TIRANË-Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale të Shqipërisë. Me dekretin nr. 580, të firmosur më 31 tetor 2026, Presidenti Bajram Begaj ka shpallur ligjin për ndarjen e re territoriale të vendit, pas miratimit të tij në Kuvend më 9 tetor.

Reforma Territoriale u miratua në Kuvend, në seancën maratonë të 8 tetorit që zgjati deri në orët e para të 9 tetorit me 85 vota pro dhe 34 kundër. Partia Demokratike kundërshtoi hartën e re, duke propozuar krijimin e 100 bashkive dhe 12 qarqeve, ndërsa socialistët argumentuan se reduktimi i njësive vendore do të rriste efikasitetin e administratës dhe shërbimeve.
Me Reformën e re Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, nuk do të jenë më bashki më vete, dhe nga 61 bashki në vend, numri ulet automatikisht në 46. Veç bashkimit të bashkive, do të ketë dhe 6 qytete të reja.
Konkretisht, në qarkun e Shkodrës, në Bashkinë Malësi e Madhe, Kastrati do të marrë statusin e qytetit, ndërsa në Bashkinë Vau i Dejës, statusin e qytetit do ta marrë edhe Bushati. Po ashtu ndryshime ka edhe në qarkun e Dibrës, ku në Bashkinë Mat, e cila me hartën e re përfshin edhe Klosin, propozohet që statusin e qytetit ta marrë edhe Ulza. Në Bashkinë Bulqizë, Krasta do të marrë gjithashtu statusin e qytetit dhe do t'i shtohet Bulqizës. Ndërkohë edhe Golemi do të marrë statusin e qytetit, ndërsa në qarkun Lezhë shtohet qyteti Milot.