
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha propozoi në Kuvend përzgjedhjen e Besim Ndregjonit si Avokat të Popullit. Por, kërkesa e tij u kundërshtua nga Partia Socialiste. Kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Niko Peleshi tha se emri për Avokatin e Popullit duhet të vinte me konsensus, pasi ka munguar diskutimi nga të dyja palët. Peleshi propozoi që zgjedhja e Avokatit të Popullit të hiqet nga rendi i ditës, kërkesë kjo që u pranua edhe nga Berisha.
Sali Berisha: Në detyrimin e këtij parlamenti të votojë për avokat të popullit përfaqësuesin e asaj shtrese që përjetoi kalvarin më të egër barbaritë më të mëdha në të gjithë Europën. Shekuj dhe mijëvjeçar burgje dhe vite rinie të humbura.
Mijëra e mijëra jetë të këputura në mes nga skuadrat e pushkatimit. Kampet e përqendrimit dhe gulagët e regjimit të shkuar janë një rast për këtë parlament për të emëruar pikërisht avokat të të drejtave të shqiptarëve, të drejtave themelore, një përfaqësues të shquar të tyre, një përfaqësues të shquar të një prej familjeve më të nderuara të Dibrës, dhe mendoj se nuk ka nevojë të përdoren votat sekrete, por të votoni Besim Ndregjonin edhe si një akt ndjese detyrimi, ndjese për atë që ka ndodhur, për dramën e tmerrshme që ka përjetuar shtresa e tyre. Ndaj dhe, them mos përdorni fshehtësinë, por dilni haptas ta miratojmë me në fund një përfaqësues të një shtrese të martirizuar në respekt për vuajtjet, sakrificat e tyre.
Pavarësisht se ne jemi në pozicione shumë të ndryshme nga njëri-tjetri, por në këtë rast, unë ftoj parlamentin të bashkojë votat për të kaluar si përfaqësues të avokatit të të drejtave të qytetarëve shqiptarë, Besim Ndregjonin I cili përfaqëson shpresën e madhe të tyë përndjekurve politikë.
Niko Peleshi: E njohim dhe të gjithë e dimë traditën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit i takon Kuvendit të zgjedhë, por propozimet i takojnë opozitës dhe diskutohet për të arritur një emër konsesual. Duhet thënë që edhe në respekt të emrave. Duhet ti japim seriozitet procesit, mos ta lemë në seancë, thuhet një emër. Nuk kemi një vendim politik, përsa kohë ka munguar ky proces, nëse s’do kemi një rezultat për një emër të caktuar, ftoj opozitën të ndërtojmë procesin siç është traditë për të arritur me konsensus me një emër. S’jemi kundër asnjë emri, të ndërtojmë procesin dhe flasim për propozimet tuaja.
Sali Berisha: Në rast se është problemi për konsultim më të thelluar, mos e hidhni në votë, të bëjmë konsultimin dhe të vijmë ta votojmë. Kemi besim të plotë se ai kandidat nderon atë post.
Niko Peleshi: Jemi dakord për ta hequr nga rendi i ditës dhe të ndërtojmë procesin sic është tradita.
Tradiacionalisht, Avokati i Popullit është një emër që propozohet nga opozita dhe duhet të marrë mbështetjen e mazhorancës në Kuvend. Opozita ka propozuar 7 kandidatë për këtë pozicion, i cili po mbahet nga Erinda Ballanca pavarësisht përfundimit të mandatit.
Kandidatët për Avokat Populli:
Bledar Dervishaj
Vitore Tusha
Tartar Bazaj
Besim Ndregjoni
Dardan Mustafaj
Edison Frangu
Erald Aga
Erinda Ballanca u zgjodh në krye të kësaj detyre në vitin 2017, por ende nuk është zgjedhur një pasues i saj. Në vitin 2023, u propozua nga Partia Demokratike, Ledio Braho, por u refuzua nga kryeministri Edi Rama me argumentin se “nuk do të votonte një avokat partie”.
/ZËRI