
TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka shpjeguar humbjen e partisë së tij në zgjedhjet e së dielës. Përpara se të hynte në takimin e kryedemokratit Sali Berisha me drejtuesit Politikë të Qarqeve, Noka tha se janë paguar shuma të mëdha parash për blerjen e votave. Sipas tij, një personi i kanë ofruar 10 mijë euro që në ditën e zgjedhjeve të mos dilte për të votuar PD-në. Po sipas tij, tregues për blerjen e votës ishin edhe fletët e votimit të diasporës dhe falja e gjobave.
“Administrata nuk funksionon në shërbim të qytetarëve, por qeverisë. Si shpjegohet që një keqqeverisje shkon lart e më lart, rriten vjedhjet dhe krimi dhe këta shtojnë votat. Kanë blerë dhjetëra mijëra karta për të ndenjur qytetarët në shtëpi. Më thoshte një miku im, kryetar i një dege, në Selenicë, po e pyesja për një fshat që unë e di që janë të djathtë. I thashë si shpjegohet. I thirra gjithë ditën në telefon, nuk me erdhën. Kur të nesërmen takova njërin nga anëtarët e fisit. Më tha më erdhën dhe me dhanë 10 mijë euro. Më thanë mos dil në votim. 10 mijë euro për fisin. O ka prova për këto vjedhje o nuk ka për të pasur më kurrë. E patë raportin e OSBE/ODIHR. 100 euro për pensionist dhe falja e gjobave nuk ishte blerje vote? A e patë te komisioni i numërimit të votave se fletët ishin të palosura njësoj dhe me të njëjtin stilolaps të shënuar nga e njëjta dorë,"-tha Noka.
Në një moment pati edhe përplasje me gazetarët, të cilët po i drejtonin pyetje duke akuzuar se pronarët e mediave ku ata punojnë janë të "kapur" nga kreu i qeverisë.
Flamur Noka: Mediat jo të lira thanë...ju jeni profesionistë, por pronarët i keni të tredhur. E di si është puna juaj...? Ju të medias keni një gjë. Shikoni tenderat dhe koncensionet që Edi Rama iu jep pronarëve tuaj. Unë ju dua shumë. Daniela të dua shumë...por media jote është bajgë! Hajduti kishte apo nuk kishte ndonjë faj. E dini thënien e Heminguej; ju viktimës i fusni plumbin e fundit.
Sot, drejtuesit politikë të qarqeve janë kërkuar për një takim në selinë blu me kryedemokratin Sali Berisha. Takimi vjen 2 ditë para protestës që ka thirrur opozita më 16 maj./ZËRI