LIVE UPDATES

Nga i riu i plagosur në sy te pezullimi i efektivit të "Shqiponjave", pasojat e protestës në Tiranë: 23 të arrestuar dhe 5 policë të lënduar

♦Të rinj e qytetarë pritet të dalin sërish sot në protetë në Tiranë, pas asaj të një ditë më parë. ♦Në protestën e së shtunës, e cila zgjati deri në orët e mbrëmjes, u regjistruan përplasje të dhunshme dhe incidente. ♦Si pasojë e përplasjeve, mbetën të lënduar disa policë e protestues, ndërsa rasti më i rëndë ishte i një 28-vjeçari, që u qëllua me plumb gome në sy. ♦Lidhur me incidentet një natë më parë, Policia ka njoftuar nisjen e hetimeve, ndërsa bën me dije se janë arrestuar 23 persona, ka proceduar 13 të tjerë dhe 30 të shpallur në kërkim. ♦Lidhur me rastin e 28-vjeçarit Erion Vishkulli, Ministria e Shëndetësisë njofton se i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale urgjente, ndërsa sot do të kryhet një konsultë e zgjeruar për vijimin e trajtimit. ♦Ndërkohë, pas publikimit në media të pamjeve ku një efektiv dyshohet se ka tejkaluar kompetencat, është pezulluar nga detyra inspektori A. K., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”. ♦Në total, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 23 persona janë paraqitur në institucionet shëndetësore, përfshirë protestues, efektivë, gazetarë dhe një deputet. ♦Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka ftuar sërish sot studentët për dialog dhe ka nxjerrë përpara godinës së qeverisë një sofër guri dhe karrige.

4 artikuj për këtë temë.
3 ORE ME PARE

23 të plagosur nga protesta, MSH: I riu i lënduar në sy i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale

Nga i riu i plagosur në sy te pezullimi i efektivit të
pamje nga protesta

TIRANË- Ministria e Shëndetësisë ka publikuar bilancin e të lënduarve pas protestës së djeshme në Tiranë. Sipas njoftimit të MSH, 23 persona janë paraqitur në institucionet shëndetësore, mes tyre 12 protestues, 2 përfaqësues të medias dhe 2 efektivë policie. 

MSH njofton se protestuesit i lënduar në sy, 28-vjeçari Erion Vishkulli, i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale urgjente, ndërsa sot do të kryhet një konsultë e zgjeruar për vijimin e trajtimit.

Ndërkohë, në QSUT janë paraqitur pesë persona, përfshirë një deputet, një protestues, dy efektivë policie dhe një përfaqësues i medias, të cilët kanë marrë mjekimin dhe janë larguar.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, sipas informacioneve paraprake nga strukturat spitalore dhe poliklinikat informon se gjatë protestës së datës 24 tetor 2026 në strukturat shëndetësore janë paraqitur 23 të lënduar:

*Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 16 të lënduar:

- 12 protestues. Njëri prej të cilëve i lënduar në sy.

- 2 përfaqësues të medias.

- 2 efektivë policie.

Për protestuesin e lënduar në sy: është kryer dje ndërhyrja kirurgjikale e urgjencës. Sot do të zhvillohet një konsultë e zgjeruar, me ekip të përbashkët profesionistësh të SUT dhe QSUT  për të përcaktuar vijueshmërinë e trajtimit.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, janë paraqitur:

- 1  deputet i Kuvendit

- 1 protestues

- 2 efektivë policie

- 1 përfaqësues i medias

Të lënduarit kanë marrë mjekimin dhe kanë lënë ambjentet e QSUT.

Poliklinika e Specialiteteve Nr.2, Tiranë janë paraqitur:

- 2 efektivë policie, të cilët kanë marrë trajtim e nevojshëm dhe janë larguar.

3 ORE ME PARE

Protesta e së shtunës, Policia: 23 persona të arrestuar, 13 të proceduar dhe 30 në kërkim (EMRAT)

Nga i riu i plagosur në sy te pezullimi i efektivit të
pamje nga protesta e djeshme

TIRANË- 23 persona janë arrestuar në Tiranë pas protestës së zhvilluar një ditë më parë. Policia e Tiranës bën me dije se 13 të tjerë janë proceduar penalisht, ndërsa 30 janë shpallur në kërkim.

Të arrestuarit janë: Jul Budi, Lorenc Bezati, Dritan Zhilla, Xhuljano Minga, Mariglen Selimi, Klesti Fetiu, Valentini Lamce, Erti Zhilla, Xhulio Meçani, Arbër Elezi, Rexhep Kuçaj, Elsard Nxheç, Mario Shitka, Redon Hoxha, Brahim Omenaj, Eugen Neziri, Leon Neziri, Omer Ademi, Jurgen Ziaj, Rezart Vozga, Vesjon Arifi, Enrik xhemalaj dhe Ramazan Dauti.

Sipas njoftimit, gjatë protestës të zhvilluar në zona të ndryshme të kryeqytetit punonjësit e policisë janë sulmuar me sende të forta dhe lënë prioteknike, ku për pasojë disa prej tyre kanë mbetur të plagosur. 

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë, si dhe dëmtuan godina institucionesh shtetërore gjatë tubimit të djeshëm, arrestohen 23 shtetas, procedohen penalisht 13 të tjerë dhe shpallen në kërkim 30 shtetas.

Gjatë protestës së djeshme, të zhvilluar në zona të ndryshme të kryeqytetit, punonjësit e Policisë së Shtetit u sulmuan për orë të gjata me gurë, vida e sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla. Si pasojë e sulmeve nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, disa punonjës Policie u plagosën dhe morën ndihmën mjekësore.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, nën drejtimin e Prokurorisë, në lidhje me tubimin e djeshëm:

-U arrestuan shtetasit J. B., 54 vjeç, L. B., 48 vjeç, D. Zh., 36 vjeç, Xh. M., 27 vjeç, M. S., 38 vjeç, K. F., 25 vjeç, V. L., 29 vjeç, E. Zh., 34 vjeç, Xh. M., 30 vjeç, A. E., 38 vjeç, R. K., 23 vjeç, E. N., 26 vjeç, M. Sh., 33 vjeç, R. H., 27 vjeç, B. O., 18 vjeç, E. N., 28 vjeç, L. N., 25 vjeç, O. A., 19 vjeç, J. Z., 35 vjeç, R. V., 31 vjeç, V. A., 20 vjeç, E. Xh., 39 vjeç dhe R. D., 31 vjeç;

-Ndërkohë u proceduan penalisht 13 shtetas;

-Si dhe u shpallën në kërkim 30 shtetas.

Policia vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjeve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

4 ORE ME PARE

Tejkaloi detyrën, pezullohet efektivi i “Shqiponjave” që dhunoi protestuesin! Hetim për dëmtimin në sy të 28-vjeçarit

Nga i riu i plagosur në sy te pezullimi i efektivit të
pamje nga incidenti-efektivi i pezulluar nga puna pasi dhunoi qytetarin

TIRANË- Policia e Shtetit ka dalë me njoftim zyrtar dhe ka nisur hetimet lidhur me incidentet e regjistruara gjatë protestës së djeshme në Tiranë. Sipas njoftimit të policisë, si pasojë e incidenteve mbetën të plagosur pesë punonjës policie dhe u dëmtua në sy 28-vjeçari Erjon Vishkulli. Për këtë të fundit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, ka urdhëruar hetimin e plotë dhe të paanshëm të ngjarjes, ndërsa po për këtë rast, kanë nisur hetimet edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.

Një tjetër rast i bërë publik lidhet me pamjet e shpërndara me shpejtësi në rrjetet sociale, ku një efektiv i Forcës së Posaçme “Shqiponja” shfaqet duke goditur me shkop gome një protestues të shtrirë në tokë. Lidhur me këtë rast, pas publikimit të pamjeve, Policia bën me dije se është ka pezulluar nga detyra inspektorin A. K., për dyshimet mbi tejkalimin e kompetencave dhe mosrespektimin e parimit të proporcionalitetit.

Policia bën me dije gjithashtu se, 5 punonjës policie u plagosën pasi u sulmuan me gurë, shkopinj, lëndë piroteknike, bomba molotov dhe mjete të tjera.

Reagimi i Policisë së Shtetit:

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Shtetit bëri thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e akteve të dhunës gjatë protestës së planifikuar mesditën e datës 24.10.2026.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u kërkoi drejtuesve të shërbimeve dhe punonjësve të angazhuar në terren vetëpërmbajtje dhe zbatim të parimit të proporcionalitetit në rast të përballjes me akte dhune.

Gjatë protestës, e cila zgjati deri në orët e mbrëmjes së djeshme dhe u shtri në disa pjesë të kryeqytetit, punonjësit e Policisë së Shtetit u sulmuan për orë të gjata me gurë, vida e sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë. Si pasojë e sulmeve të personave të maskuar dhe të dhunshëm, 5 punonjës policie u plagosën.

Lidhur me incidentin gjatë të cilit 28-vjeçari E. V. pësoi dëmtim në sy, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi nisjen e menjëhershme të veprimeve përkatëse nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, për hetimin e plotë dhe të paanshëm të rrethanave të ngjarjes.

Po në lidhje me këtë rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për lëndimin e të riut gjatë protestës dhe i uron atij shërim sa më të shpejtë, ashtu si të gjithë qytetarëve, gazetarëve dhe punonjësve të Policisë që janë lënduar gjatë protestave në Tiranë.

Ndërkohë, pas publikimit në media të një rasti ku një punonjës policie shfaqet në tejkalim të detyrës dhe mosrespektim të parimit të proporcionalitetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pezulloi nga detyra punonjësin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor A. K., dhe ndaj tij Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin administrativ.

Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe sigurisë së çdo qytetari është një detyrim parësor i Policisë së Shtetit dhe do të hetohet me paanshmëri e profesionalizëm çdo rast i dyshuar për tejkalim të detyrës.

Respektimi i ligjit, proporcionaliteti në përdorimin e forcës dhe përgjegjësia individuale janë parime të panegociueshme në ushtrimin e detyrës policore.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur të mos tolerojë asnjë veprim që bie ndesh me ligjin, me të drejtat e qytetarëve dhe me standardet profesionale që duhet të udhëheqin punën e çdo punonjësi të saj./ZËRI

4 ORE ME PARE

Kryeministri Rama "shtron sofrën" dhe fton sërish studentët në dialog (VIDEO)

Nga i riu i plagosur në sy te pezullimi i efektivit të
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka ftuar sërish sot studentët për dialog, duke vendosur përpara Kryeministrisë një sofër guri dhe disa karrige. Për të disatën herë, kreu i qeverisë vijon me ftesat për dialog, pavarësisht refuzimit të studentëve prej disa ditësh.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Një ditë më parë, Tirana u bë epiqendra e disa protestave. Studentë, mjekë, deputetë dhe mbështetës të Partisë Demokratike zhvilluan protesta në pika të ndryshme të kryeqytetit.

Pas disa orësh aksionesh në Tiranë, bulevardi përpara Kryeministrisë u shndërrua në një 'fushë betejë' mes policisë dhe protestuesve. Këta të fundit hodhën gurë, fishekzjarrë, molotovë dhe sende të forta, duke synuar efektivët e Policisë, bankat dhe bizneset private në kryeqytet.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama është shprehur i vendosur se nuk do të japë dorëheqjen./ZËRI

Poll

MOS HUMB