Politikë

Rama: Zvërneci u bë kërthiza e botës, Shqipëria në 'ciklon dixhital' prej 20 ditësh

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së, u ndal te debati publik i ditëve të fundit lidhur me projektin në Zvërnec.

zh.ll
Rama: Zvërneci u bë kërthiza e botës, Shqipëria në
edi rama

TIRANË- Në Pallatin e Brigadave po zhvillohet mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku në fokus të diskutimeve është investimi në Zvërnec, si dhe protestat që kanë “mbërthyer” vendin prej 20 ditësh.

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së, u ndal te debati publik i ditëve të fundit lidhur me projektin në Zvërnec.

Rama tha se Shqipëria, sipas tij, është përfshirë në një “ciklon dixhital” gjatë 20 ditëve të fundit, ku çështja e Zvërnecit është zmadhuar në mënyrë të madhe në rrjetet sociale dhe në opinionin publik.

"Prej 20 ditësh Shqipëria u kthye në syrin e një cikloni dixhital. Një vorbull më e madhe sesa përmasat e vendit tonë. Kjo vorbull përfshiu të reja, të rinj, patriot dixhitalë, komedianë të kthyer në kandidatë, delirantë me qeleshe, njerëz nga të gjitha kontinentet, media sociale dhe tradicionale nga të gjitha kontinentet, parti politike në Europë dhe në SHBA, aktorë të biznesit të turizmit në rajon dhe aktorë shtetërorë malinj ndaj Shqipërisë. Natyrisht edhe karavidhet opozitare të vendit tonë. Befas Zvërneci u bë kërthiza e botës, ku po vendosej fati i ngrohjes globale. Bulevardi i Tiranës u bë sheshi ku qindra mijëra njerëz, sipas vetë Sanders, iu turrën oligarkisë botërore. Bota shqiptare u njehsua me histerinë e kanaleve sociale, duke bashkuar në një armatë të vetme çlirimtare zogjtë më elegantë të botës, Flamingot, me fundin e kazanit dixhital.

Degradimi i dhunshëm i një sherri vulgar mes rojeve të sigurisë private dhe një protestuesi u bë zanafilla e një lufte globale online, ku nuk mbeti llogore pa shkrehur municionet përkatëse. Po të ishte për botën e Nartës, ajo mund të ishte kthyer qetësisht edhe 10 vite më parë, kur flamingot nuk shtegtonin më drejt lagunës së saj, sepse i priste plumbi i gjuetarëve të dehur me dy këmbë.

Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit dhe hijes së vjehrrit të tij, të cilin e urrejnë për vdekje të gjitha armatat online. Dhe si në një film, bulevardi përputhi atë arenë të frikshme me krejt armatën e urrejtësve shqiptarë, online dhe offline. Jo kundër Trumpit, por ndaj meje dhe ndaj jush. I gënjeu mendja se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim dhe kështu do të laheshin dy hesape të vjetra. Bota e madhe do ta turpëronte Trumpin në betejën e Nartës.", tha Rama.

Poll

MOS HUMB