e republikës. Ky është vendi ku punohet 365 ditë të vitit. Të them të vërtetën, ndihem i tradhtuar, sepse pa asnjë paralajmërim na erdhi kjo bombë.
Në të vërtetë, kjo nismë e qeverisë ka kohë që përflitet. Komisioni i Reformës Territoriale, me përfaqësues nga të dy krahët politikë, ka shqyrtuar mundësitë se si do të vijojë kjo reformë, por, për fat të keq, ajo që ndodhi dje nuk mund të quhet reformë, sipas meje. Pse?
Sepse parimi kryesor ishte numri i popullsisë dhe unë kam fjetur i qetë, pasi bashkia jonë ka 56 mijë banorë dhe, sipas renditjes, ne jemi të 26-tët. Pra, duhej të shkriheshin edhe 27 bashki të tjera që të na vinte radha neve. Edhe sipas Censusit, bashkia ka një numër të lartë banorësh që jetojnë dhe punojnë këtu. Janë 25 mijë banorë, edhe pse kemi dyshime për këtë shifër. Megjithatë, edhe ky numër, i pranuar nga qeveria shqiptare, mbetet i lartë.
Propozimi i Partisë Socialiste synon të ulë numrin e bashkive nga 61 në 46, duke krijuar njësi vendore me territore më të mëdha, brenda të cilave do të funksionojnë qytete dhe njësi administrative që do të menaxhojnë shërbimet më pranë banorëve.
Drafti ka nxitur protesta të menjëhershme në të gjithë vendin, në bashkitë që pritet të shkrihen. Banorët kërkojnë që bashkitë e tyre të mos shkrihen, të ruajnë pavarësinë administrative dhe të mos largohen shërbimet publike nga komunitetet e tyre. Protestat kundër Reformës Territoriale janë zhvilluar deri më tani në të paktën 12 bashki.Në krah të tyre janë vendosur edhe kryetarët e bashkive që rrezikojnë të shkrihen./ZËRI