Zjarri vijon në Riban, evakuohen 15 familje, ndërhyjnë edhe forcat ajrore
MALLAKASTËR- Zjarri vijon të përhapet në fshatin Riban, duke përfshirë një masiv pyjor me pisha dhe duke rrezikuar zonën e banuar. Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse, FNSH dhe helikopteri i Forcave të Armatosura për ndërhyrje nga ajri.
Për shkak të rrezikut nga flakët, janë evakuuar 15 familje së bashku me bagëtitë e tyre, ndërsa operacioni për shuarjen e zjarrit vijon ende.
Mallakastër
Shërbimet e Policisë evakuuan 15 familje, si dhe bagëtitë dhe kafshët e tyre shtëpiake, ndërsa vijojnë kontrollet dhe angazhimi në të gjithë territorin e prekur nga flakët.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shërbimet zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë, strukturat e emergjencave civile, me mbështetjen nga ajri të një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një avioni Canadair, janë angazhuar maksimalisht që në orët e para të mëngjesit në fshatin Riban, ku një zjarr masiv ka përfshirë sipërfaqe të mëdha toke, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në bimësi.
Për shkak të përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara, shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë për evakuimin e 15 familjeve, si dhe të bagëtive dhe kafshëve të tyre shtëpiake, me qëllim garantimin e sigurisë së jetës dhe të pronës së banorëve.
Aktualisht, shërbimet e Policisë vijojnë të jenë të angazhuara në terren, në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë, strukturat e tjera përgjegjëse, me mbështetjen nga ajri të një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një avioni Canadair, për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, si dhe për ofrimin e ndihmës ndaj banorëve të zonës.
Njëkohësisht, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit, dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit, nëse zjarri rezulton të jetë shkaktuar nga veprime të kundërligjshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon ndaj të gjithë qytetarëve të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për çdo qëllim tjetër, pasi përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin./ZËRI
Zjarr në Nivicë të Himarës, era e fortë favorizon përhapjen e flakëve
HIMARË – Një vatër zjarri është regjistruar në zonën e Nivicës, në bashkinë Himarë. Flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta që kanë përfshirë zonën.
View this post on Instagram
Në terren janë forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve dhe neutralizimin e situatës. Por ndërhyrja e tyre vështirësohet për shkak të terrenit të thyer, i cili pengon afrimin e mjeteve pranë vatrës së zjarrit. Pavarësisht kushteve të vështira, ekipet vijojnë punën për izolimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes së tyre në zona të tjera./ZËRI
VIDEO/ Flakët në Rriban dalin jashtë kontrollit, kërkohet ndërhyrje nga ajri
MALLAKASTËR- Zjarri që u aktivizua mëngjesin e sotëm në zonën pyjore në Rriban të Mallakastërës, ka dalë jashtë kontrollit.
Sipas të dhënave paraprake, për shkak të terrenit të vështirë, automjetet zjarrfikëse nuk po arrijnë të futen në zonë, ndaj është kërkuar ndërhyrja nga ajri për vënien nën kontroll të flakëve.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 727 forca operacionale për përballimin e 20 vatrave të regjistruara të zjarrit. Situata më e rënduar paraqitet në jug të vendit./ZËRI
"Luftë" me flakët në jug të vendit/ Nufi: 20 varta zjarri, në terren u angazhuan 727 forca operacionale
TIRANË- Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 727 forca operacionale në jug të vendit për shuarjen e 20 vatrave të zjarrit.
Ministri shprehet se terren janë angazhuar 128 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë mjekësore dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore. Në reagimin e tij, Nufi ka falënderuar të gjitha forcat që morën pjesë në këtë operacion të vështirë.



“727 forca operacionale janë angazhuar gjatë 24 orëve të fundit në menaxhimin e 20 vatrave të zjarrit në zona të ndryshme të vendit. Në mbështetje të strukturave vendore, u angazhuan posaçërisht 128 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë mjekësore dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Si Ministër i Mbrojtjes, e kam të pamundur të mos përcjell respektin e pakufishëm për secilin prej tyre, si dhe për të gjithë efektivët e angazhuar që në fillim të verës në menaxhimin e zjarreve. Janë pikërisht këta njerëz të sakrificës dhe me uniformë që zgjedhin të ecin drejt rrezikut për ta eliminuar atë, dhe jo t’i qëndrojnë larg. Mirënjohje të thellë për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e pashoq që po tregoni duke mbrojtur jetën, komunitetet dhe pasurinë tonë natyrore.
Shqipëria krenohet me ju! Sakrifica, vendosmëria dhe shërbimi juaj janë shembulli më i mirë i detyrës ndaj Republikës!”, shkruan Nufi.
Ditën e djeshme, vatrat e zjarrit përfshinë jugun e vendit, ku situata më kritike ishte në Finiq dhe Mallakastër. Për shkak të erës së fortë, zjarri u përhap me shpejtësi në disa fshatra, duke rrezikuar edhe banesat, ndërsa dje u kërkua edhe ndihmë nga ajri për të mbajtur nën kontroll flakët. Një tjetër vatër zjarri u regjistrua mëngjesin e sotëm në Rriban të Mallakastrës, ku flakët kanë përfshirë zonën pyjore duke e bërë të vështirë ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse.
Ndërsa policia njoftoi se një person ka rënë në pranga për zjarrvënie të qëllimshme. Bëhet fjalë për Ardian Xhafo, 54 vjeç, i cili u arrestua në flagrancë pranë vatrës së zjarrit që dyshohet se ndezi në vendin e quajtur “Qafa e Vidhit”, pranë fshatit Hekal, Mallakastër./ZËRI
U dogjën rreth 400 pemë ulliri, 54-vjeçari arrestohet pranë zjarrit që ndezi në Mallakastër
MALLAKASTËR- Ardian Xhafo, 54 vjeç është arrestuar në flagrancë, pranë vatrës së zjarrit që dyshohet se ndezi në vendin e quajtur “Qafa e Vidhit”, pranë fshatit Hekal, Mallakastër. Zjarri u përhap me shpejtësi duke shkaktuar djegien e rreth 400 pemëve të ullirit. Xhafo akuzohet për “shkatërrim të pronës me dashje.”
Njoftimi i policisë:
Kapet në flagrancë pranë vatrës së zjarrit që dyshohet se ndezi, vihet në pranga 54-vjeçari. Nga zjarri u dogjën rreth 400 pemë ulliri.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, pas njoftimit se në vendin e quajtur “Qafa e Vidhit” kishte rënë zjarr dhe po digjeshin dhjetëra pemë ulliri, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, në mbështetje të forcave zjarrfikëse, si dhe për të kryer veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Pranë vatrës së zjarrit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar shtetasin A. Xh., 54 vjeç, banues në Ballsh, i cili dyshohet se kishte ndezur zjarrin. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur rreth 400 pemë ulliri.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër arrestuan në flagrancë shtetasin A. Xh., për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr".
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.
Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.
/ZËRI
Jugu i vendit nuk gjen qetësi! Vatër e re zjarri në Mallakastër, digjet zona pyjore në Rriban
MALLAKASTËR-Një vatër zjarri është regjistruar mëngjesin e sotëm në Rriban të Mallakastrës. Flakët kanë përfshirë zonën pyjore duke e bërë të vështirë ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse të cilat po punojnë në një terren të vështirë, pa rrugë, për neutralizimin e flakëve.
Vetëm një ditë më parë fshati Hekal në Mallakastër u përfshi nga një zjarr i përmasave të mëdha, duke rrezikuar banesat dhe puset e naftës në zonë.
Situata ishte alarmante në gjithë jugun ku në fshatin Kash të Ballshit u dogjën dy banesa, ndërkohë tre helikopterë mbërritën në ndihmë të forcave zjarrfikëse në Finiq, pas kërkesës për ndërhyrje nga ajri për shkak të situatës së rënduar./ZËRI