Politikë

Berisha porosit drejtuesit politik: Të dokumentojmë blerjen e votës nga grupet kriminale!

Në mbledhjen e sotme me drejtuesit politikë të qarqeve, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot në gjatë mbledhjes me drejtuesit politikë të PD-së, se PS fitoi zgjedhjet e 11 Majit duke blerë votat, përmes bandave.

k.m.
Berisha porosit drejtuesit politik: Të dokumentojmë blerjen e
Sali Berisha

TIRANË- Për Sali Berishën nuk ka asnjë dyshim! Për të, procesi zgjedhor ishte një masakër elektorale dhe grabitja më e madhe në 33 vite pluralizëm politik. Në mbledhjen e sotme me drejtuesit politikë të qarqeve, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot në gjatë mbledhjes me drejtuesit politikë të PD-së, se PS fitoi zgjedhjet e 11 Majit duke blerë votat, përmes bandave. Ndaj edhe bëri me dije se i ka mbledhur drejtuesit politik, për t’i kërkuar atyre të mblidhen fakte për krimin elektoral në qarqet e tyre. Në fjalën e tij përmendi edhe protestën e 16 majit, duke u shprehur se do të shërbejë si sensibilizim për ndërkombëtarët, të cilën sipas tij duhet ta kuptojnë që po vijnë në një narko shtet.

"Detyra, numër 1 në këtë fazë është mbrojtja e votës duke paraqitur dhe faktuar të gjithë universin kriminal të qarqeve tuaja. Të gjithë ndërhyrjet kriminale në qarqet tuaja. Çdo evidentim, pasi beteja jonë për mbrojtjen e votës së shqiptarëve është betejë për faktin vendimtar të Shqipërisë dhe të demokracisë shqiptare. Është betejë të cilën në do ta fitojmë sepse nuk ka shqiptar që e njeh veten të tillë dhe nuk pa me sytë e tij sesi me vendime qeverie u grabitjen zgjedhjet. Nuk ka shqiptar që të pranojë për standard shpërndarjen e 100 eurove për person për të blerë votën. Nuk ka detyrë mbi cdo detyrë tjetër është dokumentimi, me vertetësi dhe dokumente të plotë. Ne nisim një betejë që do ta fitojmë,"-tha ndër të tjera në fjalën e tij Berisha.

FJALA E PLOTË E BERISHËS:

Mirëmbrëma dhe përshëndetje ju drejtuesve politikë të qarqeve, një përshëndetje të veçantë kam dhe një mirënjohje të pakufishme për ata qindra mijëra qytetarë që në kushtet më të vështira, votuan si qytetarë të lirë për vlerat, idealet që besonin, votuan kundër një regjimi që në traditën më antidemokratike, më antikombëtare, ka shndërruar krimin në faktor kryesor elektoral, krimin në votë dhe votën në krim. Por unë kam një mirënjohje të veçantë gjithashtu për të gjithë komisionerët, vëzhguesit, numëruesit, të cilët përballen prej tre ditësh me presione nga më të ndryshme dhe mbrojnë me integritet votën e qytetarëve shqiptarë. Një falënderim për të gjithë strukturat e angazhuara në këtë proces, i cili pati si rezultat final plaçkitjen, grabitjen më të madhe të votës në historinë 33-vjeçare të pluralizmit politik shqiptar. Në këto zgjedhje u faktua në mënyrën më të pakundërshtueshme se sa më i madh vjedhja dhe korrupsioni, aq më shumë ato shndërrohen në votë dhe pas tyre vota në krim. Pra, rrethi vicioz i krijuar në këtë narkoshtet që krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim pati në këto zgjedhje proporcione të papara ndonjëherë më parë. Njeriu që grabiti zgjedhjet, regjimi që grabiti zgjedhjet e vitit 2025, të 11 Majit, nuk e bëri këtë fshehtas. Ai e bëri këtë publikisht duke përdorur për këtë qëllim të gjithë potencialin e narkoshtetit me vendime qeverie. Pra, ai shpërndau dhuratë për votë 70 milionë euro, 760 mijë pensionistëve, të cilët në hartën aktuale elektorale përbëjnë 48 përqind të votuesve në Shqipëri. Kjo është shkelja publike më e rëndë, më e paprecedent. Cilido që përpiqet të na bindë apo të na kundërshtojë ne se ky nuk është një megakrim elektoral, një blerje e hapur publike e votës, ose është bashkëpunëtor në këto para krimi, paguhet me këto para krimi që paguhet vota, ose pastaj nuk ka ABC-në më elementare të parimeve të zgjedhjeve të barabarta dhe të drejta. Edi Rama nuk u përpoq të fshehë kësaj radhe asgjësimin e kodit zgjedhor dhe krimit elektoral. Ai shpërndau në mes të fushatës 138 licenca për miliona bimë kanabisi. Mos harroni se një bimë kanabisi e ka prodhimin 1 mijë euro. Se si i ndau mafia e drogës bimët për vota, është shumë e thjeshtë. Por një bimë kanabisi është 1 mijë euro produkti. Ai nuk e fshehu, por e bëri publike blerjen e votës kur dy ditë para zgjedhjeve fali më së paku 200 milionë euro gjoba dhe kamata të 10 viteve të fundit.Cilat do qofshin përmasat e veprimtarisë kriminale të nëndheshme, këto publiket janë më të mëdhatë, më gjigantet, më të pashembulltat. Për të mos thënë pastaj rreth 500 milionë euro prokurime, PPP-ra, koncesione, gjatë fushatës elektorale. Që të gjitha për vota. Për të mos thënë pastaj mbi 10 mijë punësime në qeverinë vendore, lokale dhe ndërmarrjet publike, që të gjitha punë për votë, punësim për votë. E vërteta është se në këto zgjedhje, bandat kriminale kanë vepruar më të strukturuara dhe më të kontrolluara se asnjëherë më parë. Këto banda kanë vepruar në dhjetë qarqe të vendit dhe në mbi 20 bashki me detyrën për të mbështetur dhe sjellë në parlament 30 kandidatë të PS. ‘Ylli’ i kësaj fushate është famozja Sara Mile, e cila arriti në 30 mijë, po tani po i ulin votat sepse bëhet barsoletë botërore se si e panjohura u bë më e votuara në zgjedhjet e narkoshtetit shqiptar. Bandat, aty ku panë se puna e nëndheshme mund të mos realizonte objektivin, dolën haptas në shesh, në terren, në një seri bashkish, ndër të cilat në Vorë, në Peshkopi, në Mat dhe në Durrës, në Elbasan, në shumë rrethe të tjera. Unë gjej rastin të shpreh një falenderim dhe mirënjohje ndaj të gjithë gazetarëve, të cilët me guxim, me trimëri kanë bërë publike të vërtetat, këtë aktivitet kriminal, i cili u ushtrua ditën e zgjedhjeve pa asnjë lloj kufizimi. Pra, e vërteta është se zgjedhjet u rrëmbyen nga një narkodiktator që me një fuqi korruptive dhe që mendon se do mund të qëndrojë mbi mandatin e tij të krimit. Tani, detyra numër një në këtë fazë, dhe prandaj unë u kam thirrur sonte këtu, u kam shkëputur nga puna, është mbrojtja e votës duke paraqitur dhe faktuar të gjithë universin kriminal të qarqeve tuaja. Të gjithë ndërhyrjet kriminale në qarqet tuaja, çdo evidentim pasi beteja jonë për mbrojtjen e votës së shqiptarëve është betejë për fatin vendimtar të Shqipërisë dhe demokracisë shqiptare. Është betejë, të cilën ne do ta fitojmë sepse sot nuk ka shqiptar që e njeh veten të tillë dhe nuk pa me sytë e tij se si me vendime qeverie u grabitën zgjedhjet. Nuk ka shqiptar që mund të pranojë për standard shpërndarjen e 100 eurove për person për të blerë votën. Shpërndarjen e miliona bimë kanabis për të blerë votën. Në këtë mënyrë, Edi Rama ka poshtëruar një komb të tërë. Është dokumentuar një Asad i vërtetë. Por nuk them Asad, por them Toto Rina, po mu kujtua Lajlaja se sot ai shpalli opozitë të vetme Linda Ramën dhe emëroi disa të tjerë opozitë të emëruar, Tom Doshin e të tjerë. Diktatorët ngjasojnë njëri me tjetrin. Pra, nuk ka detyrë mbi çdo detyrë tjetër është dokumentimi me vërtetësi dhe dokumenta të plota. Ne nisim një betejë të cilën ne do ta fitojmë. Ne do ta fitojmë sepse së pari këto krime madhore elektorale janë krime të paralajmëruara dhe të denoncuara në rezolutat e fuqishme ndërkombëtare, si asnjëherë më parë. Së dyti, dua të përshëndes vëzhguesit, të OSBE/ODIHR, Parlamentit Europian dhe të Këshillit të Europës, për konstatimet e tyre madhore, me të cilat këto zgjedhje de facto rrëzohen. Por tani është radha jonë të dorëzojmë të faktuar të gjithë batërdinë elektorale të narkoregjimit në zgjedhjet e 11 Majit. Me datën 16 fillon protesta për një sensibilizim të udhëheqësve europiane se ndodhen në një narkoshtet që nuk respekton asnjë rregull, asnjë parim të votës së lirë. Dhe kjo jo se e themi ne, por që e thonë katër rezoluta ndërkombëtare të partive që qeverisin botën. Deklaratat paraprake nuk mund të dekurajojnë ne në betejën tonë që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë, me zotimin solemn se me Edi Ramën nuk ka votë të lirë. Por këto kohëra që vijnë, janë kohëra përcaktuese në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar për mbrojtjen e votës së shqiptarëve, për luftën për mbrojtjen e votës së shqiptarëve. Kjo është një kauzë e drejtë, e dobishme, e vlefshme për çdo sakrificë. Kjo është një kauzë e drejtë, e cila do triumfojë. Mandat mbi krimin, legjitimitet mbi krimin nuk ka dhe nuk do ketë. I them Edi Ramës se gjysmë milioni shqiptarë të lirë nuk mund të shtypen kurrë. Harroje! Gjysmë milioni njerëz të lirë janë më të guximshëm se shumë milionë të tjerë skllevër, njerëz të blerë apo të shitur. Ndaj dhe ne duhet t’u dalim zot me vendosmëri të madh aspiratave të votës së lirë të gjysmë milioni shqiptarë./ZËRI

Poll

MOS HUMB