
TIRANË- Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla reagoi për vendimin e Sekretariatit të Etikës për të përjashtuar 24 deputetët e Partisë Demokratike nga seancat e Kuvendit deri më 2 muaj. Deputeti i PS, i ftuar në “A2 CNN” tha se mazhoranca nuk do të negociojë më me deputetët e opozitës.
“Kjo këtu pastaj është bërë qesharake. Për çfarë dialogu, për çfarë do negociojmë? Se ata duan të negociojnë për vendimet e drejtësisë. Nuk e kemi ne në dorë. Po s’ka, lëre ç’qeverie teknike. Të flasim për gjëra serioze tani se thonë kjo gjëja erdhi tani për një vendim gjykate. Unë nuk i komentoj vendimet e gjykatës. Kam pasur raste kolegësh të PS që janë marrë të pandehur, ju është hequr liria, janë dënuar nga gjykata. Ke parë ndonjë rast, jo mua, por asnjë koleg nga PS që të thonë se shiko ky vendim i gjykatës, ose ky vendim i SPAK-ut për këtë kolegun tonë.... Jo. Po s’ndodh se është qasje. Sepse ka të bëjë me marrëdhënien me shtetin. Ne jemi pushteti legjislativ, kjo pjesa tjetër është pushteti ekzekutiv dhe ky është pushteti gjyqësor”, tha Balla.
Balla akuzoi opozitën se po mban standarte të dyfishta përsa i përket drejtësisë. Sipas tij, nëse ai do të ishte pjesë e opozitës do të shkonte në Kuvend për të diskutuar problematikat e njerëzve.
“Kur një vendim gjykate i marr nga e njëjta trup, dilet edhe thuhet: ‘Po ka dhe gra të mira dhe burra të mirë në këtë sistem gjyqësor’. Të njëjtën trupë gjyqësore që merr një vendim që s’të pëlqen ty këta janë të kapur. Më fal. Kaq bufa i dinë shqiptarët këta. Unë të them të drejtën të isha deputet opozitës sot, do vija të enjten në Parlament, do mbaja një diskutim për problematikat që unë mendoj dhe të premte, të shtunë, të dielë, nëse do edhe të hënë dhe të martë e të mërkurë do isha në zonë tek njerëzit. Dhe nëse do dialog shko bëj dialogun me njerëzit”, përfundoi Balla.
Pas arrestimit të deputetit Ervin Salianji, opozita nisi aksionin kundër maxhorancës, duke paralajmëruar protestë (e cila do mbahet në datë 8 tetor) dhe mosbindje civile. Por aksioni nisi të hënën nga Kuvend me opozitën që shkaktoi kaos e tensione, duke bllokuar fillimisht Foltoren. Pas kësaj, deputetët e opozitës dolën jashtë sallës së Kuvendit, duke nxjerrë në oborr edhe të gjitha karriget e tyre, të cilave iu vendosën flakën. Deputeti Flamur Noka shkuli një nga mikrofonat në Kuvend dhe ky veprim e detyroi kryeparlamentaren Spiropali që ta përjashtonte nga seanca. Noka paralajmëroi se e njëjta situatë do të jetë në çdo seancë plenare. Por tashmë, si Noka e Bardhi, edhe 22 deputetët e tjerë janë të përjashtuar. Dënimin më të ulët e ka Edi Paloka, me 10 ditë përjashtim. Përveç kësaj mase, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka dërguar emrat e deputetëve në SPAK, ku i akuzojnë për disa vepra penale. /ZËRI