FIER-Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të dytë kirurgjikale në këmbën e dëmtuar, pasi ekzaminimet e fundit mjekësore kanë evidentuar probleme në procesin e trajtimit të frakturës. Avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndreca ka njoftuar se Veliajt i është bërë sot një ekzaminim mjekësor në spitalin e burgut, për gjendjen në këmbën që kishte thyer kur ndodhej në paraburgimin e Durrësit.
“Veliaj më tha në telefon se do bëjë operacion për këmbën e thyer. Këmba i është përkeqësuar prej mosekzaminimit në kohë. Veliaj më tha se ka bërë sot ekzaminim në Spitalin Memorial në Fier dhe se doktorët e Memorialit në Fier i rekomanduan operacion të këmbës”, njoftoi avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndreca.
Veliaj ndodhet në spitalin e burgut të Fierit prej 4 nëntorit. Gjatë periudhës kur Veliaj mbahej në paraburgimin e Durrësit, ai kishte pësuar dëmtime në këmbë dhe në kohën kur u transferua në burgun e Fierit, u shpreh se nuk i ishte marrë parasysh gjendja e tij shëndetësore.