TIRANË-Në dekretin për mandatimin e kryeministrit Edi Rama si kryeministër në legjislaturën e re, presidenti Bajram Begaj ka dekretuar edhe ministren virtuale 'Diella'. Në dekretin e tij, pjesë është edhe 'Diella', ministrja virtuale, e cila do të drejtojë Prokurimet Publike. Dekretimi nuk është pranuar nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, i cili u shpreh se është anti-kushtetuese. Në reagimin e tij, Bardhi rendit edhe kushtet që duhet të përmbushë një ministër për tu dekretuar.
"Dekreti i Presidentit të Republikës për të ngarkuar kryeministrin me ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual “Diella”, përveçse qesharak, është tërësisht antikushtetues. Ai bie ndesh me nenet 96, 97, 102 dhe 103 të Kushtetutës. Ministër mund të emërohet: (i) shtetasi shqiptar; (ii) që ka mbushur 18 vjeç; dhe (iii) është i aftë mendërisht (shih nenet 45 dhe 103 të Kushtetutës). Cilat nga këto cilësi ka ministrja “Diella”?! Karagjozllëqet e kryeministrit nuk mund të shndërrohen në akte juridike të shtetit shqiptar. Ushtar Bajrami po tenton ta shndërrojë Republikën në një palaçollëk, siç është ai vetë,"-deklaron Bardhi.
Një përgjigje ka ardhur edhe nga Presidenca, e cila sqaruar pozicionin e Kreut të Shtetit Bajram Begaj në lidhje me dekretin për krijimin e një Ministreje të Inteligjencës Artificiale në përbërjen e qeverisë së re. Në përgjigje thuhet se aktualisht është dekretuar vetëm Kryeministri, dhe jo ministrat apo ndonjë emër specifik.
REAGIMI: Sot Presidenti i Republikës ka dekretuar vetëm Kryeministrin. Ministrat do të dekretohen në një ditë të mëvonshme.” Sa i përket bazës kushtetuese të dekretit, Presidenca thekson se ajo gjendet në rreshtin hyrës të dokumentit, i cili i referohet nenit përkatës që i jep të drejtën Presidentit të mandatojë Kryeministrin pas zgjedhjeve, sipas propozimit të forcës fituese. Dekretimi i Kryeministrit bëhet sipas propozimit të partisë fituese në zgjedhje. Neni 2 i dekretit e ngarkon Kryeministrin me një funksion specifik, gjithashtu sipas të njëjtit propozim.” Lidhur me shqetësimin nëse pika 2 e dekretit për “Ministren Artificiale” bie në kundërshtim me nenet 96, 97, 102 dhe 103 të Kushtetutës, Presidenca sqaroi se dekretimi i ministrave ende nuk ka ndodhur, ndërsa Kryeministri i mandatuar plotëson të gjitha kriteret kushtetuese të përcaktuara në këto nene. Sa i takon referencave për nenet 102 dhe 103, Kryeministri i plotëson kushtet dhe kërkesat e parashikuara në këto dy nene.