LIVE UPDATES

Hija e skandalit mbulon RTSH/ Dorëhiqet Alfred Peza, LETRA që e denocon për ngacmim në punë, moderatorja: S'e kam shkruar unë!

➤ Një hije skandali ka mbuluar ambientet e Radio Televizionit Shqiptar. ➤ Dorëheqja e Alfred Lelës si drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së duket se nuk ka qenë thjesht për të nisur një sfidë të re në një televizion tjetër. ➤ Letra e plotë e gazetares Blerta Tafani dërguar Këshillit Drejtues të RTSH ka zbuluar se Peza akuzohej edhe për ngacmim seksual në punë. ➤ Letra e Tafanit është dërguar pranë Këshillit Drejtues 3 ditë para dorëheqjes së Pezës nga detyra. ➤ Ajo zotohet se çështjen do ta dërgojë në Gjykatë, duke iu bashkua dhjetra punonjësve të tjerë të shkarkuar (siç pretendojnë ata dhe në disa raste edhe vendim gjykatash) padrejtësisht nga puna. ➤ Por disa orë më vonë, vetë Tafani mohon se letrën e ka dërguar ajo me pretendimin se nuk ka firmën e saj. ➤ Madje shton se nuk ka nisur asnjë çështje dhe nuk ka bërë asnjë denoncim. ➤ Të dy janë kontaktuar nga redaksia e ZËRI-t për të dhënë më shumë detaje, por asnjë nuk është përgjigjur.

3 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Skandali në RTSH/ Gazetarja Blerta Tafani letër publike 3 ditë më parë: Alfred Peza më ngacmoi!

Hija e skandalit mbulon RTSH/ Dorëhiqet Alfred Peza, LETRA që e
Alfred Peza dhe Blerta Tafani

TIRANË-Alfred Peza ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtori të RTSH-së. Para lajmit për largimin e tj, tre ditë më parë gazetarja e RTSH, Blerta Tafani përmes një letre drejtuar bordit të RTSH dhe kryetarit të saj, Leka Bungo akuzoi ish-drejtorin e RTSH, Alfred Peza për dhunë psikologjike në punë dhe presione nga më të ndryshme.

Në letrën drejtuar bordit drejtuas 3 ditë më parë, gazetarja Tafani akuzon drejtëpërdrejt Pezën edhe për ngacmim seksual. Tafani në letër shprehet se më datë 28 Shtator të vitit të kaluar, pas orës 20.00 të mbrëmjes, në celularin e saj kanë mbërritur mesazhe të padenja dhe imponuese për takim jashtë pune, nga drejtori Alfred Peza. 

"Tashmë prej 11 muajsh, po përballem me një presion psikologjik të pashembullt. Më datën 28 shtator të vitit të kaluar, në mbrëmje pas orës 20.00, në telefonin tim erdhën mesazhe jo vetëm të padenja, por edhe imponuese për takim jashte institucionit nga Drejtori i Përgjithshëm i RTSH z. Alfred Peza, shoqëruar edhe me insistimin me anë të më shumë se dhjetë telefonatave të njëpasnjëshme, të cilave kam refuzuar tu përgjigjem,"-thuhet në letrën e Tafanit.

Gazetarja shprehet se ka refuzuar t’i përgjigjet këtyre mesazheve, por qëndrimi i saj ka pasuar me dhunë verbale dhe psikologjike, përfshirë ndëshkime, paralajmërime dhe largime nga puna të të gjithë bashkëpunëtorëve të saj. Materialet e plota Tafani shprehet se do i dërgojë në organet përkatëse të drejtësisë. 

Letra e plotë e gazetares Blerta Tafani dërguar Këshillit Drejtues të RTSH:

Hija e skandalit mbulon RTSH/ Dorëhiqet Alfred Peza, LETRA që e

Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH: Unë, Blerta Tafani (Hajdari), gazetare prej 25 vitesh, prej të cilave 10 vitet e fundit në RTSH, me mijëra edicione informative të drejtuara, po aq materiale televizive të përgatitura, redaktim lajmesh dhe edicionesh, përgatitje dhe drejtim të disa programeve, po ju drejtohem për një shqetësim, i cili e tejkalon personalen.

Tashmë prej 11 muajsh, po përballem me një presion psikologjik të pashembullt. Më datën 28 shtator të vitit të kaluar, në mbrëmje pas orës 20.00, në telefonin tim erdhën mesazhe jo vetëm të padenja, por edhe imponuese për takim jashte institucionit nga Drejtori i Përgjithshëm i RTSH z. Alfred Peza, shoqëruar edhe me insistimin me anë të më shumë se dhjetë telefonatave të njëpasnjëshme, të cilave kam refuzuar tu përgjigjem.

Pas kesaj, ka nisur ndaj meje një dhunë e pashembullt verbale dhe psikologjike, përfshirë ndëshkime, paralajmërime, largime nga puna të të gjithë bashkëpunëtorëve të mi, ndërprerja e daljes time në edicionin qendror që e drejtoja prej 10 vitesh me argumentin se “nuk përqafoj projektin e drejtorit të përgjithshëm”, ndërprerja e spoteve të programit që transmetoja, presion ndaj njerëzve që punonin për atë program, paralajmërim për pushim nga puna (pa u dëgjuar unë aspak, në një komision të turpshëm) dhe shumë të tjera, që përbëjnë një “sagë” të vërtetë.

Për të gjitha keto, e gjeta të arësyeshme për t’ju vënë në dijeni ju si Këshill Drejtues, me të drejtën e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, pronë me vetëm një PRONAR: PUBLIKUN, që të mund të ndalni këto veprime të Turpshme për një institucion publik, të ndalni dhunën verbale si pasojë e ngacmimeve seksuale të Drejtorit aktual të Përgjithshëm!

Bashkëngjitur po ju dërgoj vetem një ekstrakt të mesazheve që disponoj, ndërkohë që të plota do ti paraqes në organet përkatëse të drejtësisë. Mbi dinjitetin dhe profesionalizmin, nuk mund të shkelë asnjë i zgjedhur nga JU, të mandatuar nga të zgjedhurit e qytetarëve.

Alfred Peza ka dorëzuar letrën e largimit nga posti të Këshillit Drejtues të RTSH-së ditën e sotme (6 Shtator). Ai mori postin e Drejtorit të Përgjithshëm i Radio Televizionit Publik Shqiptar në Qershor 2023. Peza u zgjodh unanimisht nga Keshilli Drejtues i RTSH-së në Qershor 2023 dhe do të shërbente në krye të institucionit për një mandat pesëvjeçar./ZËRI

1 VITE ME PARE

Alfred Peza "shkarkon" edhe veten nga detyra! 1 vit dhe të gjithë ishin kundër tij...ç'la pas në RTSH

Hija e skandalit mbulon RTSH/ Dorëhiqet Alfred Peza, LETRA që e
Alfred Peza

TIRANË- Tani nuk ka më diskutime dhe dyshime, Alfred Peza largohet nga drejtimi i RadioTelevizionit Shqiptar! Sot në mëngjes i ka dorëzuar letrën e dorëheqjes Këshillit Drejtues i Radiotelevizionit Shqiptar, vetëm 15 muaj pasi mori detyrën. Ndryshe nga sa ka ndodhur me paraardhësit e tij, që në nisjen e përfoljes së emrit të tij si drejtuesi i ri i RTSH-së, pati diskutime. Kjo pasi Ligji për Median Audiovizive i pengon ata që kanë deputetë apo kandidatë për deputetë në dy legjislaturat e fundit që të kandidojnë për kreun e televizionit publik, por mesa duket për rastin e Pezës u bë përjashtim.

“Nuk ka qenë deputet në dy legjislaturat e fundit. Ka sjellë edhe dokument që vërteton që nuk është anëtar i Partisë Socialiste,"- tha Leka Bungo, kryetar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, i njëjti person që pas pak muajsh do të përplasej me të në Komisionin e Medias në Kryesinë e Kuvendit.

Shkak ishin shkarkimet masive për të cilat mesa duket ka disa çështje gjyqësore që po ndiqen në Gjykatën Administrative.

SPASTRIMET MASIVE

Përgjatë pak më shumë se 1 viti, dhjetra punonjës të RTSH-së (gazetarë, operatorë dhe drejtues) u pushuan nga puna. Shkarkimet në televizionin publik të Shqipërisë sollën reagimin e sindikatave të mediave në Shqipëri, por edhe në Europë. Lidhur me valën e "spastrimit" foli për BIRN edhe sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, EFJ, Ricardo Gutierrez.

“Televizioni publik duhet t’i përkasë të gjithë qytetarëve shqiptarë. Por ajo që ne po shohim qartë këtu është kapja e televizionit publik për ta vënë atë në shërbim të interesave vetëm të partisë në pushtet,”-tha ai. 

Por ndërkohë që të larguarit nga puna kërkonin të drejtën e tyre, edhe Peza nga ana tjetër ishte i shqetësuar, madje kishte bërë edhe një kallëzim për "prishje imazhi". Në gusht të këtij viti, ish-punonjësit e RTSH u thirrën për t'u marrë në pyetje në Policinë e Tiranës, ku edhe iu kontrolluan telefonat celularë, pasi Peza pretendonte se ishin pikërisht këta persona ata që i prishnin imazhin në publik. Mesa duket ankesën e ka bërë vetëm për ish-punonjësit, pasi në raportimin vjetor në Kuvend, deputetëve të opozitës (të cilët po ashtu e kanë sulmuar) u tha me tone ironie se të gjitha akuzat ndaj tij i shihte si një "reklamë për televizionin dhe punën që po bëjmë në RTSH".

Pikërisht në këtë mbledhje ndodhi edhe përplasja me kreun e Këshillit Drejtues të RTSH-së, Leka Bungo, një veteran tashmë i RTSH-së.

Regjisori, aktori dhe skenaristi i njohur shqiptar tha se problem të madh në RTSH shihte mungesën e transparencës dhe shokun psikologjik që u ishte shkaktuar punonjësve për shkak të largimeve masive nga puna. 

"Në RTSH është krijuar një erie gri nga ana psikologjike tëk punonjësit pas pushimeve, lëvizjeve dhe largimeve të shumta, largimet e shumta, emërimet e shumta janë ndryshe nga çdo herë tjetër, kjo ka krijuar një shok psikologjik. Unë e vë re tek punonjësit. Në zyrë kam shumë ankesa dhe e ndjej dhe nga marrëdhëniet me krijuesit. Bashkë me komisonet e krijuara shpesh për të paralajmëruar për pushime nga puna, vërenjte që janë thujase të përjavshme, këto krijojnë një erie gri nga ana psikologjike tek punonjësit, krijuesit. Po ju sjell një shembull, është pushur nga puna Drejtori i Përgjithshëm Teknik, që nuk është në varësi të Drejtorit të Përgjithshëm. Ai ishte emëruar nga Këshilli Drejtues, si mund ta pushojë Drejtori i Përgjithshëm?,"-thoshte Bungo në Komision. 

Kur erdhi diskutimi tek kreativiteti dhe ndrydhja që po i bëhej punonjësve, Peza tha se i kuptonte shqetësimet e tyre, pasi edhe vetë ishte shkrimtar. 

“I kuptoj shumë mirë, sepse unë vetë jam një artist, shkrimtar,”- tha Peza, por nuk kërkoi as falje dhe as shenja reflektimi për largimet nga puna. 

TË GJITHË KUNDËR

Nëse ka pasur një drejtor në krye të RTSH-së që i kishte të gjithë kundër, ai duket se është Alfred Peza. E nuk po flasim vetëm për opozitën. Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka qenë një prej kritikeve të tij më të mëdha, e cila nxorri edhe lajmin e parë për shkarkimin e tij nga detyra. Mirëpo vetë Peza e përgënjeshtroi lajmin e dorëheqjes në një prononcim të shkurtër për Koha Jonë.

“Nuk kam dhënë dorëheqje, këtu me keni deri me 15 qershor 2028!”

Për të njëjtat arsye si të gjithë të tjerët, kundër Pezës doli edhe ish-kolegu i tij, deputeti Erion Braçe. Duke shpërndarë një lajm të lidhur me fushatën e shkarkimeve nga RTSH-ja, në të cilën dënoncohej largimi i padrejtë nga puna i punonjësve, Braçe u kërkoi kolegëve aktuale që ta merrnin Pezën në pyetje në Komisionin e Medias, duke iu shtuar kështu personave kundër tij.

Në fakt që prej marrjes së detyrës në krye të RTSH-së, Alfred Peza nuk ka qenë njeriu më i pëlqyer as për rrjetin, por ca më shumë për punonjësit e Radio Televizionit Publik. Përveç politikës, edhe personazhe publike kanë folur publikisht për padrejtësitë që ata pretendojnë se u ka bërë Peza, siç ishte rasti i gazetarit Bledi Strakosha, regjisores Arnita Beqiraj, dhe së fundi virale u bë dhe denoncimi i Alketa Vejsiut. Kjo e fundit lajmëroi se do të denonconte dhe akuzonte Pezën për sjellje çnjerëzore dhe anti-ligjore në drejtim të partneres së babait të saj, e cila punonte në RTSH për 30 vite.

Të gjitha këto e kthyen Alfred Pezën, ish-deputetin pasanik të socialistëve, një prej njerëzve më të urryer dhe në rrjetet sociale, ku memet dhe ironia nuk mungoi në çdo lajm apo dalje të tij publike. 

Peza e nisi karrierën si gazetar dhe drejtues mediash në fillim të viteve ’90, për t’u angazhuar politikisht në vitin 2013 me Partinë Socialiste, kur u zgjodh deputet i saj në zonën e Peqinit. Gjatë legjislaturës 2013-2017 ai mbajti poste politike në parti si zëdhënës dhe më pas sekretar dixhital i votuar nga Asambleja e partisë. Në vitin 2017, Peza nuk u rikandidua në listën e PS-së, por vazhdoi të ushtronte poste politike. Tani, i shkëputur nga PS-së, duket se ka vendosur që të dedikohet tërësisht në media. Pas largimit nga RTSH, Peza duket se ka një vend të sigurtë pune si drejtor informacioni në "Top Channel"./ZËRI

1 VITE ME PARE

Alfred Peza dorëhiqet nga drejtimi i RTSH-së: Vendim i pakthyeshëm

Hija e skandalit mbulon RTSH/ Dorëhiqet Alfred Peza, LETRA që e
Alfred Peza

TIRANË- Alfred Peza ka dhënë dorëheqjen si drejtor i RTSH-së, pasi e ka mbajtur këtë detyrë prej më shumë se një viti. Në letrën e tij të dorëheqjes, e cila i është dorëzuar Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit publik, thuhet se vendimmarrja e tij është e pakthyeshme. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se dorëheqja e Pezës lidhet me një rol të ri drejtues që ai pritet të marrë në Top Channel. 

Hija e skandalit mbulon RTSH/ Dorëhiqet Alfred Peza, LETRA që e

Peza u zgjodh në krye të RTSH-së, në qershor të vitit 2023, ndërsa është përballur vazhdimisht me akuza për punësime nepotike në pozitat drejtuese, si dhe largime masive të padrejta nga puna. 

Vala e shkarkimeve në RTSH shqetësoi sindikatat e medias në Shqipëri dhe në Evropë të cilët kërkuan të ndalohej kjo praktikë “presioni dhe ndëshkimesh” ndaj gazetarëve./ZËRI 

Poll

MOS HUMB