LIVE UPDATES

KUVENDI! Zvërneci "ndez" debate të ashpra në seancë-PS antimiting në Vlorë, Berisha: Do përballen me ne

➤Kuvendi është mbledhur këtë të enjte në seancë plenare. ➤Në fillim të seancës, deputetët mbajtën një minutë heshtje për policin e vrarë në Lozhan të Maliqit. ➤Seanca plenare po zhvillohet me debate të forta për çështjen e Zvërnecit. 

5 artikuj për këtë temë.
7 ORE ME PARE

'Zvërneci'/ Lamallari: Nuk frymëzoni, shkoni në protestë të kapni ndonjë reels

KUVENDI! Zvërneci "ndez" debate të ashpra në
Besfort Lamallari

TIRANË-Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari në një replikë me opozitën gjatë seancën plenare lidhur me protestat kundër projektit në Zvërnec, i ka akuzuar demokratët se po bëjnë një teatër të shëmtuar. Demokratët akuzuan Partinë Socialiste për dhunë ndaj të rinjëve dhe pretendojnë se mazhoranca po tenton të përçajë protestën për Zvërnecin. Lamallari u shpreh se opozita nuk i frymëzon dhe është turp. 

Besfort Lamallari: Të çohesh në 1 minutë heshtje në nder të policit dhe të vijosh me këtë teatër të shëmtuar. Ruaj zot shqiptarët nga ata njerëz të paskrupujt me maska që  janë të gatshëm të ecin mbi viktima vetëm për qëllimin e tyre populist. Po ju s’keni lidhje me atë protestë, ata ju përbuzin. Është një teatër që unë e përbuz. Mund të shkoni në protestë të kapin ndonjë reels, por nuk keni lidhje me atë protestë, nuk frymëzoni. Po komunikoja me drejtuesin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit i cili më njoftoi se efektivi është jashtë rrezikut për jetën. Do të bëhet gjithë vlerësimi i situatës, do të merren të gjitha masat, administrative, ligjore. Nëse vazhdojmë më këtë teatër, turpi qoftë me ju, është më e rëndësishme te jem në spital të vizitoj policin, se të rrije me një shoë të shëmtuar që qytetarët e përbuzin.

8 ORE ME PARE

"PS, antimiting për Zvërnecin", Balla përplaset me Berishën: Investimi do bëhet...ju kemi mundur 8 herë rresht

KUVENDI! Zvërneci "ndez" debate të ashpra në
taulant balla-sali berisha

TIRANË- Një debat i ashpër u zhvillua sot në Kuvend mes kreut të grupit të PS-së, Taulant Ballës dhe kreut të PD-së, Sali Berisha, mbi investimin në Zvërnec.

Balla i kujtoi opozitës humbjet e njëpasnjëshme elektorale, duke thënë se me kryeministrin Edi Rama, Berisha dhe PD-ja kanë humbur 8 herë rresht. Ai theksoi se investimi në Zvërnec është historik për Shqipërinë dhe se ata që kundërshtojnë këtë projekt janë kundër interesit kombëtar.

Nga ana tjetër, Berisha akuzoi mazhorancën për mashtrime dhe i bëri thirrje qeverisë të heqë dorë nga antimitingu, dhuna ndaj protestuesve paqësorë.

Taulant Balla: Z.Berisha, ne ju kemi mundur në betejat elektorale. Me Ramën, ju kemi mundur 8 herë rresht, do ju mundim sërish, do ju mundim edhe në 2029. Nuk kemi antimiting, por ne kemi festë ditëlindjeje. Nuk ka antimiting. Bëni mirë të vendosni mend. Investimi në Zvërnec do realizohet se Shqipëria nuk mund të humbasë këtë shans. Është investim historik. Ata që dalin kundër investimit janë kundër interest kombëtar.

Sali Berisha: Ju mashtroni publikisht. Hiqni dorë nga antimitingu. Hiqni dorë nga dhuna ndaj protestuesit paqësorë. Hiqni dorë edhe nga përdorimi i asaj që quhet opozitë e opozitës.

PS po zhvillon antimiting për Zvërnecin. Po bëheni si në kohën e Ramiz Alisë, që dërgoni mesazhe që mos të dalin qytetarët në protestë. Hiqni dorë nga praktika e antimitimgjeve. Çoni mesazhe tek administrata që mos dalin në protestë. Sot e tutje nuk do quhesh më “Spahiu”, por “Mëkati”.

8 ORE ME PARE

Kapri kërkon Ramën dhe bën thirrje Lamallarit: Sulmuat qytetarët me ujë dhe piper, jep dorëheqjen

KUVENDI! Zvërneci "ndez" debate të ashpra në
erald kapri

TIRANË- Debate të ashpra shpërthyen sot në Kuvend, ku fokusi i diskutimeve ishte çështja e Zvërnecit. Deputeti i partisë Mundësia, Erald Kapri, i kërkoi dorëheqjen kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Lamallari për zhvillimet e djeshme gjatë protestës në Tiranë.

Kapri akuzoi qeverinë, duke kërkuar që kryeministri Rama të dalë dhe të japë përgjigje në Kuvend për çështjet e ngritura nga opozita. Ai kërkoi gjithashtu përgjegjësi edhe për ministrin Lamallari lidhur me pretendimet për përdorimin e dhunës ndaj protestuesve në Rrjoll.

"Guximi juaj për të shkelur rregulloren është përtej imagjinatës. Mohoni nene e Rregullores, neni 95, ku thuhet se të mërkurave është seancë pyetje-përgjigje. Kemi bërë pyetje për Ramën dhe ai duhet të vijë këtu të japë përgjigje, kjo nuk delegohet dot.

Nuk e mbani seancën e të mërkurës që Rama të japë llogari këtu. Kemi sjellë kërkesën në Kuvend. Ju lutem silleni në momentin më të parë të mundshëm në Kuvend.

E dyta kemi bërë kërkesë edhe për ministrin, për dhunën e ndodhur në Rrjoll. Rama tha dje jemi në luftë hibride, dil jep llogari nga kush po sulmohemi meqë drejton anti-terrorin.

Në ’90 Rama e mbushi Tiranën me “Enver Hitler” dhe Ramiz Alia nuk bëri gjë. Dje sulmuat qytetarët me ujë me piper, nuk e mbajti dot gardhi protestën. Lejini dopio-standardet jep dorëheqjet nëse ke guxim!", tha Kapri.

9 ORE ME PARE

Vrasje e efektivit në Maliq, Kuvendi nis me 1 minutë heshtje për policin e vrarë

KUVENDI! Zvërneci "ndez" debate të ashpra në
kuvendi

TIRANË- Seanca plenare në Kuvend ka nisur me 1 minutë heshtje, në nderim të policit të vrarë në krye të detyrës, Enea Mekollit.

Kërkesa u bë nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit të PS, Taulant Balla deklaroi se Mekolli është shpallur Dëshmor i Atdheut, dhe përulet para sakrificës së tij.

Ngjarja e rëndë është regjistruar në zonën e Lozhanit, ku gjatë një operacioni policor ka humbur jetën efektivi Enea Mekolli, ndërsa është plagosur kolegu i tij, Edison Adri.

Sipas informacioneve nga Policia e Korçës, autori i dyshuar i ngjarjes, 43-vjeçari Violand Braçellari, i shpallur në kërkim për kultivim, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, është arrestuar. Ai ndodhet në spital pasi është plagosur gjatë ndërhyrjes së forcave policore./ZËRI

12 ORE ME PARE

Kuvendi sot në seancë, Rama dhe ministrat përballë interpelancave të opozitës (RENDI I DITËS)

KUVENDI! Zvërneci "ndez" debate të ashpra në
kuvend

TIRANË- Kuvendi do të mblidhet sot në seancë plenare. Në rendin e ditës parashikohen disa interpelanca me Kryeministrin Edi Rama dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, të kërkuara nga deputetë të opozitës. Konkretisht, dy interpelanca janë kërkuar me Kryeministrin Edi Rama nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike dhe të “Mundësia”.

Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së mëparshme dhe njoftimet, ndërsa më pas pritet të zhvillohet interpelanca urgjente me Kryeministrin Edi Rama, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

Në rendin e ditës janë parashikuar gjithashtu një interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, si dhe një tjetër interpelancë me Kryeministrin Rama, e kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.

RENDI I DITËS

Në mbështetje të urdhrit nr. 35, datë 2.6.2026 të Zëvendëskryetares së Kuvendit, znj. Klodiana
Spahiu, rendi i ditës është si më poshtë vijon:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 1.6.2026.
(Neni 44, pika 2, të Rregullores së Kuvendit)
2. Njoftime.
(Neni 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)
3. Interpelancë urgjente me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama,
kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
(Në mbështetje të nenit 80 të Kushtetutës dhe nenit 97 të Rregullores së Kuvendit)
4. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Besfort Lamallari,
kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
(Në mbështetje të nenit 80 të Kushtetutës dhe nenit 97 të Rregullores së Kuvendit)
5. Interpelancë me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, kërkuar nga
deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri. (Në mbështetje të nenit 80 të Kushtetutës dhe
nenit 96 të Rregullores së Kuvendit)
6. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar
nga deputeti Kliti Hoti. (Në mbështetje të nenit 80 të Kushtetutës dhe nenit 96 të
Rregullores së Kuvendit)
7. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar
nga deputeti Gjin Gjoni. (Në mbështetje të nenit 80 të Kushtetutës dhe nenit 96 të
Rregullores së Kuvendit)
8. Interpelancë me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ferit Hoxha, kërkuar
nga deputeti Erald Kapri. (Në mbështetje të nenit 80 të Kushtetutës dhe nenit 96 të
Rregullores së Kuvendit)
9. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe
Republikës së Polonisë, për sigurimet shoqërore”. (Në mbështetje të neneve 78, 83, pika
1, dhe 121 të Kushtetutës, si dhe neneve 55, 73-77 të Rregullores, shumicë absolute votash
për miratim)
Pyetje
Shprehet nismëtari
Shprehet Komisioni përgjegjës për Ekonominë, Punësimin dhe Financat
Dhënie mendimi Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
Dhënie mendimi Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme
Dhënie mendimi Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
Dhënie mendimi Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale
Dhënie mendimi Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural
Diskutime
(Shprehen grupet parlamentare)
Koha e votimit
10.Projektligji “Për nënproduktet me origjinë shtazore”. (Në mbështetje të neneve 78 dhe 83,
pika 1, të Kushtetutës dhe neneve 55, 73 të Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratim)
Pyetje
Shprehet nismëtari
Shprehet Komisioni përgjegjës për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural
Dhënie mendimi Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
Dhënie mendimi Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme
Diskutime
(Shprehen grupet parlamentare)
Koha e votimit
11.Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. (Në mbështetje të nenit 45 të Rregullores së
Kuvendit: Çdo deputet mund të flasë jo më shumë se 5 minuta dhe nëse diskuton në emër të
grupit parlamentar, jo më shumë se 8 minuta. Koha e diskutimeve për çështje jashtë rendit
të ditës nuk mund të jetë më shumë se 60 minuta.)

Poll

MOS HUMB