
TIRANË-Në mesnatë u mbyll regjistrimi për diasporën. Për herë të parë, emigrantët do të votojnë me postë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 majit. Komisioni Rregullator pranë KQZ-së rrëzoi me shumicë votash kërkesën për të shtyrë me 5 ditë afatin për aplikimin dhe regjistrimin e shtetasve që do të votojnë nga jashtë vendit.
Sipas shifrave të Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, janë 294,155 mijë shqiptarë të diasporës që kanë bërë kërkesën për regjistrim, prej të cilëve iu është miratuar kërkesa vetëm 231,678 zgjedhësve. Po ashtu, KQZ sqaron se 41,961 zgjedhës nuk kanë mundur të regjistrohen për të hedhur edhe ata votën për zgjedhjet e 11 majit, pasi kërkesa e tyre është refuzuar. Ndërkohë, sipas të dhënave nga KQZ, janë 18,992 kërkesa në shqyrtim, për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka 5 ditë afat për shqyrtimin e tyre.

Pjesa më e madhe e kërkesave për regjistrim është bërë nga Italia, Greqia, Gjermania, SHBA dhe Britania. Prej 148,178 mijë kërkesa për regjistrim nga Italia, vetëm 86,431 mijë janë miratuar; nga Greqia u regjistruan 103,421 zgjedhës prej të cilëve u miratuan 62,546; nga Gjermania 36,546 zgjedhës kërkuan të regjistrohen, por u miratuan 24,413 prej tyre, nga SHBA 24,130 zgjedhës dhe nga Franca 6847 zgjedhës kërkuan të regjistrohen.

Sipas parashikimeve ligjore, vota e migrantëve do të llogaritet në qarkun ku ata kanë residencën në Shqipëri. Gati 49.5 mijë votues të rregjistruar i përkasin Tiranës, e pasuar nga Fieri me mbi 30 mijë votuesë nga jashtë dhe Durrësi e Elbasani me mbi 23.5 mijë të tillë.

Regjistrimi për diasporën u hap më datë 11 janar dhe lista paraprake me emër, mbiemër, qarku ku shkon vota dhe shtet nga vjen zarfi, do të publikohet më datën 9 mars./ZËRI