Politikë

Data e zgjedhjeve 2025/ Begaj nis konsultimet, partitë e vogla bëjnë propozimin: Duam votime më 4 maj!

Mëngjesin e sotëm janë parë që të futen në Presidencë, përfaqësues të partive të vogla opozitare.

k.m.
Data e zgjedhjeve 2025/ Begaj nis konsultimet, partitë e vogla
Krerët e partive të vogla

TIRANË- Presidenti i Republikes Bajram Begaj ka nisur konsultimet me partitë politike për të caktuar më pas datën e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen vitin që vjen. Mëngjesin e sotëm janë parë që të futen në Presidencë, përfaqësues të partive të vogla opozitare. Krah për krah, për të takuar Begajn, të parët që kanë shkuar janë: Fatmir Mediu, Agron Duka, Dashamir Shehi, Shpëtim Idrizi dhe Vangjel Dule. Pas thuajse një ore diskutimet, është zbuluar se krerët e partive të vogla kanë kërkuar datën 4 maj. 

"Mendojmë se data 11 maj është e papërshtatshme,"-tha në fjalën e tij Agron Duka. 

Ndërsa kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi foli për gazetarët pas takimit me presidentin Bajram Begaj, tha se duhet marrë në konsideratë data 9 maj dhe dy të dielat pasuese për të lënë më shumë kohë për votën e emigrantëve.

“Patëm një diskutim formal, konstruktiv me presidentin Begaj. Datat janë të njohura. Ka nevojë për më shumë kohë për votën e diasporës. Duhet të ketë një kohë të arsyetuar. Atë ditë zgjedhin shqiptarët. Asnjë parti politike nuk duhet të ketë avantazh. Besoj Presidenti do ketë konsulta me partitë e tjera. Ne lëvizim mes datës 9 dhe dy datave të tjera. Unë kërkova, dhashë si kërkesë, opinionin është fakti që për sa kohë nuk ka një dakordësi nga partitë e mëdha për modalitetin e votës, duhet marrë parasysh që ende nuk jemi gati, nuk ka dakordësi. Jemi këtu për të thënë çfarë mendojmë. Do doja një datë sa më të arsyeshme, që ne të kemi mundësi tu japim atyre që kemi hallin e votës së diasporës,”- u shpreh Idrizi.

Tek Presidenti sot ishte edhe kryetari i Partisë "Mundësia", Agron Shehaj tha se ende nuk ka një datë zgjedhjesh.

Pyetje: Jeni kundër datës 11 maj për zgjedhjet pavarësisht se në datën 9 maj mund të mbahet takimi i Komitetit Politik Europian?

Shehaj: Këtu jemi në nivel thashethemesh, nuk ka asnjë datë zyrtare. Unë nuk e di informacionin nga e keni marrë ju, mund ta keni marrë në mënyrë jozyrtare, por unë mendoj që është absolutisht e papranueshme dhe e padobishme dhe me një ndikim shumë të madh në procesin zgjedhor të ardhshëm nëse një event kaq i rëndësishëm, siç është ai i Komunitetit Politik Europian (ECP) jo vetëm të mbahet dy ditë para por edhe sikur të mbahej një javë para apo një muaj para, kjo do ishte absolutisht e panevojshme. Kështu që unë nuk e di nëse është vendosur për datën 9 për takimin e ECP-së, por pikërisht këtë i thashë edhe Presidentit, që ai nuk mund të vendosi datën e zgjedhjeve të ardhshme duke u bazuar në informacione të paverifikuara. Presidenti i Republikës duhet të komunikoj zyrtarisht me organizatorët e takimit të Komunitetit Politik Europian (ECP) dhe ti thotë, pasi të ketë marrë informacion në radhë të parë nëse kanë vendosur kur do ta mbajnë, por sidomos nëse nuk është vendosur, tu kërkojë atyre që mos ta mbajnë këtë takim në Shqipëri para zgjedhjeve. Le ta bëjnë pas zgjedhjeve, nuk besoj se kjo do ishte problem i madh për ata, kurse për ne absolutisht që është një problem shumë i madh sepse partia në pushtet sigurisht që do ta përdorte këtë eveniment si një vlerësim për qeverinë shqiptare dhe jo për kombin.

Pas reagimeve të krerëve të partive, një reagim ka ardhur edhe nga presidenti Begaj, i cili shkruan në Facebook se po i afrohet koha që pushteti të kthehet tek zgjedhësit.

"Legjislaturës X të Kuvendit po i afrohet fundit dhe koha që pushteti të kthehet te zgjedhësit po afron. Ky pushtet i zgjedhësve nuk duhet të reduktohet vetëm në një datë kalendarike që Presidenti i Republikës e cakton për shqiptarët me qëllimin që ata të shprehin vullnetin e tyre. Dekretimi i datës së zgjedhjeve duhet të shënojë fillimin e një procesi intensiv konsultash dhe llogaridhënie për të gjithë aktorët politikë, qeveritarë e opozitarë. Ky proces thelbësor për demokracinë duhet të shndërrohet në shfaqje të mirëfilltë pjesëmarrjeje dhe angazhimi qytetar. Diskutimi i çiltër, i përgjegjshëm, serioz dhe vizionar, duhet të shoqërojë çdo hap të komunikimit të politikanëve me zgjedhësit. Vullneti politik i zgjedhësve duhet të ngjizet bazuar në debatin e hapur, transparent e konstruktiv, në ballafaqimin civil të alternativave, dhe jo në keqpërdorim të pushtetit administrativ dhe atij zgjedhor, apo në oferta elektorale të paligjshme. Një proces i drejtë elektoral ka hap të parë caktimin e datës së zgjedhjeve, duke u nisur nga interesi më i mirë i zgjedhësve, duke peshuar me paanësi argumentet pro dhe kundër secilës alternativë dhe duke tërhequr në vendimmarrje zërin e një spektri të gjerë aktorësh politikë e institucionalë. Këtij qëllimi i shërben më së miri konsulta e nisur sot, me shpresën dhe urimin që palët e thirrura në konsultë do ta mirëpresin atë me të njëjtin seriozitet, respekt dhe përgjegjshmëri, me të cilën janë ftuar të bëhen pjesë me opinionet dhe sugjerimet e tyre,"-shkruan Begaj.

Të enjten, kreu i shtetit do të presë përfaqësues nga Partia e Lirisë që në mungesë të Ilir Metës, i cili ndodhet në "arrest me burg", pritet që të shkojë Tedi Blushi.  Ndërsa takimet mes zyrtarë të Partisë Socialiste dhe Demokratike, presidenti Begaj do t’i zhvillojë më 25 Nëntor.

Sipas Kodit Zgjedhor, dita e votimeve duhet të zhvillohet në një nga të dielat nga 15 prilli deri në 15 maj. Ndaj presidenti Bajram Begaj mund të dekretojë një prej këtyre datave; 20, 27, 4 dhe 11 maj. Për këto zgjedhje do të implementohet për herë të parë vota e diasporës. Ndërkohë palët nuk janë dakordësuar ende për votimin elektronik. KQZ propozon që votimi të bëhet me makineri në Elbasan dhe në Durrës, ndërsa maxhoranca kërkon që të shtohet edhe qarku i Tiranës. Në këtë pikë kundërshton opozita, e cila pretendon se votimi elektronik mund të manipulohet./ZËRI

Poll

MOS HUMB