
TIRANË- Deputetët e Partisë Demokratike janë vendosur në të gjitha hyrjet e kuvendit në mënyrë që të ndalojnë ligjvënësit e mazhorancës që të hyjnë në Kuvend. Deputeti i PD-së, Flamur Noka tha se fjala e lirë e frikëson kryeministrin Edi Rama dhe ai ka bllokuar të Parlamentin në mënyrë që të mos lejohen brenda përfaqësuesit e popullit. Po ashtu, ai sulmoi edhe grupimet e tjera të opozitës duke i quajtur ata “raca më e ndyrë e njerëzimit”.
"Tmerri ka Edi Rama nga opozita dhe fjala e lirë. Dy fjalë edhe për këta opozitarët e opozitës, si raca më e ndyrë e njerëzimit. Shikoni këto pastaj dilni flisni. Bunkerizohet parlamenti që të mos lejohen të futen përfaqësuesit e popullit. Shihni këtë pamje dhe pastaj flisni për demokraci", tha Noka.
View this post on Instagram
24 deputetët e PD-së u përjashtuan nga Sekretariati i Etikës deri më dy muaj në seancat plenare për shkak të dhunës dhe kaosit që shkaktuan në Parlament me 30 shtator. Po ashtu, dje pas mbledhjes së grupit parlamentar, Gazment Bardhi u shpreh se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka për ta penguar zhvillimin normal të seancave plenare.
Pas arrestimit të deputetit Ervin Salianji, opozita nisi aksionin kundër maxhorancës, duke paralajmëruar protestë (e cila do mbahet në datë 8 tetor) dhe mosbindje civile. Por aksioni nisi të hënën nga Kuvend me opozitën që shkaktoi kaos e tensione, duke bllokuar fillimisht Foltoren. Pas kësaj, deputetët e opozitës dolën jashtë sallës së Kuvendit, duke nxjerrë në oborr edhe të gjitha karriget e tyre, të cilave iu vendosën flakën. Deputeti Flamur Noka shkuli një nga mikrofonat në Kuvend dhe ky veprim e detyroi kryeparlamentaren Spiropali që ta përjashtonte nga seanca. Noka paralajmëroi se e njëjta situatë do të jetë në çdo seancë plenare.
Por tashmë, si Noka e Bardhi, edhe 22 deputetët e tjerë janë të përjashtuar. Dënimin më të ulët e ka Edi Paloka, me 10 ditë përjashtim. Përveç kësaj mase, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka dërguar emrat e deputetëve në SPAK, ku i akuzojnë për disa vepra penale. /ZËRI