TIRANË-Pas rreth 7 orësh në Prokurorinë e Posaçme, biznesmeni Behgjet Pacolli, ka dalë nga ambientet e SPAK. Pacolli është shprehur se ka bërë vetëm një denoncim penal në lidhje me padrejtësitë që i janë bërë ndër vite lidhur me aeroportin e Vlorës, duke mohuar të ketë ndonjë çështje tjetër apo ndonjë interes tjetër ndaj tij.
"Unë vetëm kam bërë një denoncim penal… për padrejtësi që janë bërë deri tani, lidhur me aeroportin e Vlorës. Asgjë tjetër,"-u shpreh Pacolli për gazetarët.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nisi procedurat për anulimin e koncesionit të Aeroportit të Vlorës, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale lidhur me respektimin e afateve për ndërtimin e tij. Punimet në Aeroportin e Vlorës duhej të përfundonin në shkurt 2026, ndërsa kontrata parashikonte edhe 90 ditë shtesë, por aeroporti nuk u përfundua brenda afatit. Shkak për vonesat u bënë mosmarrëveshjet mes kompanive koncesionare “MABCO” dhe “2A Group”.
Lidhur me lëvizjen e ndërmarrë nga qeveria shqiptare, Pacolli ka lënë gjashtë muaj kohë afat për të gjetur një marrëveshje me qeverinë shqiptare, përpara se konflikti për Aeroportin e Vlorës të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar.
