
TIRANË-Sot do të zhvillohen homazhet në nderim të diplomatit, ish-deputetit dhe publicistit Bashkim Zeneli, i cili u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare. Ceremonia mortore do të mbahet pranë Sallës së Seancave Plenare të Kuvendit të Shqipërisë, nga ora 11:00 deri në 13:00. Pas përfundimit të homazheve, kortezhi mortor do të niset drejt varrezave të Sharrës, ku Bashkim Zeneli do të përcillet për në banesën e fundit.
Zeneli ka pasur një karrierë të gjatë në shërbim të diplomacisë dhe politikës shqiptare. Ai ka përfaqësuar Shqipërinë si ambasador në Gjermani dhe Greqi.
Gjatë karrierës së tij, Zeneli ka qenë gjithashtu deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i Këshillit Politik të Partisë Socialiste. Ai është angazhuar edhe në gazetari e publicistikë, duke kontribuar me shkrime, analiza dhe botime mbi zhvillimet politike e diplomatike.
