PEQIN- Një pjesë e Rrugës antike Egnatia, një nga arteriet më të rëndësishme të kohës romake që lidhte Perëndimin me Lindjen, u inaugurua në Peqin, pas një restaurimi tërësor që e ka shndërruar në një shëtitore, të aksesueshme për qytetarët dhe turistët.
Ceremonia e inagurimit mblodhi dhjetra qytetarë të Peqinit, si dhe një grup motorristësh që organizuan një shfaqje spektakolare përgjatë segmentit të restauruar, duke krijuar një atmosferë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin gjithashtu përfaqësues të pushtetit vendor, me Kryetarin e Bashkisë së Peqinit Bukurosh Maçi në krye, i cili theksoi rëndësinë historike dhe turistike që ky projekt do të ketë për qytetin.
Segmenti i restauruar përfshin një pjesë të rëndësishme të trasës së Via Egnatia, që përshkon Peqinin, dikur e njohur me emrin “Clodiana”, ku bashkoheshin degët kryesore të rrugës antike nga Durrësi dhe Apolonia. Projekti synon të ruajë strukturën autentike të gurëve dhe elementëve arkitektonikë romakë, ndërkohë që ofron një infrastrukturë të re me hapësirë për këmbësorët. Rruga është konceptuar si një hapësirë interaktive, ku vizitorët mund të eksplorojnë gjurmët e lashta të kalldrëmeve romake.
Restaurimi është pjesë e një nisme më të gjerë për të promovuar trashëgiminë kulturore dhe historike të Peqinit, duke përfshirë edhe zonën e Kalasë së Peqinit, e ndërtuar mbi themelet e fortifikimeve romake.
Ky restaurim pritet të japë një shtysë të fortë zhvillimit të turizmit kulturor në Peqin, duke e vendosur qytetin në hartën e destinacioneve që ofrojnë përvojë historike për vizitorët vendas dhe të huaj./ZËRI