TIRANË-Po mbahet në Tiranë dita e dytë e Konferencës me temë “30 vite partneritet dhe progress: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias. Diskutimet fokusohen në tre tema kyçe: reforma në drejtësi dhe vettingu, reforma zgjedhore dhe drejtësia kushtetuese, me pjesëmarrjen e drejtuesve të institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare.
Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi renditi çështjet kyçe që sipas tij duhet të adresohen urgjentisht në reformën e ardhshme zgjedhore, duke përfshirë votimin për personat me pamundësi, riorganizimin e komisioneve dhe rregullat për referendumet.
Ilirjan Celibashi: Për të nxitur debatin, po bëj një listë të atyre çështjeve që ne mendojmë se duhet të adresohen në kuadër të reformës së ardhshme zgjedhore. Duke filluar me organizimin e komisioneve të palëve të treta. Mendoj se vetëm përbërja politike partiake e këtyre komisioneve nuk kontribuon në integritetin e procesit zgjedhor, në mirëadministrimin e tij, në transparencë dhe në elementë të tjerë që duhet t’i gëzojë një proces i drejtë, i barabartë dhe i ndershëm. Nuk jam dakord me propozimin e maxhorancës, ku anëtarët e komisionit të jenë të gjithë nëpunës të shërbimit civil. Mendoj se nuk është koha që partitë politike të përjashtohen plotësisht, por roli i tyre nuk duhet të jetë parësor, por dytësor. Mendoj se ka ardhur koha që Kolegji Zgjedhor nuk ka më arsye pse të jetë instanca që merret me hetimet zgjedhore; mund të jetë Gjykata e Apelit apo Gjykata e Lartë. Organizimi dhe funksionimi i KQZ-së, duke qenë në konflikt të hapur interesi, edhe pse s’kam asnjë të tillë brenda vetes, do doja që partitë politike të vendosin për këtë.
Ndërkohë kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në ditën e dytë të konferencës 30 vite partneritet dhe progres të Komisionit të Venecias, tregoi rëndësinë e reformës në drejtësi dhe sfidave me të cilat ajo po përballet. Sadushi vuri në dukje se reforma nuk është një projekt vetëm i drejtësisë, por një sfidë kombëtare që përfshin politikën, administratën dhe çdo institucion që mban përgjegjësi ndaj qytetarit. Ai theksoi se reforma në drejtësi është ngadalësuar për shkak të mungesës së vullnetit për ta zbatuar atë njësoj sikurse nisi.
“Reforma në drejtësi nuk ka dështuar. Ajo është ngadalësuar nga mungesa e vullnetit për ta zbatuar me të njëjtin idealizëm dhe ndershmëri me të cilën u ndërtua. Ajo lindi nga konsensusi më i gjerë politik në historinë e pluralizmit shqiptar, me 140 vota ‘pro’ dhe me dakordësinë e plotë të Komisionit të Venecias, që u bë garancia ndërkombëtare e legjitimitetit të saj. Reformimi nuk është vetëm detyrë e drejtësisë, por edhe e politikës, e administratës dhe e çdo institucioni që mban përgjegjësi ndaj qytetarit. Në këtë kuadër, është vetë politika ajo që duhet të tregojë ndryshim dhe përgjegjshmëri, sepse vetëm një politikë e pjekur dhe një drejtësi me integritet mund të garantojnë së bashku një sistem të qëndrueshëm dhe të pavarur. Vetëm kur këto dy shtylla ecin paralelisht, reforma merr kuptim dhe vazhdimësi. Ndryshe, rrezikojmë të mbetemi peng të një rrethi të pafund reformash, që e mbajnë sistemin gjyqësor gjithmonë në nisje, por kurrë në mbërritje,"-u shpreh Sadushi.
Në këtë takim edhe nënkryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Damian Gjiknuri, theksoi rëndësinë e një reforme të mirëfilltë që adreson financimin e partive politike në përputhje me standardet ndërkombëtare. Pjesë e tryezës është dhe ministri i Drejtësisë së Kosovës, Blerim Sallahu. Në fjalën e tij ai theksoi se vettingu është një proces i domosdoshëm që ka ekspozuar plagët e këtij sistemi. Sallahu tha se sot kemi nevojë më shumë se kurrë për një drejtësi që nuk i shërben pushtetit, por të drejtës.
“Vettingu proces i domosdoshëm, ka ekspozuar plagët e sistemit tonë, korrupsionin, mungesën e meritokracisë. Është të ndarë të drejtën nga e padrejtësia, për të ndarë shërbimin publik nga shërbimi personal. Më mirë një boshllëk i përkohshëm se sa një drejtësi e kalbur. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për një drejtësi që nuk i shërben pushtetit, por të drejtës, një drejtësi që nuk është e verbër përballë padrejtësisë. Vettingu është dera që hapet për një sistem të ri, më të ndershëm dhe duhet të mbrohet nga të gjithë ne me kurajo dhe përkushtim”, tha ai.
Fjalë e mori dhe Presidentja e Komisionit të Venecias, Hanna Suchocka, e cila vlerësoi përparimin që Shqipëria ka bërë në reformën e sistemit gjyqësor, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të shtetit të së drejtës. Ajo përmendi bashkëpunimin e hershëm me institucionet shqiptare që prej vitit 1998, kur u hartua Kushtetuta e parë e Shqipërisë pas kalimit në sistemin demokratik, dhe theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Komisionit të Venecias në proceset reformuese, veçanërisht në drejtësi.
“Shqipëria ka bërë hap madhor drejt reformimit të gjyqësorit. Kjo është theksuar qartësisht në opinionin e Komisionit të Venecias të vitit 2016. Dhe Komisioni ka përgëzuar autoritetet shqiptare dhe ekspertët e Komisionit të Posaçëm në lidhje me përgatitjen e Reformës Kushtetuese për gjyqësorin. Ne vazhdojmë që të kemi dialog të përhershëm”, u shpreh Suchocka.
Të pranishëm në këtë panel janë edhe drejtues të institucioneve të drejtësisë, si kreu i SPAK, Altin Dumani, i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi dhe avokatja e Popullit Erinda Ballanca./ZËRI