Rama zbulon plan-veprimin e PS, optimist për zgjedhjet e 2025: Korrim fitore spektakolare

TIRANË- Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, në fjalën e tij për gazetarët ka zbuluar edhe plan-veprimin e PS-së. Ai tha se nga data 15 shkurt deri më 15 mars, do të nisin zgjedhjet brenda Partisë Socialiste. Rama shtoi se më datë 16 mars, Asambleja Kombëtare do të rimblidhet në Durrës. Më tej, Rama theksoi se deri më 15 prill do të mbahet procesi për zgjedhje brenda PS-së. Ndërsa, nga 15 prilli do të zgjidhen delegatët e Kongresit me një anëtar, një votë. Po ashtu, në qershor 2024 do të mblidhet Kongresi i PS-së.
Punimet në Asamble
Në fokus të Asamblesë Kombëtare të PS-së ishin zgjedhjet e vitit 2025, por edhe riorganizimi i strukturave brenda partisë. U zhvillua një analizë sa i përket punës të bërë nga strukturat e Partisë Socialiste në terren dhe përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Raportimet janë bërë nga drejtuesit e qarqeve, sikundër edhe nga disa prej deputetëve. Analiza në Asamble nisi me qarkun e Tiranës. Rama ka shprehur rezerva për strukturën e Partisë Socialiste në Kavajë. Rezerva kryeministri shprehu edhe për qarqet Shkodër, Fier dhe Lezhë. Kreu i qeverisë ka kërkuar emrat e drejtuesve të PS-së në bazë, që kanë performancë të ulët. Rreth 400 anëtarë të Asamblesë të Partisë Socialiste ishin të pranishëm në takimin e sotëm, të mbajtur në një restorant në periferinë e Tiranës.
Kryeministri optimist: Më 2025 korrim fitore spektakolare
I pyetur nga gazetarët sesa mandate parashikon PS që të marrë në zgjedhjet e 2025, kryeministri Edi Rama tha se do jetë fitore si kurrë më parë. “Do të jetë një fitore spektakolare. Do të korrim fitore shekullore. Sesa mandate do të marrim, do ta themi në një moment tjetër”, u shpreh Rama./ZËRI/
Vizita e Blinken në Tiranë, Rama: Shqipëria ka tjetër prestigj në arenën ndërkombëtare

TIRANË – Kryeministri Edi Rama, në një prononcim për gazetarët, jashtë ambienteve ku u mbajt Asambleja Kombëtare e PS-së, ka komentuar vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken. Rama u shpreh se vizita e Blinken është tregues se Shqipëria është ngritur në një tjetër nivel në arenën ndërkombëtare.
Rama: Besoj se ardhja e sekretarit të shtetit në Tiranë ka domethënie të veçantë për kontekstin në të cilën sot ndodhet Europa e bota. Për kohën shumë të ngarkuar të një sekretari shteti. Fakti që gjen të nevojshme vendos në axhendën e tij të ndalet në kryeqytetin shqiptar si pikë referimi për rajonin tregon në mënyrë të posaçme se ku e kemi ngritur Shqipërinë në arenën ndërkombëtarë, dhe çfarë përfaqëson sot Shqipëria në rajon.
Me krenari e them që Shqipëria është forca e shembullit për të ndërtuar paqen dhe të ardhmen e përbashkët dhe për tu ndarë nga një e kaluar e mbushur me tragjedi e prapambetje e raste të pafundura të humbura për ti lënë një vend më të mirë gjeneratave të tjera.
I pyetur nëse ka domethënie fakti që Anthony Blinken vjen në Shqipëri në të njëjtën ditë kur jepet vendimi për çështjen e McGonigal, Rama vetëm qeshi./ZËRI/
A e keni kërcënuar Ahmetajn? Rama: S’bëj komente për persona që kanë punë me drejtësinë

TIRANË – Në fund të mbledhjes të Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët në lidhje me akuzat e ish-zv kryeministrit Arben Ahmetaj, të bëra nga arratia. Rama u shpreh se nuk bën komente mbi komente, për cilindo që ka probleme me drejtësinë.
“PS e ka shumë të qartë pozicionin e vet, mund të pyesni sa herë të doni, por është detyra jonë që drejtësisë t’i japim të gjitha mundësitë të bëjë punën e vet, e pa shqetësuar nga ndikimi i pushtetit ekzekutiv e as nga komentet e atyre që përfaqësojnë PS. Partia Socialiste nuk bën komente mbi komentet e kujtdo që ka punë me drejtësinë. Kjo vlen për të gjithë dhe nuk do të ndryshojë. Kemi sot një ditë të re në rrugëtimin e gjatë, kemi një pikë të re strukturën antikorrupsion, për të bërë të mundur atë që deri dje dukej e pamundur. Koha kur flamuri i secilës parti ishte gjethe fiku ose çarçaf për të mbuluar hijet me trup, ka vdekur", deklaroi Rama./ZËRI/
A e keni kritikuar Veliajn? Rama: Ka qenë një mbledhje me ballafaqime

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, pas përfundimit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, u pyet nëse e ka kritikuar kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj në Asamble.
Rama iu tha gazetarëve se duhet të verifikojnë burimet. Ai shtoi se mbledhja ka qenë ballafaqim, duke shtuar se ka pasur kritika të shumta, për punën që ka bërë ai dhe të zgjedhur të tjerë të PS-së. “Jemi shumë të kënaqur nga kjo mbledhje. Kemi miratuar dhe planin e veprimit nga 15 Shkurti deri më 15 Mars, ku fillojnë të gjitha zgjedhjet për organizatat socialiste dhe në 16 Mars do të mbledhim Asamblenë në Durrës. Pas 15 Prillit do të zgjedhim delegatët e Kongresit me 1 anëtar, 1 votë. Në zgjedhjet e ardhshme presim të marrim fitoren më të madhe”, tha Rama.
Rama: Ne kemi bërë një mbledhje të gjatë me diskutime të shumta dhe ka qenë një mbledhje pune dhe në një mbledhje pune ka ballafaqime me fakte. Ka shqetësime që vijnë nga organizata të ndryshme dhe nga zgjedhës. Të gjitha këto janë diskutuar. Nëse ka pasur kritika, mund të them se ka pasur një qasje vetkritike nga gjithë së bashku duke filluar nga unë. Duhet të verifikoni burimin. Jemi shumë të kënaqur nga kjo mbledhje.
Kemi miratuar dhe planin e veprimi 15 Shkurt dhe 15 Mar, ku fillojnë të gjitha zgjedhjet për organizatat socialiste dhe në 16 Mars do të mbledhim Asamblenë në Durrë. Pas 15 Prillit do të zgjedhim delegatët e Kongresit me 1 anëtarë 1 votë. Në zgjedhjet e ardhshme presim të marrim fitoren më të madhe. Kemi konsatuar me këtë proces kanë marrë pjesë 55 mijë anëtarë aktiv të Partisë Socialiste. Ka pasur dhe lëvizje të brendshme. Do të shikojmë në fund të procesit. Kemi bërë një skanim objektiv të socialistëve në territor./ZËRI/
Rama njofton datën: Më 16 mars mbahet Asambleja e dytë e PS në Durrës

TIRANË – Asambleja e dytë e Partisë Socialiste do të mbahët më datë 16 mars.
Kështu lajmëroi kreu i qeverisë Edi Rama, gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, që po vijon me dyer të mbyllura.
Rama tha se mbledhja e radhës do të zhvillohet në qytetin e Durrësit.
Ndërkaq, mbledhja me dyer të mbyllura e Asamblesë së PS-së, e cila zgjati më tepër se 4 orë, tashmë ka përfunduar./ZËRI/
Asambleja e PS-së, Rama ‘dush të ftohtë’ ish-ministres Xhaçka, kërkesa për drejtuesit e qarqeve

TIRANË- Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së që po mbahet me dyer të mbyllura, kryeministri Edi Rama ka sulmuar ish-ministren e jashtme Olta Xhaçka. Sipas tij, që pas largimit nga qeveria ajo ka qenë inekzistente në angazhimin e saj partiak, e kjo për socialistët do të thotë edhe që nuk ka qenë aktive në rrjetet sociale. Rama po ashtu ka pasur kritika në këtë mbledhje për PS e Kavajës.
Rama ka kërkuar një listë të të gjithë anëtarëve të Asamblesë të degës së Kavajës, të cilët nuk kanë pasur rezultateve në terren. Kavaja është një nga të paktat Bashki, që socialistët humbën në zgjedhjet lokale të vitit 2023.
Në mbledhjen e Asamblesë, Rama ka pasur dhe një kërkesë për drejtuesit e qarqeve. “Askush prej jush mos të më thotë se Partia Socialiste do të vijojë të fuqizohet përmes punësimeve”, zbulohet të ketë thënë Rama.
Deri tani kanë raportuar qarqet Tiranë, Berat, Shkodër dhe Lezhë, ku janë evidentuar problematika të ndryshme dhe janë lënë detyra për t’u korrigjuar. Në një prononcim më herët për mediat para nisjes së Asamblesë, Rama tha se do bëhet një analizë të situatës ku ndodhet partia.
Rreth 400 anëtarët e Asamblesë, përfshi kryeministrin Rama, ministrat dhe deputetët janë pjesë e takimit të sotëm me dyer të mbyllura të Asamblesë së PS. Në një njoftim gjatë ditës së djeshme, anëtarëve iu komunikua se pjesëmarrja në këtë mbledhje është e detyrueshme dhe mungesat do të konsiderohen të pajustifikuara.
/ZËRI
FOTOT/ Rama me atlete, Nikolla, Kodheli e Spiropali me ngjyra. ‘Parada’ e socialistëve para Asamblesë

TIRANË- Një e nga një, ministra, kryebashkiakë, dhe zyrtarë socialistë kanë mbërritur në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare që është duke u mbajtur në një resort në periferi të Tiranës. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të shfaqet sport, ndërkohë që disa prej ministreve, dhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, kanë zgjedhur veshje me ngjyra, për asamblenë e kësaj të diele.
Rama tha se mbledhja e sotme synon riorganizimin e partisë, ndërkohë që nuk preferoi të bënte asnjë koment për akuzat e Arben Ahmetajt.
/ZËRI
A e ka kërcënuar Ahmetajn? Rama “anashkalon” pyetjen, flet për punën në Asamble

TIRANË – Kryeministri Edi Rama nuk i është përgjigjur asnjë pyetje, në lidhje me intervistën e bërë nga ish-zv kryeministri i shpallur tashmë në kërkim, Arben Ahmetaj. Në fillim të mbledhjes të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Rama foli me gazetarët, duke mos u përgjigjur pyetjeve që kishin të bënin me Ahmetajn.
Pjesë nga intervista:
Edi Rama: Është një mbledhje pune, raportimesh dhe diskutimesh, në lidhje me hapat e tjerë, që do të ndiqen në funksion të objektivit për të riorganizuar tërësisht Partinë Socialiste dhe për ta bërë gati për fitoren e radhës.
Gazetarët: A është e vërtetë që e keni kërcënuar Arben Ahmetajn, siç ai pretendon, në mbledhje Kryesie?
Edi Rama: Partia Socialiste është në një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm, që është më e nevojshme se asnjëherë më parë se hapja më e madhe e partisë, për të ftuar të gjithë ata që kanë dëshirën dhe nevojën e brendshme që të kontribuojnë dhe të kenë hapësirë të tyre.
Gazetarët: Janë të vërteta pretendimet e Ahmetajt se ju hani qofte me oligarkët dhe më pas ju jepni pasurinë e Shqipërisë?
Edi Rama: Jemi këtu për të bërë një analizë dhe për të marrë veprime të tjera, në kuadër të modernizimit të partisë.
Gazetarët: Ish-numri dy i qeverisë ju akuzon se njerëz tuaj të afërt janë te EcoPark, nuk keni asnjë koment?
Edi Rama: Ditë të mbarë.
/ZËRI/
Rama paralajmëron ndëshkime, socialistët mbërrijnë në Asamble. Ruçi vetëm, Gjiknuri dhe Bushati bashkë

TIRANË- Kanë dalë pamjet e mbërritjes së socialistëve në ambientet e një resorti privat në periferi të Tiranës, ku do të mbahet sot mbledhja e Asamblesë Kombëtare. Siç shihet dhe nga pamjet, e mbërritjes së disa prej përfaqësuesve të lartë socialistë, Gramoz Ruçi i është drejtuar mbledhjes i vetëm, ndërsa Ditmir Bushati dhe Damian Gjiknuri janë shfaqur së bashku.

Në asamblenë e sotme, nuk përjashtohet mundësia e përjashtimit nga asambleja të disa prej anëtarëve të saj. Bëhet fjalë për ata anëtarë të cilët kanë munguar në asambletë e shkuara si dhe në kongres.
Përfshi disa të tjerë të cilët nuk janë përfshirë në jetën e partisë në bazë dhe nuk janë përshirë në raportime të zonave të tyre të mbikëqyrjes. Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që mbledhja, përfshirë dhe fjalimi i tij të jenë pa praninë e kamerave.

Sa i takon mbledhjes me dyer të mbyllura, ajo është kërkuar nga vetë kryesocialisti, i cili ka kërkuar gjithashtu që të mos rrjedhin informacione në media, në lidhje me diskutimet që do të bëhen në mbledhjen e sotme.

Kjo ështe hera e parë që socialistët mblidhen pas akuzave të forta që bëri Arben Ahmetaj dhe në drejtim të vetë kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzoi se e nxori në pritë, dhe e bëri kokë turku. Vetë Rama, por edhe socialistët e tjerë, kanë zgjedhur heshtjen si një përgjigje për akuzat e Ahmetajt, dikur një nga njerëzit më të besuar të kryeministrit.

/ZËRI
Sot Asambleja Kombëtare e PS-së, Rama kërkon mbledhje hermetike, çfarë do të diskutohet

TIRANË- Socialistët do të mbledhin paraditen e kësaj të diele Asamblenë e tyre Kombëtare, punimet e së cilës do të jenë me dyer të mbyllura. Thirrja e kësaj asambleje është kërkuar nga vetë kryeministri Edi Rama, dhe i gjithë fokusi pritet të jetë në bazën e socialistëve, teksa na ndan rreth një vit nga zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Mësohet se për secilën prej bashkive do të ketë një raportim në lidhje me strukturat e partisë në terren, ndërkohë që prej ditësh ka nisur skanimi i performancës në terren.
Rreth 400 anëtarët e Asamblesë Kombëtare do të sjellin në mbledhjen e sotme një raport të gjetjeve dhe shqetësimeve që kanë konstatuar në terren. Vetë sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, tha pak ditë më parë se mbledhja e Asamblesë synon ndezjen e motorëve për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ku socialistët kërkojnë që të marrin mandatin e tyre të katërt qeverisës.
“Faza e parë është ri-energjizimi organizatave të PS. Është kërkuar me një formulë të re që e gjithë trupa e Asamblesë Kombëtare që është një trupë rreth 400 anëtarësh janë shpërndarë në terren sipas parimit jo atje ku bëjnë jetën e partisë por për të monitoruar, audituar punë dhe problematikat në të gjithë situatën partiake. Natyrisht se çfarë duhet të bëjmë që të garantojmë fitoren e vitit 2025 të Partisë Socialiste”, tha Klosi gjatë një interviste.
Ndërkohë sa i takon mbledhjes me dyer të mbyllura, ajo është kërkuar nga vetë kryesocialisti, i cili ka kërkuar gjithashtu që të mos rrjedhin informacione në media, në lidhje me diskutimet që do të bëhen në mbledhjen e sotme. Kjo ështe hera e parë që socialistët mblidhen pas akuzave të forta që bëri Arben Ahmetaj dhe në drejtim të vetë kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzoi se e nxori në pritë, dhe e bëri kokë turku. Vetë Rama, por edhe socialistët e tjerë, kanë zgjedhur heshtjen si një përgjigje për akuzat e Ahmetajt, dikur një nga njerëzit më të besuar të kryeministrit./ZËRI